“Banorët” më të rinj në Shqipëri: Shpërngulja e 100,000 shpendëve uji në tokën shqiptare

Edhe pse temperaturat janë ulur ndjeshëm, kjo nuk i ka penguar disa lloje kafshësh dhe shpendësh të gjejnë habitatin e tyre jetësor në këto kushte atmosferike.

Në një afërsi të vetme me qytetin e Korçës, në një pyll të quajtur pylli i fazanëve, ku është caktuar si monument natyror, shtrihen sheshime prej 50 hektarësh, ku gëzohen sorkadhet, lepujt e egër dhe fazanët, të cilët gjejnë këtu strehim gjatë stinës së ftohtë.

Ky është një habitat i veçantë për shpendët migratorë, sidomos ata që kthehen në 33 ligatinat shqiptare çdo vit, kjo është dhe periudha e përshtatshme për të kuptuar se sa është numri i këtyre banorëve sezonalë.

Censusi i Shpendëve Ujorë Dimërues, i zhvilluar në datat 13-14 janar, tregoi se këtë vit rreth 100 mijë shpendë uji dimërojnë në këto ligatina nga veriu në jug të vendit. Ndryshimet klimaterike kanë sjellë uljen e numrit të shpendëve dimërores në të gjithë Mesdheun, duke përfshirë Shqipërinë.

Ekspertët thonë se ka ulje ulje të numrit të tyre krahasuar me vitet e mëparshme, për shkak të ndryshimeve klimaterike të cilat nuk kanë prekur vetëm Shqipërinë.

“Përgjithësisht me ndryshimet klimaterike ka një ulje të numrit të popullatës së përgjithshme të shpendëve dimërues, nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Mesdheun”, thotë Spase Shumka, profesor Universiteti Bujqësor.

Profesor Shumka thotë se rritja e temperaturave nuk është faktori i vetëm që disa shpendë po rrezikojnë zhdukjen në Liqenin e Pogradecit. “Ka të dhëna të sakta për disa shpendë që ushqehen në pjesën e bregut të Liqenit me rërë, janë shpendë sqepgjatë të cilat pothuajse po rrezikohen. Në Pogradec kemi parë një specie të tillë, quhet “Galinago galinago” tani pothuaj nuk e kemi ndeshur vitet e fundit. Ndërtimet e fundit, platformat do ta cënojnë këtë gjë, është një element shumë negativ është zonë UNESCO dhe këto gjëra janë kundër shëndetshmërisë së ekosistemit”, thekson ai.

Gjatë vëzhgimit, në Liqenin e Ohrit është konstatuar një specie e re.

“Zakonisht shohim në Liqenin e Ohrit rreth 25-27 lloje, sivjet kemi një specie të re, bëhet fjalë për Gjelëzën Sqephollë të cilën e kemi parë në afërsi të Tushemishtit, nuk e kishim parë vitet e mëparshme”, vijon Shumka.

Rreth 11 mijë shpendë janë banorë të luginës së Nartës, ndërsa 1 mijë e 300 shpendë janë pjesë e lagunës së Orikumit. Në Butrint regjistrohet një numër i konsiderueshëm prej 3300 shpendë. Këto shifra u publikuan gjatë censit të shpendëve të kryer këtë janar, kryesisht në shpendët ujorë dimëror.

Specialisti i zonave të mbrojtura Vlorë Nexhip Hysenlakoj ka konfirmuar se flamingot, pulëbardhat dhe pelikani kaçurrel janë shpendët më karakteristikë që gjenden në Lagunën e Nartës gjatë stinës së dimrit. Po ashtu edhe rosat apo çafkat e bardha dhe të përhimëta ndeshen shpesh në dimër.

“Në dimër, që vijnë gjatë dimërit, pastaj largohen janë disa lloje rosash, janë çafkat që vijnë dhe pastaj lëvizin në vende të ndryshme në bazë të klimës. Ato që janë gjithmonë janë flamingot, pulëbardhat e zakonshme që janë gjithmonë prezente në këto territore. Flamingot kanë habitatin e tyre në kripore për shkak të ushqimit, por edhe laguna të cekëta”, tha specialisti i Zonave te Mbrojtura.

Shqetësues për Hysenlakon shihet gjuetia e paligjshme e shpendëve nga banorët e zonës.

“Gjithmonë ka një konflikt midis popullatave të shpendëve dhe çdo lloj aktiviteti njerëzor. Por mbi të gjitha ajo që ndikon direkt është vrasja fizike dhe zhurmat, prishja e habitatit. Sigurisht që po, ne themi se jemi në kushte të mira sa i takon këtij aktiviteti, por gjithsesi nuk është se nuk kemi raste, apo ekziston edhe gjuetia e paligjshme në zonë”, shton Hysenlakoj.

Tufa të shumta shpendësh kanë imigruar edhe në Liqenin e Fierzës, ndërsa një grup studiuesish së bashku me Administratën Rajonale te Zonave të Mbrojtura, ka bërë numërimin e tyre në pesë pika monitorimi në kuadër të Censit Ndërkombëtar të Shpendëve Dimërorë Ujorë.

“Procesi ka shkuar mirë dhe kemi pasur pesë pikë monitorimi. Nga përfundimi i numërimit ne kemi 1626 individë të 11 specieve”, tregoi Gjana.

Kreu i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Lefter Gjana, tha se ka një rritje të numrit të individëve dhe specieve, krahasuar me vitin e kaluar dhe përkëtë ka ndikuar edhe moratoriumi i gjuetisë.

“Jemi në moratoriumin e gjuetisë dhe kjo normalisht ka sjell një ndikim pozitiv. Po ta krahasojmë me një vit të parë kemi rritje edhe të individëve dhe specieve. Në vitin 2023 kemi pasur 10 lloje ndërsa për këtë vit 11 lloje. Në vitin 2023 kemi pasur 1399 individë. Varet edhe nga klima”, tregoi Gjana.

Ndonëse në Kukës dimrat e viteve të fundit janë të butë, Liqeni i Fierzës në sezonin dimëror, gjithnjë e më shumë po pasurohet me shpendët e egër, duke ndikuar pozitivisht edhe për sektorin e turizmit ujor. Ndërkohë që tjetër sfidë për këtë liqen është edhe pastrimi tij. Ky habitat për shpendët ujorë mbulohet nga mbetjet plastike që sjellin lumenjtë. Dy projekte të rëndësishme pritet të implementohen së shpejti në qarkun e Kukësit. Nëpërmjet një anije do të mblidhen dhe riciklohen mbetjet në sipërfaqen e Liqenit si dhe do të vendosen dy prita në lumenjtë Drini i Bardhe dhe Drin i Zi.

Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” mbetet ligatina më e madhe në Shqipëri, me rreth 51,000 individë të shpendëve ujorë dimëror dhe rreth 500 çifte folenizues. Në këtë zonë, 89 specie të ndryshme janë të kërcënuara, përfshirë disa në kategorinë e rrezikut kritik. Ishulli i Kularit dhe kompleksi Divjakë-Karavasta janë qendra të pasura në shpërndarjen e shpendëve dhe gjitarëve, duke kontribuar në mbrojtjen e biodiversitetit në Shqipëri.

shqiptarja.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top