investimet e huaja

AmCham: Drafti për filtrimin e investimeve kërkon rishikim për të ruajtur klimën e biznesit

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka ngritur shqetësime serioze lidhur me draftin e qeverisë për krijimin e një mekanizmi kombëtar të shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte (FDI Screening) në sektorë strategjikë, duke paralajmëruar se në formën aktuale ai mund të krijojë pasiguri juridike dhe të dekurajojë investitorët e huaj seriozë. Megjithatë, sipas AmCham, drafti aktual i hedhur në konsultim publik paraqet problematika thelbësore që rrezikojnë të krijojnë pasiguri juridike dhe të dekurajojnë investitorët seriozë.

Në një qëndrim zyrtar drejtuar institucioneve, Dhoma Amerikane vlerëson se niveli normativ i aktit – një projektvendim i Këshillit të Ministrave – nuk është i mjaftueshëm për një mekanizëm kaq kompleks dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat e investitorëve dhe në ekonominë kombëtare. Sipas saj, procesi i shqyrtimit të investimeve kërkon një ligj të posaçëm, i cili të përcaktojë qartë fushëveprimin, procedurat, kriteret e vlerësimit të riskut dhe garancitë procedurale, duke reduktuar hapësirat për interpretim subjektiv.

Një tjetër shqetësim lidhet me përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Edhe pse drafti pasqyron formalisht strukturën e Rregullores (BE) 2019/452, AmCham vlerëson se ai nuk reflekton plotësisht frymën balancuese dhe proporcionale të saj, çka është thelbësore për një zbatim të parashikueshëm dhe në përputhje me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Nga këndvështrimi i biznesit, transparenca dhe siguria juridike janë elementë kyç. Dhoma Amerikane vëren se terminologjia e përgjithshme dhe mungesa e kritereve të matshme për vlerësimin e riskut krijojnë pasiguri për investitorët, të cilët nuk janë në gjendje të vlerësojnë paraprakisht rrezikun rregullator të investimeve të tyre.

Po ashtu, AmCham ngre pikëpyetje mbi arkitekturën institucionale të parashikuar në draft, ku kompetenca të gjera përqendrohen në një Komitet Ndërministror pa rregulla të detajuara mbi funksionimin, mënyrën e vendimmarrjes dhe menaxhimin e konflikteve të interesit. Sipas saj, kjo rrit rrezikun e vendimmarrjes diskrecionale dhe vështirëson mbrojtjen juridike të palëve të interesuara.

Në aspektin procedural, kritikohet afati i shkurtër për plotësimin e dokumentacionit nga investitori i huaj, i cili shihet si joproporcional, si dhe parashikimi i seancave dëgjimore që mund të krijojnë perceptimin e një procedure hetimore, në vend që të reflektojnë një qasje nxitëse dhe bashkëpunuese ndaj investimeve.

Në këtë kontekst, Dhoma Amerikane sugjeron që drafti aktual të rishikohet në tërësi dhe që Shqipëria të ndërmarrë hartimin e një ligji të posaçëm për shqyrtimin e investimeve të huaja në sektorë strategjikë. Një qasje e tillë, sipas AmCham, do të ndihmonte në krijimin e një balanci të qëndrueshëm mes nevojës për siguri kombëtare dhe ruajtjes së një klime tërheqëse dhe të parashikueshme për investimet e huaja,  një faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të vendit.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham)

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top