Ajrina Hysaj, pedagoge në Universitetin Australian në Dubai prej mbi 17 vitesh, është e vlerësuar për studimet e saj shkencorë në fushën e mësimnxënies.
Me një pasion në fushën e studimeve shkencore rreth aspekteve të ndryshme të mësimëdhënies dhe mësimarrjes, citimet e punimeve të saj shkencore arritën me 8 Mars në 300.
Një arritje e veçantë në një ditë të veçantë. Por, citimet e saj janë jo vetëm të shumta në numër. Ato janë të indeksuara në mënyrë të konsiderueshme. P.sh, deri tani ka arritur h-index 11 dhe i10-index 14 që në gjuhën e studimeve shkencore shpjegon që të paktën 11 artikuj të saj janë cituar nga pedagogë dhe njerëz të shkencës nga e gjithë bota, të paktën 11 herë dhe të paktën 14 artikujt të saj janë cituar më shumë se 1 herë secili. Studimet shkencore kërkojnë kohë që të shkruhen dhe të botohen dhe përmbajnë dije shkencore të nevojshme për të gjithë, sidomos për pedagogët, drejtuesit e universiteteve apo institucioneve të tjera arsimore dhe padyshim studentët dhe drejtuesit e institucioneve që merren me politikat arsimore.
Më parë ajo ka fituar çmime në universitetin australian ku punon, si “Pedagoge e shkëlqyer”, Çmimin më të lartë në mësimdhënie dhe mësimmarrje”. Nga institucione ndërkombëtare ka fituar çmime për botimet e saj shkencore. Në vitin 2021, artikulli i saj për përdorimin e videove në kurrikulat ndërkombëtare me synim bashkëpunimin ndërkulturor, fitoi çmimin e parë në konferencën më të madhe që zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, nën kujdesin e Princit të Kurorës së Dubait “Hamdan bin Mohammed Al Maktoum”.
Ajrina ka mbi 25 vite në Dubai. Në universitetin ku punon është e vetmja shqiptare pedagoge dhe në drejtim. Ekspertiza e saj është mësimdhënia e gjuhës angleze, komunikimi shkencor, komunikimi ndërkulturor dhe ndërkombëtar, metodat cilësore dhe sasore të mbledhjes së informacioneve për studime shkencore si dhe komunikimi shkencor në shkrim dhe prezantim. Të gjitha këto lëndë i zhvillon dhe është kordinatore shkencore dhe arsimore.
Në një intervistë për Vaspas.com, ajo thekson se, metodat e mësimdhënjes po përmirësohen dhe mësimi ka në qendër studentët dhe jo pedagogët. “Arsimi duhet të jetë në zhvillim të vazhdueshëm për të mirën e studentëve, institucioneve arsimore dhe shoqërisë në përgjithësi. Arsimi nuk duhet të pushojë së zhvilluari kurrë. P.sh., gjatë Covid 19 kur e gjithë bota ishte e izoluar, kam trajnuar mbi 20 pedagogë që punojnë me mua për përdorimin e mjeteve online më të zhvilluara në mënyrë që studentët tanë të shijonin mësimin dhe në kushte tejet sfiduese. Arsimi duhet të jetë jetësor, ashtu si dhe shoqëria, në mënyrë që zhvillimi dhe përparimi të jenë të dukshëm”, thekson ajo.
Por, sipas saj, nga ana e studentëve, interesi është zvogëluar për shumë arsye, sidomos prej mediave sociale dhe përdorimit të vazhdueshëm të celularëve. Ajo e sheh teknologjinë si një instrument mik dhe e shfrytëzon shumë në klasat e saj, pasi, “teknologjia është në zhvillim të vazhdueshëm dhe ka aftësi të pafundme për të përmirësuar procesin e mësimit, gjithmonë nëse kuptohet nga arsimtarët dhe përdoret në mënyrë efikase”.
Ajrina organizon diskutime të vazhdueshme me studentët. “Studentët janë individë shoqërorë, më shumë sesa janë studentët, ndaj shpesh organizoj debate në klasë dhe në konkurse ndër universitare për koncepte të ndryshme që ngjallin polemika shoqërore si psh. kombet, kulturat, gjuhët, besimet fetare, ndryshimet ndër breza, emigrimi, identiteti dhe shumë të tjera. Është a mahnitshme sesa shumë ka për të treguar brezi i ri, sa ka për të dëshmuar dhe kontribuar në shoqëri, gjithmonë nëse ne e lejojmë dhe e inkurajojmë, thekson ajo. Ajo beson fuqimisht në bashkëpunimin ndërmjet brezave dhe i inkurajon studentët të mundohen për më të mirën dhe më të vështirën për t’u arritur. Limitet nuk ekzistojnë, ato i krijojmë vetë dhe ne mund t’i ndryshojmë. Vazhdimisht u them studentëve se notat maksimale nuk janë për ne pedagogët apo kordinatorët që përgatisim materialet mësimore, por janë për studentët që mësojnë dhe përpiqen pavarësisht vështirësive. Gjithashtu, kulturat dhe gjuhët e bëjnë botën shumëngjyrëshe dhe shtojnë larminë e botëkuptimeve dhe ideve që si pasojë krijojnë shoqëri, ku aftësitë krijuese dhe intelektuale vlerësohen dhe inkurajohen.
