përvoja praktike në punë

Aftësitë dhe certifikatat po bëhen prioritet për 86% të punëdhënësve

Metodat e vjetra për avancim profesional po humbasin efektivitetin. Tani, një diplomë e vetme nuk garanton më sukses profesional. Punëdhënësit po i vlerësojnë kandidatët gjithnjë e më shumë mbi bazën e aftësive të treguara dhe të certifikuara.

Një raport i ri i Western Governors University, i publikuar sot dhe ndarë ekskluzivisht me Fortune, e vërteton këtë trend ,86% e punëdhënësve e konsiderojnë certifikatën jo-universitare si tregues real të gatishmërisë për punë. Presidenti i universitetit, Scott Pulsipher, thotë se inovacioni teknologjik e ka bërë të domosdoshme për profesionistët e çdo moshe të përvetësojnë aftësi të kërkuara, duke e bërë mësimin gjatë gjithë jetës normë të re.

“Ritmi i ndryshimit dhe aftësitë që nevojiten për të qenë produktiv në botën e punës po përshpejtohet dhe kjo po shkurton jetën e vlefshmërisë së aftësive që kemi,” tha Pulsipher për Fortune.

Megjithatë, diplomat nuk janë të panevojshme. Raporti tregon se 68% e punëdhënësve ende i japin rëndësi diplomës.“Diplomat kanë ende peshë, por po shohim që vendimet e rekrutimit bazohen gjithnjë e më shumë në një portofol të dëshmive. Një kombinim i një certifikate pune apo diplome me eksperiencën mund të dyfishojë shanset e një kandidati për t’u punësuar,” shton Pulsipher.

Certifikatat nuk kanë të njëjtën vlerë në të gjitha profesionet. Ato janë shumë të kërkuara në teknologji, ndërtim dhe shëndetësi, ndërsa në ligj, hotelieri dhe marketing ndikimi i tyre është më i kufizuar.

Megjithatë, edhe kur kanë rëndësi, zgjedhja e certifikatave të sakta mund të jetë sfiduese. Pulsipher vlerëson se nga miliona certifikata që ekzistojnë, “ndoshta më pak se 1% janë realisht të njohura nga industria dhe ia vlejnë kohës së kandidatëve.”

Pulsipher këshillon: filloni nga puna që dëshironi, jo nga certifikata. Hulumtoni rolet me kërkesë të lartë, identifikoni aftësitë e nevojshme dhe kërkoni rrugë mësimi që përfundojnë me certifikata të pranueshme nga industria.

Përvoja praktike po fiton terren

Raporti zbulon gjithashtu se 78% e punëdhënësve e vlerësojnë përvojën e punës njësoj ose më shumë se diplomën. Pulsipher shton se profesionistët e rinj shpesh nënvlerësojnë rëndësinë e përvojës praktike:

“Nuk ka rëndësi si e ke mësuar, por çfarë di dhe çfarë mund të bësh me atë që di,” thotë ai.

Edhe jashtë teknologjisë, sipas CEO-së së Great Place to Work, Michael Bush, kompanitë kryesore nuk flasin më për diploma, por për aftësi.

Në një epokë ku teknologjia po ndryshon çdo sektor, aftësitë, përvoja praktike dhe certifikatat e njohura po bëhen valuta e re për të hyrë dhe për t’u ngjitur në tregun e punës.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top