SHKRUAR NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ
Kohët e fundit Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka artikuluar një propozim që ai e quan “zgjidhja e vetme reale për paqen”: anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE njëkohësisht, si një “pako” e vetme. Procesi i zgjerimit të NATO-s dhe BE-së drejt Lindjes ka qenë historikisht suksesi më i madh i projektit të paqes pas Luftës së Ftohtë. Përvojat e kaluara të ish-vendeve komuniste, nga Baltiku e deri në Detin e Zi, kanë dëshmuar një rregull pothuajse të pashkruar që ka shërbyer si shtyllë kurrizore e stabilitetit evropian: siguria e garantuar nga anëtarësimi në NATO ka shërbyer pothuajse gjithmonë si “para-dhoma” e domosdoshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ky rrugëtim linear, ku stabiliteti ushtarak paraprin prosperitetin ekonomik, ka funksionuar si një filtër i fuqishëm për të garantuar që asnjë anëtar i ri të mos bëhet burim tensioni apo pasigurie brenda familjes evropiane. NATO jo vetëm që ofron ombrellën e mbrojtjes kolektive, por imponon reforma të thella në sundimin e ligjit dhe kontrollin civil mbi ushtrinë, të cilat janë parakushte jetike për demokracitë që aspirojnë anëtarësimin në BE. Studjuesi veton Surroi qartëson se SHBA në dokumentin e fundit të sigurisë kombëtare insistojnë se: “normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetësohet me njohjen e ndërsjellë të të dy shteteve dhe se në këtë rrugëtim nuk do të tolerohen “këmbim territoresh, ndarje ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor”. Parimi historik i anëtarësimit në NATO si parakusht i pashmangshëm përpara integrimit në Bashkimin Evropian po sfidohet nga dinamikat e fundit rajonale. Serbia po tenton të imponojë një paradigmë të re gjeopolitike, e cila anashkalon totalisht dimensionin e sigurisë kolektive dhe arkitekturën e stabilitetit të vendosur pas luftërave në ish-Jugosllavi.