Ajrina ka një pasion për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Jep mësime falas shqip për fëmijë shqiptarë dhe për të huajt e interesuar për gjuhën dhe kulturën tone, si dhe jep anglisht për gra dhe vajza shqiptare që nuk kanë mundësi financiare për të ndjekur kurse private. “Unë besoj fort në fuqinë e arsimit dhe mendoj se dija që ndahet shumëfishohet dhe zbukurohet”, thekson Ajrina. Ajo beson se fëmijët dhe femrat shqiptare kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe më shumë mundësi arsimimi dhe punësimi. Femra dhe fëmijë të fuqizuar me dije krijojnë një atmosferë shprese për shoqërinë. Ajo synon të jetë më aktive në mediat e saj, sidomos në YouTube në kanalin “Ajrina Hysaj”, ku videot janë të ndara në lista dhe në bazë të niveleve të vështirësive.
Metoda e saj e mësimdhënies është e ndikuar nga metoda e universitetit të Kembrixhit dhe materialet mësimmarrëse në shqip, ajo i përgatis e bazuar në këtë metodë, por shton informacione për kulturën, traditat, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë dhe trojeve të tjera shqiptare. “Ne jemi një komb i madh, paçka se i copëzuar dhe gjithmonë e konsideroj Shqipërinë të madhe, ku përfshij Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe të gjithë diasporën ku jetojnë shqiptarë, të cilët kanë emigruar në etapa të ndryshme të historisë sonë”.
Kur u largua 25 vite më parë i mungonte shumë gjuha shqipe, diskutimet e stërzgjatura në kafe, aroma e mimozave dhe disa ushqime. “Me kalimin e viteve gjërave materiale, përfshirë dhe ushqimeve, u ka rënë vlera. Shpirtërorja është e pa zëvendësueshme. Asaj sot I mungojnë familjarët, por edhe Tirana e dikurshme. Shqipëria ka ndryshuar shumë këto 25 vite dhe shpesh Tirana ime nuk më ngjan aspak me atë Tiranën ku linda dhe u rrita.
Për të, jetesa në Dubai është e vrullshme, por e sigurtë. “Në përgjithësi ka një ndryshim themelor ndërmjet jetesës sonë që jetojmë këtu dhe jetës që shikojnë turistët. Unë kam jetuar prej 25 vitesh këtu dhe çdo gjë më duket normale, asgjë moderne nuk më duket më e mahnitshme. Për mua, punëtorët që ndërtojnë dhe pastrojnë Dubain janë po aq të rëndësishëm sa njerëzit tejet të pasur që kanë makina aq lluksoze sa tri-katër vila moderne. Jetesa këtu të jep mundësinë të njohësh njerëz nga e gjithë bota dhe të shtresave të ndryshme shoqërore dhe ekonomike, ndaj do të thoja se është një shtet, ku të jesh vetvetja nënkupton të qëndrosh e ngulur fort tek vlerat familjare dhe shoqërore që t’i si person i quan të vlefshme. Unë jam tani më e lidhur me Shqipërinë sesa kam qenë kur jam larguar nga Shqipëria. Mendimet e mia janë të formuluara me mentalitetin shqiptar, paçka se shqiptimi është anglisht”. Ajo beson se e shkuara dhe e tashmja jonë si komb na bashkon, kudo qofshim, nëse zgjedhim të jemi bashkë dhe jo të veçuar.
Prej 17 viteve në universitet ajo ka parë se si ka ndryshuar numri i kombësive në klasat e saj. “Ndryshimet kanë qenë pesëvjeçare dhe tani që flasim kam në klasa studentë nga të gjitha kombet e botës. Shumëllojshmëria e kombeve është e pakrahasueshme dhe nuk e kam parë nga asnjë nga shtetet që kam vizituar, si për konferenca dhe takime zyrtare, ashtu dhe personale. Gjithmonë them, “nëse do të shohësh të gjithë botën në një vend, hajde në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe sidomos në Dubai”. Shumëllojshmëria e kombeve dhe veçantia e individëve këtu bashkëjetojnë në harmoni të plotë. Degët e mia mësimore janë të detyrueshme për të gjithë studentët dhe më bie rasti t’u jap mësim studenteve të të gjitha degëve. Më të përfshirët në mësimmarrje, duken studentët e shkencave ekzakte, por gjithmonë e më shumë vë re se adaptimi i strategjive të informuara në adragogji (pedagogjia për të rriturit, pasi studentët e mi janë të gjithë mbi 18 vjeç), duke shfrytëzuar teknologjinë në mënyrë efikase dhe të ndershme, japin sukses dhe klasat e mia kanë gjallëri dhe studentët e shprehin mirënjohjen për dijen që marrin dhe për aplikimin që kjo dije ka në të gjitha lëndët me të cilat lidhet prej përmbajtjes apo formës.