BashkimiEuropian

Bashkimi Europian synon të ulë barrierat për kompanitë e mesme dhe të nxisë investimet

Bashkimi Europian prezantoi një paketë të re masash për të ulur barrën burokratike për kompanitë e mesme dhe për të thjeshtuar tregtimin e mallrave në të gjithë BE-në, si pjesë e përpjekjeve për të rivalizuar SHBA-në dhe Kinën në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik.

Synimi është të bëhet më e lehtë të bësh biznes në 27 shtetet anëtare dhe të tërhiqen më shumë investime, veçanërisht në një kohë kur SHBA ka adoptuar politika proteksioniste si “America First”.

Paketa e re vjen pas njoftimeve të mëparshme të BE-së për thjeshtimin e rregullave mjedisore për fermerët dhe bizneset, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike.

Komisioni Europian synon që kompanitë e mesme të përfitojnë nga disa përjashtime ligjore – përfshirë ato për mbrojtjen e të dhënave – që më parë aplikoheshin vetëm për ndërmarrjet e vogla, duke lehtësuar kështu ngarkesën administrative.

“Qëllimi është të ndihmohen bizneset e vogla dhe të mesme të rriten,” – tha komisioneri për industri i BE-së, Stéphane Séjourné.

Për këtë qëllim, BE ka krijuar një kategori të re biznesesh, të quajtur “ndërmarrje të mesme të vogla” (small mid-caps), që përfshijnë kompani me 250 deri në 750 punonjës dhe që kanë ose deri në 150 milionë euro të ardhura vjetore, ose deri në 129 milionë euro në pasuri totale.

Sipas Komisionit, rreth 38,000 kompani në BE përmbushin këto kritere.

Propozimet duhet ende të miratohen nga Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare përpara se të hyjnë në fuqi.

“Kjo paketë do të kursejë rreth 400 milionë euro nga kostot e të bërit biznes në BE,” – deklaroi komisioneri për ekonominë, Valdis Dombrovskis.

Përballë rritjes së ngadaltë ekonomike, dy raporte të rëndësishme nga ish-kryeministra italianë vitin e kaluar kanë ngritur alarmin se Europa duhet të përmirësojë funksionimin e tregut të përbashkët për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e tij ekonomik.

Ndër masat e tjera të propozuara janë:

  • Njohje më e shpejtë e kualifikimeve profesionale mes shteteve anëtare, për të lehtësuar lëvizshmërinë e punëtorëve.

  • Mundësia për të dorëzuar dokumentet online, në vend të procedurave të gjata me letra.

  • Etiketim i përbashkët për produktet, në mënyrë që kompanitë të mos kenë nevojë të përdorin etiketa të ndryshme në çdo shtet.

  • Zëvendësimi i manualeve të printuara me versione digjitale, duke reduktuar kostot dhe konsumin e letrës.

France24

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top