harta

Autostrada Tiranë-Durrës, qeveria kujtohet që është emergjencë kur degradimi arrin kulmin

Në pikun e sezonit turistik dhe kur degradimi ka arritur kulmin qeveria u kujtua së fundmi të hedhë sytë në autostradën Tiranë – Durrës.

Me një fond 77 milionë lekë apo 770 milionë euro Autoriteti Rrugor Shqiptar synon që të zbatojë një kontratë që lidhet me përmirësimin e shtresave asfaltike të segmentit Vorë-Ura e Dajlanit.

Në dokumentin që shoqëron procedurën që ka në objekt të saj “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike të segmentit rrugor Vorë – Ura e Dajlanit” thuhet se ky segment rrugor është shumë i rëndësishëm pasi është pjesë e koridorit ekzistues veri – jug dhe shërben për lidhjen e Portit të Durrësit me kryeqytetin Tiranë dhe më gjerë.

“Aktualisht në të dy anët e këtij segmenti rrugor ka dëmtime të konsiderueshme si rrjetëzime, gropëzime si dhe dëmtime deri në nënshtresa në zona të veçanta. Ky segment rrugor ku do të ndërhyhet ka një gjatësi prej rreth 20 km me dy karrexhata me trafikndarës tip new jersey. Rruga i nënshtrohet një trafiku shumë të rënduar ku një pjesë e madhe e zë trafiku i mjeteve të rënda.

Shtresa e asfaltobetonit dhe binderit është e konsumuar dhe e rrjetëzuar në rreth 25% të sipërfaqes (korsia e trafikut të rëndë) me gjerësi 3.5m (10% në drejtimin Vorë – Mbikalimi i Dajlanit dhe 15% drejtimi Mbikalimi i Dajlanit – Vorë) dhe shtresa e konglomeratit bituminoz është e dëmtuar në rreth 30% të sipërfaqes së ndërhyrjes me asfaltobeton dhe binder.

Zonat ku do të bëhet ndërhyrja me stabilizant 15 cm dhe konglomerat 12 cm, janë ato zona ku paketa e konglomeratëve bituminoz është e dëmtuar totalisht dhe balta (pluhurit sipërfaqësore dhe papastërtitë që vijnë nga mjetet e rënda dhe gomat e tyre në prani të reshjeve të shiut) ka dalë në sipërfaqe. Këto zona janë tipike në drejtimin Vorë – Ura e Dajlanit (Pika 0 në dalje të mbikalimit të Vorës, Karburant Elda, Hyrje dalje Gjiri i Lalzit, Bistro (restoranti mbi superstradë), Sukth, Mbikalimi i Shkozetit, Karburant Kastrati dalje Durrës)” thuhet në dokument.

ARRSH thekson se në pesë – gjashtë raste ka dëmtime edhe korsi e shpejtësisë (binder dhe tapet) Kurse në drejtimin Ura e Dajlanit – Vorë dëmtimet janë në sipërfaqe më të mëdha, kryesisht korsia e mjeteve të rënda por në pesëmbëdhjetë – njëzet raste ka dëmtime dhe korsi e shpejtësisë, (binder dhe tapet) si psh: Mbikalimi i Shkozetit, Sukth, Bistro, Hyrje dalje nga kantjeret e ndëtimit në tre raste, Hyrje dalje Maminas.

“Zonat ku do bëhet riparimi i shtresës binder dhe tapet, janë zona ndërmjetëse, ku kemi të bëjmë me rrjetëzime, çedime dhe rrëshqitje të vogla ku balta nuk ka dalë në sipërfaqe. Paraprakisht, theksojmë se paketa e shtresave është ruajtur si ajo ekzistuese, 4cm asfaltobeton, 6cm binder dhe 12cm konglomerat bituminoz. Ndërhyrja parashikon skarifikimin e të gjithë shtresës së tapetit, shtresën e binderit dhe të konglomeratit të dëmtuar” vlerëson dokumenti.

Monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top