Andrew Hansen e nisi karrierën e tij në industrinë e ndërtimit. Ai ka punuar në burime njerëzore, në sigurinë në punë dhe më pas në menaxhim. Nuk kishte përvojë në marketing, deri ditën kur iu kërkua të bënte një video të shkurtër për kompaninë ku punonte.
Pikërisht aty kuptoi diçka të rëndësishme: kompanitë e ndërtimit dhe prodhimit kanë histori shumë të bukura, por askush nuk i tregon.
Në vitin 2017, ai krijoi kompaninë Site, e cila merret me marketing vetëm për sektorin industrial ndërtim, prodhim dhe industri të rënda.
Sipas Hansen, në këto fusha merren vendime shumë të mëdha, si zgjedhja e një kompanie për të ndërtuar një pallat të lartë apo për të prodhuar pjesë avionësh. Për këtë arsye, besimi dhe mënyra se si një kompani prezantohet janë shumë të rëndësishme.
Përmes Site, Hansen dhe ekipi i tij ndihmojnë bizneset lokale të tregojnë historinë e tyre dhe të dallohen nga të tjerët.
Ai thotë se shpesh sektori industrial shihet me paragjykim, sidomos nga të rinjtë, por në të vërtetë aty punojnë njerëz shumë të aftë, krijues dhe të zgjuar.
Suksesi i kompanisë u vu re herët dhe në vitin 2019, Hansen u përzgjodh në listën 30 Under 30. Më pas, ai e zgjeroi biznesin edhe në fusha të tjera, si rekrutimi i stafit, teknologjia dhe media, përfshirë edhe prodhimin e filmave.
Një nga projektet më të veçanta ishte realizimi i një videoje për 60-vjetorin e një biznesi familjar në Vancouver, ku u tregua historia e tre brezave të së njëjtës familje. Projekti ishte shumë emocional dhe i rëndësishëm për klientët.
Në vitin 2025, Site organizoi për herë të parë Site Summit, një konferencë dyditore që mblodhi qindra profesionistë të industrisë për të ndarë ide dhe përvoja. Sot, kompania ka rreth 100 punonjës dhe ka arritur të gjenerojë 15 milionë dollarë të ardhura.
Këshilla e tij për lidershipin:
Suksesi varet nga njerëzit që ke në ekip dhe nga kultura që ndërton me ta.
Një punë e pazakontë që ka bërë:
Ka punuar si ndihmës në një fermë.
Pas punës:
Kalon kohë duke u ushtruar ose me fëmijët e tij.
