anketimi

Anketimi mbi zgjedhjet në Shqipëri: Presion administratës publike dhe keqpërdorim i burimeve shtetërore

Keqpërdorimi i burimeve shtetërore në Shqipëri për qëllime zgjedhore cilësohet nga veprimtarët si një shqetësim kryesor për demokracinë e vendit. Nga studimi i opinionit publik në 6 qytetet më të mëdha doli se shumica dërrmuese mendojnë që ky përdorim i burimeve shtetërore është i padrejtë dhe ndikon në rezultatet e zgjedhjeve. Një e katërta e qytetarëve të anketuar ndryshuan votën e tyre ose abstenuan për shkak të presioneve nga administrata publike.

Studimi i Organizatës Qëndresa Qytetare zbuloi një perceptim të përhapur mbi keqpërdorimin e burimeve shtetërore për qëllime zgjedhore. Anketa u shtri në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Fier, Elbasan, ku një shumicë dërrmuese (84.5%) e pjesëmarrësve u shprehën se përdorimi i burimeve shtetërore ndikon ndjeshëm në rezultatet e zgjedhjeve dhe shumica e tyre (66%) e cilësojnë këtë sjellje si të padrejtë dhe të keqpërdoruese.

Më shumë se dy të tretat e të anketuarve (78%) pohuan se zyrtarët publikë përdorin burimet shtetërore për qëllime elektorale, më shumë se gjysma e tyre (57%) theksuan angazhimin e nëpunësve civilë në fushata zgjedhore, si dhe (50-55%) vërejtën përdorimin e fondeve publike, të objekteve dhe infrastrukturës publike për veprimtari të fushatave zgjedhore.

Drejtuesi i organizatës Qëndresa Qytetare, Migen Qiraxhi, thotë për Zërin e Amerikës se “edhe ky studim tregoi që në Shqipëri janë shkelur dhe janë përherë e më të paqarta kufijtë mes partisë dhe shtetit sidomos në fushata zgjedhore, dhe që administrata përdoret rëndom në zgjedhje për të mbajtur pushtetin nën presionin e mbajtjes së vendit të punës, ndaj mbetet të forcohen monitorimi dhe masat për të frenuar këtë dukuri shqetësuese për demokracinë”.

Më shumë se një e treta e qytetarëve të anketuar për këtë studim (36%), pohuan se kanë qenë nën presion për të mbështetur një kandidat ose parti, madje një e katërta (25%) e të anketuarve thanë se kanë ndryshuar votën e tyre ose kanë abstenuar nga votimi për shkak të presioneve nga administrata publike.

Anketimi zbuloi se afro 67 për qind e qytetarëve kanë përjetuar ose dëgjuar raste ku punonjësit publikë janë detyruar të shfaqin mbështetje politike gjatë orarit të punës, nga presioni për të marrë pjesë në në veprimtari fushatë zgjedhore (49%), kërcënime për humbjen e vendit të punës (35%), presione për të dorëzuar lista votuesish (33.5%), e deri tek presione për t’u fotografuar duke marrë pjesë në aktivitete elektorale (27%).

Sipas anketës, afro një e katërta e qytetarëve (31%) deklaruan se kanë qenë dëshmitarë të përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime zgjedhore. Ndërsa shumica dërrmuese e tyre (82%) janë pro ashpërsimit të masave ndëshkuese për të parandaluar përdorimin e burimeve shtetërore gjatë proceseve zgjedhore.

Përdorimi i burimeve shtetërore dhe administratës publike gjatë fushatave zgjedhore është një ndër vërejtjet kryesore dhe më të shpeshta të vëzhguesve vendas dhe të huaj, ndërsa masat për frenimin e saj cilësohen si të pamjaftueshme.

VOA

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top