bitcoin

Ari dhe Bitcoin në nivele rekord mes pasigurive globale

Ari dhe Bitcoin kanë arritur nivele rekord ditët e fundit, të nxitur nga pasiguria gjeopolitike dhe ekonomike, si dhe dyshimet në rritje mbi qëndrueshmërinë e dollarit amerikan.

Këtë javë, ari kaloi për herë të parë kufirin e 3,900 dollarëve për ons troy, ndërsa bitcoin theu nivelin historik prej 125,000 dollarësh, përpara se të pësonte një rënie të lehtë. Që nga fillimi i vitit, çmimi i arit është rritur me mbi 50%, ndërsa bitcoin ka fituar rreth një të tretën e vlerës së tij.

Ekspertët e lidhin rritjen me faktorë si mbyllja e qeverisë amerikane, luftërat në Ukrainë dhe Gaza, si dhe dobësimin e jenit japonez pas zgjedhjeve në Japoni. Ari shihet prej kohësh si një “strehë e sigurt” për investitorët në periudha krize dhe këtë herë ka përfituar edhe nga rritja e kërkesës për fondet e tregtuara në bursë (ETF) të mbështetura nga ari.

Sipas Deutsche Bank, “kërkesa e fortë nga bankat qendrore dhe investitorët institucionalë po nxit rritjen e çmimit të arit”, me zotërimet spekulative që kanë arritur nivele rekord.

Nga ana tjetër, bitcoin është forcuar ndjeshëm pas rizgjedhjes së Donald Trump si president të SHBA-së dhe mbështetjes së tij të hapur për kriptovalutat. Analistët e Standard Chartered theksojnë se mbyllja e qeverisë amerikane dhe pritshmëritë për ulje të normave të interesit po rrisin kërkesën për bitcoin si alternativë ndaj dollarit.

Sipas parashikimeve, bitcoin mund të arrijë së shpejti 135,000 dollarë, ndërsa ari pritet të kalojë 4,000 dollarët për ons, i mbështetur nga blerjet e vazhdueshme të bankave qendrore dhe kërkesa e fortë institucionale.

DW

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top