Për 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kemi zgjedhur shembullin e një artizaneje që shumëkush e zgjedh për të bërë dhurata unike, të personalizuara dhe gjithmonë të punuara me dorë..
Fatjona Ahmetallari, krijuese e punimeve të personalizuara dhe produkteve artizanale, ndan me ne përvojën dhe sfidat e saj. Në fund të intervistës, ajo ka sugjeruar disa ide interesante për dhurata.
Si ka nisur ky biznes dhe cilat janë produktet që ofroni aktualisht?
Gjithçka filloi si një gjest dashurie për mbesat e mia, duke qendisur emrat e tyre. Më pas, bleva disa gjergjefë të vegjël dhe krijova varëse unike, të cilat i dhurova miqve dhe familjarëve. Kërkesat nisën të vinin natyrshëm nga të njohurit, të cilët dëshironin të bënin dhurata të personalizuara kundrejt pagesës. Kështu vendosa ta shndërroj këtë pasion në një biznes artizanal. Aktualisht, përveç varëseve, krijoj edhe punime të tjera të personalizuara, gjithmonë të punuara me dorë.
Si i përzgjidhni materialet dhe a është e vështirë t’i gjeni ato në Shqipëri?
Zgjedhja e materialeve është një nga aspektet më të rëndësishme të punës sime. Ato duhet të jenë cilësore, të duken bukur dhe të jenë të qëndrueshme me kalimin e kohës. Materialet i siguroj nga dyqanet vendase të qendisjes, por shpesh më duhet të përshtat ato që gjej, pasi nuk është gjithmonë e lehtë të gjej materialet e duhura në Shqipëri.
A menaxhoni gjithçka vetë apo keni ndihmë?
E menaxhoj të gjithë procesin vetë, nga krijimi i punimeve deri te menaxhimi i porosive dhe faqes në Instagram. Megjithatë, kjo nuk është puna ime kryesore, pasi jam ekonomiste me profesion dhe angazhimi në këtë fushë nuk më lë shumë hapësirë për t’iu përkushtuar plotësisht biznesit.
Çfarë ju motivon më shumë në këtë punë dhe cilat janë sfidat më të mëdha që keni hasur?
Motivimi kryesor është vetë krijimi i një punim të bukur, të bërë me dorë. Kënaqësia e klientëve është gjithashtu një shtysë e madhe. Sfida kryesore mbetet vlerësimi i punës artizanale, pasi shumë njerëz nuk e kuptojnë kohën dhe përkushtimin që kërkon çdo punim. Shpesh dëgjoj komente të tilla si “E bëj edhe vetë këtë gjë” ose “E bukur shumë, do ma falësh?”, gjë që tregon se tregu shqiptar ende nuk e vlerëson plotësisht artizanatin.
Si ndikojnë kërkesat e klientëve në krijimtarinë tuaj?
Shumë klientë kërkojnë punime specifike dhe kjo më ndihmon të sfidoj veten artistikisht. Por ka edhe nga ata që më lënë dorë të lirë, duke më dhënë vetëm një ide bazë dhe duke më besuar për pjesën kreative.
Si e promovoni biznesin tuaj dhe a mendoni të zgjeroheni në të ardhmen?
Nuk përdor platforma të tjera për promovim përveç Instagramit, ku publikoj punimet e mia. Megjithatë, kam pasur kontakte me organizata që mbështesin artizanët, si Bashkia e Tiranës dhe Albanian Night, me të cilët kam bashkëpunuar për të shitur produktet e mia.
Sigurisht, do të dëshiroja të zgjerohem, pasi ky pasion më sjell shumë kënaqësi. Megjithatë, në Shqipëri ende nuk ka një vlerësim të madh për punimet e personalizuara handmade, gjë që e bën sfiduese zgjerimin në një nivel më të madh.
Si mund të personalizoni dhe ofroni produkte speciale për festat e 7 dhe 8 Marsit, dhe çfarë i bën ato të veçanta për klientët tuaj?
Për festat e 7 dhe 8 Marsit, ofroj punime artizanale që janë të personalizuara dhe krejtësisht unike. Çdo produkt që krijoj ka një histori dhe është një kombinim i frymëzimit tim, ideve të klientëve dhe pasionit që kam për artizanatin. Këto produkte janë perfekte si dhurata për mësuesit, nënat, gratë e dashura, ose për çdo person që dëshironi të nderoni dhe vlerësoni. Çdo element i këtyre krijimeve është i menduar me kujdes për të reflektuar vlerat dhe emocionet që lidhen me këto festa të veçanta. Prandaj, një dhuratë artizanale e tillë nuk është thjesht një objekt, por një mundësi për të dhuruar diçka që mbart pasion dhe unikalitet, duke u bërë një kujtim i paharrueshëm për marrësin.