Është prezantuar zyrtarisht Komiteti i të Rinjve, Sipërmarrjes dhe Inovacionit pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, një strukturë e re që synon të mbështesë dhe të orientojë brezin e ri të sipërmarrësve shqiptarë.
Komiteti do të funksionojë si një platformë bashkëpunimi mes të rinjve me ide dhe potencial zhvillimi dhe drejtuesve të konsoliduar të biznesit, duke krijuar mundësi për mentorim, shkëmbim eksperience dhe ndërtim rrjetesh profesionale. Në fokus është forcimi i kulturës së sipërmarrjes, nxitja e inovacionit dhe krijimi i një mjedisi ku idetë të kenë mundësi reale për t’u kthyer në projekte konkrete.
Përmes kësaj nisme synohet gjithashtu thellimi i lidhjeve me praktikat amerikane të të bërit biznes, duke promovuar konkurrencën e ndershme, meritokracinë dhe standardet e integritetit. Komiteti pritet të shërbejë si një urë mes tregut vendas dhe mundësive ndërkombëtare, duke inkurajuar të rinjtë të ndërtojnë dhe të zhvillojnë bizneset e tyre në Shqipëri.
