Banka Botërore uli të martën parashikimin për rritjen ekonomike globale në vitin 2025 me 0.4 pikë përqindje, duke e çuar në 2.3%, ndërsa paralajmëroi se rritja e tarifave dhe pasiguria e shtuar përbëjnë një pengesë të madhe për shumicën e ekonomive botërore.
Në raportin e saj gjashtëmujor “Perspektivat Ekonomike Globale”, banka uli projeksionet për afro 70% të ekonomive – përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe vendet e Evropës – si dhe për gjashtë rajone të tregjeve në zhvillim. Këto parashikime janë më të ulëta se ato të bëra vetëm gjashtë muaj më parë, përpara se presidenti amerikan Donald Trump të hynte në detyrë. Politikat tregtare të Trump, të shoqëruara me rritje të papritura dhe të njëpasnjëshme të tarifave, kanë rritur normën efektive të tarifave të SHBA-së nga më pak se 3% në nivele dyshifrore – më e larta në gati një shekull – duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Kina dhe vende të tjera.
Banka Botërore është institucioni më i fundit që ul parashikimet për rritjen si pasojë e këtyre politikave të paqëndrueshme, edhe pse zyrtarët amerikanë vazhdojnë të këmbëngulin se efektet negative do të kompensohen nga një rritje e investimeve dhe nga uljet e pritshme të taksave.
Edhe pse banka nuk parashikon një recesion global, ajo nënvizon se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë më e dobëta jashtë një recesioni që nga viti 2008. Deri në vitin 2027, rritja mesatare e Prodhimit të Brendshëm Bruto në shkallë globale pritet të jetë vetëm 2.5%, ritmi më i ngadaltë për çdo dekadë që nga vitet 1960.
Raporti parashikon gjithashtu që tregtia globale do të rritet me vetëm 1.8% në vitin 2025 – një rënie nga 3.4% në 2024 dhe shumë më pak krahasuar me mesataren 5.9% gjatë viteve 2000. Këto vlerësime bazohen në tarifat aktuale deri në fund të muajit maj, përfshirë një tarifë 10% të SHBA-së mbi shumicën e importeve, dhe nuk përfshijnë rritjet e reja të shpallura në prill që janë shtyrë për në 9 korrik për të lejuar bisedime të mëtejshme.
Sipas Bankës Botërore, inflacioni global pritet të arrijë në 2.9% në vitin 2025, duke mbetur mbi nivelet para pandemisë së COVID-19, për shkak të tarifave më të larta dhe tregjeve të punës që mbeten të ngjeshura.
“Rreziqet për perspektivën ekonomike globale mbeten të qarta dhe në kah të rënies,” thuhet në raport. Modelet e bankës sugjerojnë se një rritje tjetër prej 10 pikësh përqindje në tarifat mesatare të SHBA-së, e shoqëruar me masa të ngjashme kundërpërgjigjeje nga vendet e tjera, mund të ulë edhe më 0.5 pikë përqindje shtesë parashikimin për vitin 2025.
Një përshkallëzim i tillë i barrierave tregtare, paralajmëron raporti, “do të çonte në një ngërç të tregtisë globale në gjysmën e dytë të vitit … i shoqëruar me një rënie të besimit, rritje të pasigurisë dhe trazira në tregjet financiare.”
Megjithatë, banka thekson se rreziku i një recesioni global mbetet nën 10%.
“Si mjegull në një pistë avionësh”
Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë duke u takuar këtë javë në Londër për të zbutur tensionet tregtare që tashmë kanë kaluar përtej tarifave, duke përfshirë edhe kufizime për mineralet e rralla, me potencialin për të tronditur zinxhirët globalë të furnizimit dhe për të ngadalësuar rritjen ekonomike.
“Pasiguria mbetet një pengesë e fuqishme, si mjegull në një pistë avionësh. Ajo ngadalëson investimet dhe errëson perspektivën,” tha për Reuters zëvendësshefi i ekonomisë në Bankën Botërore, Ayhan Kose.
Megjithatë, ai vëren se ka sinjale për një rritje të dialogut në lidhje me tregtinë që mund të ndihmojnë në uljen e pasigurisë, ndërsa zinxhirët e furnizimit po përshtaten me hartën e re të tregtisë globale, jo po shemben. Sipas tij, tregtia globale mund të përjetojë një rimëkëmbje modeste në vitin 2026 me një rritje prej 2.4%, ndërsa zhvillimet në inteligjencën artificiale mund të kontribuojnë gjithashtu në rritje ekonomike.