Sot, gjithçka rrotullohet rreth thjeshtësisë. Na thuhet të pastrojmë mendjen, të mos e ngarkojmë veten, të largojmë njerëzit toksikë dhe të realizojmë qëllimet tona. Thjeshtësia na shitet si rruga e shkurtër drejt qartësisë, qetësisë dhe krijimtarisë. “Larg gjithçka, dhe gjenialiteti do të dalë vetë,” na thonë.
Por në të vërtetë, krijimtaria nuk nis me thjeshtësinë– ajo vjen pas një periudhe të gjatë përpjekjesh dhe rrëmuje.
Pse kërkojmë thjeshtësi
Thjeshtësia na qetëson sepse truri ynë lodhet kur përballet me shumë informacion njëherësh. Sipas një psikologu, John Sweller, kur kemi shumë mendime, truri ngarkohet dhe lodhet më shpejt. Prandaj, sa më thjeshtë aq më i lehtësuar nga mbingarkesa.
Por në procesin e krijimtarisë, nëse i biem shumë shkurt, mund të shkatërrojmë pikërisht atë që po përpiqemi të ndërtojmë.
Krijimtaria lulëzon pas rrëmujës
Eksperti i krijimtarisë, Keith Sawyer, thotë se idetë e mëdha zakonisht lindin jo nga qartësia e parë, por nga një kaos i organizuar – ai e quan këtë “mendim zig-zag”. Është një proces plot kthesa, gabime dhe shtigje të papritura. Rruga e drejtë dhe e pastër është thjesht një iluzion.
Shembuj? Merr një këngë, një poezi, një biznes të ri apo një pikturë. Nëse i shikon nga afër, do gjesh shumë versione të hedhura, prova që kanë dështuar, frymëzime që kanë ardhur pas shumë zhgënjimesh. Thjeshtësia që shohim në fund është shpërblimi për ata që duruan kaosin dhe nuk u dorëzuan.
Krijimtaria nuk del nga pastërtia
Shpesh, krijimtaria ngatërrohet me lirinë, lojën dhe frymëzimin – si një rrjedhë e bukur. Por në realitet, ajo është rrëmujë. Kërkon durim, qëndrueshmëri dhe aftësinë për të qëndruar me idetë e paplota pa u nxituar t’i sistemojmë.
Leonardo da Vinci thoshte: “Thjeshtësia është sofistikimi më i madh.” Por ai nuk e kishte fjalën për fillimin. Fletoret e tij ishin plot me shënime të ngatërruara, skica anatomike e mekanike. Ai mbillte shumë ide dhe kalonte vite duke i prerë ato që nuk duheshin.
Ku gabon kultura moderne e krijimtarisë
Sot na thuhet të “gjejmë idenë e madhe” apo “nishin krijues” tonë që në fillim – përpara se të kemi eksperimentuar mjaftueshëm. Kjo nxitim për qartësi mund të na kufizojë krijimtarinë, jo ta nxisë atë.
Ne ngatërrojmë ndjesinë e pasigurisë me dështimin. Nxitojmë të heqim gjërat në vend që të eksplorojmë më shumë.
Si të qëndrosh në rrëmujë pa humbur në të
Po si mund ta kalojmë këtë rrëmujë pa ngecur në të? Ja tre këshilla praktike:
-
Prano pasigurinë. Krijimtaria kërkon mendje fleksibël – aftësinë për të parë gjërat nga kënde të ndryshme. Mos e zgjidh menjëherë problemin. Rri me të. Bëj pyetje më të mira.
-
Krijo më shumë nga sa të duhet. Sasia sjell cilësinë. Studimet tregojnë se njerëzit më krijues bëjnë shumë punë – jo të gjitha të mira – por mes tyre lind edhe ideja e duhur. Mendo me skica, jo me përfundime.
-
Thjeshto në fund. Merr shembull nga një skulptor – ai nuk e fillon me formën e pastër, por heq atë që nuk i duhet. Thjeshtësia vjen në fund, jo në fillim.
Zgjidhje në rrëmuj
Bota moderne është e zhurmshme dhe stresuese, por krijimtaria nuk do të thotë të ikim nga rrëmuja. Do të thotë të mësojmë të punojmë me të – ta menaxhojmë dhe ta formësojmë. Vetëm atëherë lind diçka e re, e dobishme dhe e bukur.
Pra, nëse ndihesh i bllokuar, i pasigurt ose i lodhur gjatë procesit krijues, mos u frikëso. Mos e pastro gjithçka menjëherë duke kërkuar qartësi të shpejtë. Qëndro në rrëmujë edhe pak më gjatë. Eksperimento, shkruaj, vizato, lejo që idetë të jenë të shumta, të ngatërruara, të papërfunduara.
Sepse pas kësaj rrëmuje, mund të shfaqet diçka e thjeshtë. Dhe plotësisht e jotja.