Gent Sejko

Banka e Shqipërisë jep miratimin për licensimin e “JET Bank”, bankës së parë plotësisht digjitale

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka hapur rrugën për një zhvillim të ri në tregun financiar shqiptar. Në mbledhjen e datës 3 dhjetor 2025, institucioni bëri të ditur se ka dhënë miratimin paraprak për licencimin e “JET Bank”, një bankë e re që synon të funksionojë tërësisht në mënyrë digjitale.

Ky vendim, që përfaqëson fazën e parë të procesit të licencimit, i mundëson “JET Bank” të vijojë përgatitjet për hyrjen në treg si një institucion financiar i pavarur. Sipas dokumentit zyrtar, banka e re ka në qendër të misionit të saj prezantimin e një modeli shërbimi që largohet nga format tradicionale, duke u mbështetur në teknologji të avancuar dhe në një eksperiencë të thjeshtuar, të sigurt dhe maksimalisht të orientuar drejt klientit.

JET Bank” pritet të pozicionohet si pionierja e bankingut plotësisht digjital në Shqipëri, një hap i rëndësishëm në transformimin e tregut financiar dhe në nxitjen e inovacionit në sektorin bankar. Modeli i saj operativ parashikon mungesë të degëve fizike dhe ofrim shërbimesh përmes platformave inteligjente digjitale, duke synuar efikasitet më të lartë dhe akses më të gjerë për qytetarët.

Gjatë së njëjtës mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës u informua edhe për çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë. Ky zhvillim pritet të sjellë dinamika të reja në konkurrencën bankare dhe të nxisë adoptimin e modeleve moderne të shërbimeve financiare në vend.

Kujtojmë se pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë i dha dritë jeshile edhe hyrjes së Bankës turke Ziraat. Me dhënien e miratimit paraprak për JET Bank dhe Ziraat, vitin e ardhshëm pritet që numri i bankave tregtare në vend të arrijë në 13.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top