Banka Botërore ka publikuar raportin më të fundit mbi ecurinë e projektit “Për Forcimin e Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit” (SQARP), në të cilin vlerësohet se zbatimi i tij ka qenë përgjithësisht i kënaqshëm dhe në përputhje me objektivat fillestare.
Sipas raportit, Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit (NAC) dhe Bordi i Mbikëqyrjes Publike (POB) kanë përfituar nga rritja e kapaciteteve profesionale dhe pajisja me instrumente thelbësore për ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre ligjore.
Dokumenti nënvizon se NAC ka hartuar, miratuar dhe testuar me sukses një metodologji monitorimi të bazuar në rrezik për pasqyrat financiare. Në total janë analizuar 14 pasqyra financiare, dy herë më shumë se objektivi minimal i parashikuar, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më të strukturuar dhe të qëndrueshëm të mbikëqyrjes së raportimit financiar.
Nga ana tjetër, Bordi i Mbikëqyrjes Publike ka ushtruar kompetencat e tij përmes komisioneve funksionale dhe aktivitetit të inspektimit. Raporti evidenton se transparenca në raportet vjetore është ruajtur që prej vitit 2017, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 janë realizuar 88 inspektime, që përfshijnë si auditimet e entiteteve me interes publik (PIE), ashtu edhe ato jo-PIE.
Një zhvillim i rëndësishëm i vitit 2025 është edhe përfshirja e POB si vëzhgues në mbledhjet plenare të Komitetit të Organizmave Evropianë të Mbikëqyrjes së Auditimit (CEAOB), çka përfaqëson një njohje institucionale të rolit të tij si autoritet publik mbikëqyrës në Shqipëri.
Banka Botërore vlerëson gjithashtu se projekti ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e kapaciteteve të profesionit të kontabilitetit në vend, duke e afruar atë me praktikat ndërkombëtare. Kontabilistët profesionistë tashmë kualifikohen sipas standardeve të njohura globalisht, duke rritur potencialin për ofrimin e shërbimeve jashtë vendit.
Në kuadër të projektit janë zhvilluar programe trajnimi për eksportin e shërbimeve kontabël për 50 kontabilistë të certifikuar, është pilotuar programi IFRS për një tjetër grup prej 50 profesionistësh dhe janë përgatitur materiale për kontabilitetin forensic, me trajnime pilot ku morën pjesë 57 profesionistë. Po ashtu, është realizuar një program trajnimi për Agjencinë Shqiptare të Mbikëqyrjes Financiare (AFSA), me pjesëmarrjen e punonjësve të saj dhe të kompanive të sigurimeve.
Raporti thekson se me mbështetjen e projektit, Banka e Shqipërisë ka ndërtuar një model për verifikimin e saktësisë së llogaritjeve të humbjeve nga kreditë të realizuara nga bankat tregtare, në përputhje me standardin IFRS 9. Gjithashtu, janë ndërmarrë nisma për forcimin e kapaciteteve në sektorin e drejtësisë për trajtimin e çështjeve që lidhen me kontabilitetin dhe raportimin financiar, duke trajnuar gjyqtarë, prokurorë dhe trajnerë të specializuar.
Megjithatë, Banka Botërore vëren se, ndonëse qëndrueshmëria institucionale është përmirësuar, mbeten sfida të lidhura me burimet njerëzore, veçanërisht në Ministrinë e Financave, NAC dhe POB. Këto kufizime mund të ndikojnë në efektivitetin afatgjatë të institucioneve. Raporti nënvizon gjithashtu nevojën për evolucion të vazhdueshëm të strukturës arsimore për audituesit dhe kontabilistët, si dhe rëndësinë që Organizatat Profesionale të Kontabilistëve të tërheqin profesionistë të rinj për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm të profesionit.
Sa i përket financimit, shpenzimet e realizuara deri më tani arrijnë në rreth 1.4 milionë euro, ose 99% të buxhetit të miratuar. Banka Botërore pret që brenda afatit të lehtësimit, të gjitha aktivitetet e mbetura të përfundojnë dhe të likuidohen.
