Arben Malaj

Arben Malaj: Debati në Shqipëri, paqja fiskale pa transparencë është rrezik

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Në ndihmë të zbutjes së debateve për “paqen fiskale”, Kush ka të drejtë për “paqen fiskale”?

Standardet ndërkombëtare janë të qarta, lista e përfituesve duhet të publikohet. Debati në Shqipëri për “paqen fiskale” nuk është teknik, është një test themelor i integritetit publik.

Kur falen detyrimet e para 10 viteve, nuk kemi më të bëjmë me “privatësi”, por me paratë e taksapaguesve, të cilat po u dhurohen individëve apo bizneseve të caktuara,dhe kur përdoren paratë publike, transparenca është detyrim, jo opsion.

Këto janë standardet ndërkombëtare pa asnjë dyshim, pa asnjë dyshim.

Bashkimi Europian: rregulli është i detyrueshëm sepse emrat publikohen. Nuk ka asnjë vend të BE-së që fsheh përfituesit e faljeve tatimore, sepse BE e konsideron faljen e borxheve tatimore si “ndihmë shtetërore”.  Ligji i BE-së kërkon që çdo ndihmë shtetërore mbi 5000 euro publikon emrin e përfituesit,pa justifikime,pa përjashtime.“Privatësia” nuk është arsye e vlefshme.

Kjo është bërë për të shmangur korrupsionin, për të kufizuar klientelizmin,për të mbrojtur konkurrencën e ndershme si dhe për të ruajtur integritetin e financave publike.

Nëse Shqipëria aspiron BE-në, nuk mund të shpikë “sekrete fiskale” që BE-ja i konsideron shkelje.

OECD – Falja e borxhit është shpenzim publik. Prandaj duhet transparencë e plotë. OECD është e prerë, çdo heqje dore nga të ardhurat publike është shpenzim fiskal dhe duhet të jetë krejtësisht transparent. Falja e detyrimeve nuk është “mëshirë”, por përdorim i fondeve publike. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se kush përfiton, sa përfiton dhe pse përfiton. Mbajtja e listës së fshehtë është shkelje e standardit të transparencës fiskale të OECD-së.

IMF – Amnistitë dhe faljet kërkojnë raportim të individualizuar. Fondi Monetar është edhe më i prerë. Çdo amnisti tatimore është “risk fiskal i lartë”.Për këtë arsye, FMN kërkon publikimin e listës së përfituesve,analizën e kostos për buxhetin,rishikimin parlamentar të zbatimit dhe
kontrolle ex-post për lidhje të mundshme politike.

Fshehja e listës është kundër rekomandimeve të FMN-së, institucionit kryesor që monitoron financat publike të vendit.

GDPR – Mbrojtja e të dhënave nuk ka asnjë lidhje me fshehjen e përfituesve. Ministri i Financave ka dhënë argumentin më të dobët të mundshëm,privatësinë. GDPR (ligji europian që Shqipëria e ka kopjuar) e lejon shprehimisht publikimin e të dhënave, kur ka interes të rëndësishëm publik,kur bëhet fjalë për përdorim të parave të taksapaguesve,kur publiku ka të drejtë të dijë si shpërndahen fondet e shtetit.

Zbatim praktik i GDPR:
✔ Publikohen emrat
✔ Publikohen bizneset dhe NIPT-at
✔ Publikohet shuma e falur
✘ Fshihen adresat, ID-të personale, të dhënat sensitive

Pra ministri po e përdor privatësinë si shkak politik, jo ligjor. Përfundimi që nuk mund të shmanget. Sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare (BE, OECD, IMF, GDPR), lista e përfituesve të “paqes fiskale” duhet të publikohet plotësisht. Mospublikimi i listës bie ndesh me praktikën e BE-së, me rekomandimet e FMN-së;bie ndesh me standardet e OECD-së,nuk mbrohet dot me asnjë nen të GDPR;krijon hije të rënda dyshimi për abuzim dhe klientelizëm, është cënim i transparencës dhe integritetit të financave publike.

Nëse qeveria kërkon të falë borxhe 10-vjeçare dhe të mos tregojë kujt t’i fal, kjo nuk është politikë fiskale, është rrezik i pastër për kapje të shtetit.

Shkruar nga Prof.Dr.Arben Malaj

Citimi i Ditës
Albanian Edition

"Mos lejo që frika të vendosë për të ardhmen tënde."

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top