adoleshentët shqiptar

Adoleshentë shqiptarë “dembelë” ushqehen mirë, por 75% bëjnë jetë sedentare

Shëndeti dhe stili i jetesës së adoleshentëve të sotëm është shumë i rëndësishëm për të matur cilësinë e kapitalit njerëzor në dekadën e ardhshme.

Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregon se fëmijët dhe adoleshentët shqiptarë konsumojnë më shumë fruta dhe perime se bashkëmoshatarët e tyre europianë, por ndërkohë pinë shumë më tepër pije me sheqer dhe janë shumë më pak aktivë fizikisht në krahasim me vendet e tjera të Europës.

Përqindja e fëmijëve që nuk konsumojnë fruta apo perime çdo ditë është shumë më e ulët se mesatarja europiane, çka tregon se zakonet ushqimore të fëmijëve shqiptarë janë disi më të shëndetshme.

Edhe për sa i përket mbipeshës dhe obezitetit te fëmijët 6–9 vjeç, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të ulët, rreth 20%, ndërkohë që mesatarja e rajonit të OBSH-së në Europë është afër 40%. Këto të dhëna tregojnë një situatë relativisht pozitive në raport me shumë vende të tjera europiane.

Nga ana tjetër, treguesi për aktivitetin fizik mbetet problematik. Rreth tre të katërtat e fëmijëve shqiptarë janë fizikisht joaktivë, një nivel i ngjashëm me mesataren europiane, por shumë larg vendeve që performojnë më mirë në këtë drejtim. Edhe konsumi i pijeve të gazuara është disi më i lartë se në vendet më të zhvilluara.

Këto të dhëna sugjerojnë se, ndërsa ushqyerja është relativisht e mirë, mënyra e jetesës mbetet ende sedentare për një pjesë të madhe të fëmijëve.

Përdorimi i cigareve elektronike dhe atyre tradicionale tek adoleshentët shqiptarë është shumë i ulët, nën 10%, krahasuar me nivelet 20–40% në shumicën e vendeve të tjera europiane.

Edhe konsumi i alkoolit është dukshëm më i kufizuar  shumë pak adoleshentë raportojnë se kanë konsumuar alkool, janë dehur ndonjëherë apo gjatë 30 ditëve të fundit. Në këta tregues, Shqipëria dallon pozitivisht, duke u renditur ndër vendet më të sigurta në aspektin e sjelljeve të rrezikshme për moshat e reja.

Vendi ynë renditet shumë mirë për sa u përket zakoneve të ushqyerjes, nivelit të mbipeshës dhe sidomos konsumit të duhanit e alkoolit tek adoleshentët, në krahasim me Europën.

Megjithatë, mbetet një sfidë e dukshme mungesa e aktivitetit fizik dhe një prirje ende e lartë për konsum të pijeve të gazuara.

Financimi publik për shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve mbetet i kufizuar në vendin tonë. Vetëm 9.2% e totalit të shpenzimeve publike i dedikohen shëndetësisë, krahasuar me rreth 15% në mesataren e BE-së.

monitor.al

Citimi i Ditës
Albanian Edition

"Mos lejo që frika të vendosë për të ardhmen tënde."

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top