Kuvendi është mbledhur në seancë plenare për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën. Pas fjalës pro të kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe kundër të kreut të grupit të PD-së Gazment Bardhi, është votuar për kalimin në procedurë të përshpejtuar.
Në Komisionin e Jashtëm, Projekligji për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, është votuar me 13 vota dhe asnjë kundër në Komisionin e Jashtëm. Tashmë Kuvendi do të rinisë përsëri seancën për të miratuar marrëveshjen.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se Shqipëria tashmë nuk ka më një rol vëzhgues në konfliktet ndërkombëtare, por është e gatshme të marrë pjesë në zgjidhjen konkrete të çështjeve të ndjeshme.
Kjo ftesë përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për rolin konstruktiv dhe të besueshëm të Shqipërisë dhe shënon një moment të paprecedent pozitiv. Kuvendi shihet si një aktor që kontribuon në zgjidhe të rëndësishme globale për paqen dhe jo si dikur pjesë periferike”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, është shprehur kundër kalimit për votim të marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar. Bardhi në emër të partisë së tij shprehet pro aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, po e cilëson të pajustifikueshme urgjencën e mazhorancës për të shkelur rregulloren.
“Shqiptarët e dëgjuan hartimin e kolegut parafolës, por nuk dëgjuan asnjë fjalë se ku qëndron nxitimi i Shqipërisë për ta përmbyllur këtë proces sot. Në 10 minuta fjalë nuk u shpjegua se për çfarë arsye dhe ku qëndron urgjenca e shqyrtimit të këtij projektligji me rëndësi historike. Kolegët duhet ta votojnë brenda 12 orëve pasi ka mbërritur nga Këshilli i Ministrave. Patjetër që jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, por duhet ta bëjmë sipas rregullores së Kuvendit”, tha Bardhi.
Partia Demokratike gjithashtu depozitoi në Kuvend disa amendamente për ndryshime në marrëveshjen. Propozimet e opozitës janë rrëzuar në Komisionin e Jashtëm me 3 vota pro dhe 8 kundër. PD kërkoi heqjen e emrit të kryeministrit Edi Rama nga titulli me argumentin se Shqipëria përfaqësohet nga institucione dhe jo individë.
Sakaq, në sallë ndodhet dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, ndërkohë që në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca për çështjen e pezullimit të saj me vendim të GJKKO-së.
Një ditë më parë qeveria miratoi marrëveshjen për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Në këtë fazë nuk do të ketë detyrime financiare. Të vetmet kosoto, siç parashikon Karta e Bordit, do të jenë kontribute vullnetare për organizatën të cilat do të përcaktohen në një fazë të mëvonshme.
Shqipëria, si shtet anëtar, do të përfaqësohet në këtë organizatë nga kryeministri Edi Rama, siç përcaktohet që në titullin e projektligjit, ndërsa mandati, siç parashikon karta do të zgjasë fillimisht tre vjet me mundësi rinovimi nga Kryetari Trump. Mandat të kufizuar nuk do të kenë vetëm ato shtete që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të pare, e që falë pagesës do të kenë statusin e anëtarit të përhershëm.
