Nga Jessica Stillman
Teknologjia e inteligjencës artificiale po jep sinjale të hershme premtuese për rritjen e produktivitetit në punë, duke ngjallur entuziazëm tek sipërmarrësit dhe drejtuesit. “Sinjalet e para për përfitime në produktivitet duken shumë, shumë pozitive,” shprehej ekonomisti i Goldman Sachs, Joseph Briggs, vitin e kaluar.
Sipas tij, të dhënat paraprake “mbështesin idenë se përfitimet mund të jenë të mëdha,” me një rritje mesatare në produktivitet prej rreth 25 %.
Shifra të tilla janë të mjaftueshme për t’i shtyrë drejtuesit të ndërmarrin hapa të shpejtë drejt adoptimit të mjeteve të AI. Por, përpara se të zbatojnë inteligjencën artificiale në çdo aspekt të punës, ka vend për reflektim. Studiuesit po shohin gjithnjë e më shumë jo vetëm përfitimet e AI, por edhe ndikimet që ka ajo në motivimin, bashkëpunimin dhe cilësinë e jetës në punë. Dhe pamja nuk është aq rozë sa duket.
Kostot psikologjike të përdorimit të AI në punë
Është fakt që mjetet e AI ndihmojnë punonjësit të përfundojnë më shpejt shumë detyra – një chatbot mund të shkruajë një email ose të përmbledhë një takim për disa sekonda. Por efektet e produktivitetit nuk janë e vetmja gjë që ka rëndësi. Si ndikohen punonjësit psikologjikisht nga përdorimi i këtyre mjeteve? A i gëzojnë ato proceset e punës më shumë apo më pak pas përdorimit të AI?
Një studim i fundit nga një grup studiuesish në Kinë me mbi 3,500 punonjës tregon se drejtuesit mund të po sakrifikojnë motivimin afatgjatë në këmbim të përfitimeve afatshkurtra.
Studiuesit vërejtën se, edhe pse performanca rritet me ndihmën e AI, kjo vjen me kosto emocionale. “Pavarësisht përfitimeve të performancës, pjesëmarrësit që bashkëpunuan me AI në një detyrë dhe më pas kaluan në një detyrë tjetër pa ndihmën e saj, raportuan një rënie të motivimit të brendshëm me 11 %dhe rritje të mërzisë me 20 %, në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha rastet,” thuhet në studimin e publikuar në Harvard Business Review.
A i bën AI punonjësit më anti-socialë?
Sipas një sondazhi nga Microsoft, AI nuk ndikon vetëm te motivimi, por edhe te marrëdhëniet ndërpersonale.
Nga 31,000 punonjës në 31 vende të ndryshme, një pjesë domethënëse thanë se preferojnë të përdorin AI për të shmangur komunikimin me kolegët. Rreth 17% e përdorin AI për shkak të frikës nga gjykimi apo sepse ndihen më rehat, 16 % e përdorin për të shmangur konfliktet me kolegët, dhe 15 %e vlerësojnë që AI nuk kërkon sqarime të shpeshta apo mbikëqyrje.
Edhe pse kjo rritje e efikasitetit është pozitive në pamje të parë, izolimi social dhe rënia e aftësive ndërpersonale mund të sjellin pasoja negative në ekip.
A po i izolon AI punonjësit?
Një tjetër studim nga MIT dhe OpenAI tregon se sa më shumë njerëzit përdorin chatbotë, aq më shumë ndihen të vetmuar. Nuk është e qartë nëse përdorimi i AI çon në vetmi, apo nëse njerëzit e vetmuar priren ta përdorin më shumë atë.
Megjithatë, eksperimente të zhvilluara në kompani nga vende dhe industri të ndryshme zbuluan një trend shqetësues: punonjësit që përdorin më shumë AI ndihen më të vetmuar, më të shkëputur nga të tjerët, pinë më shumë alkool dhe flenë më keq.
AI dhe kreativiteti: një marrëdhënie e ndërlikuar
AI është promovuar si një mjet i fuqishëm për nxitjen e ideve krijuese, sidomos për punonjësit me performancë më të ulët. Dhe studimet e konfirmojnë këtë. Por ka edhe kompromise.
Një artikull i publikuar në Science Advances zbuloi se edhe pse AI i ndihmoi pjesëmarrësit të performonin më mirë në një detyrë të shkrimit krijues, historitë që ata krijuan ishin më të ngjashme me njëra-tjetrën.
Pra, ndihma e AI mund të rrisë kreativitetin individual, por në të njëjtën kohë ul larminë e ideve – një efekt i mundshëm i standardizimit që AI sjell.
Mesazhi për drejtuesit
Kjo nuk do të thotë që drejtuesit duhet të braktisin mjetet e AI. Përkundrazi, zbatimi i tyre i kujdesshëm është i domosdoshëm. Siç thonë edhe autorët e studimit nga Kina: “Zgjidhja nuk është të heqim dorë nga AI.”
Por nuk duhet lejuar që entuziazmi për rritjen e produktivitetit të verbojnë drejtuesit përpara rreziqeve të vërteta. Qasja më e mirë është ajo që kombinon përfitimet e efikasitetit me ruajtjen e mirëqenies, komunitetit dhe kreativitetit të punonjësve.
Për ta bërë këtë realitet, “drejtuesit duhet të balancojnë dëshirën për efikasitet me një angazhim të thellë për mirëqenien e punonjësve,” theksojnë autorët e studimit mbi vetminë.
Kjo është e mundur vetëm nëse më parë bëhet një vlerësim i sinqertë i pasojave që mund të sjellë përdorimi i mjeteve të AI në punë.