Ervin Skënderi

Bashkohuni me iniciativën personale të ‘off road elbasan es’ dhe Ervin Skënderi për pyjet tona!

 

Shqipëria po përballet çdo vit me pasojat e zjarreve që shkatërrojnë pyjet, sidomos temperaturat ekstreme të kësaj vere kanë lënë pasoja të mëdha në të gjithë vendin.

Por ka individë dhe grupe që nuk presin vetëm ndërhyrjen e institucioneve, por e marrin vetë iniciativën për të mbrojtur natyrën. Njëri prej tyre është Ervin Skënderi, i lindur dhe i rritur në qytetin e Elbasanit, Ervini ka shpërndarë energjinë e tij të pakufishme dhe dashurinë për natyrën nëpër male, lugina dhe shtigje të pashkelura. Me një pasion të thellë për makinat dhe motorët, ai ka bërë të mundur që njerëzit të ndiejnë adrenalinën e off road dhe të zbulojnë natyrën e mahnitshme të Elbasanit dhe rrethinave.

Së fundmi ka ndërmarrë një aksion të veçantë: mbjelljen e fidanëve në zonën e Gramshit, aty ku dëmet në sipërfaqet pyjore kanë qenë të mëdhaja.

Motoja e tij “Ruaj natyrën, mbro malin” nuk është thjesht një slogan më, por vënja në lëvizjeje e një komuniteti për të mbjellë shpresë dhe jetë të re. Çdo fidan i mbjellë është një akt simbolik dhe praktik për një të ardhme më të qëndrueshme, një shpërblim që natyra vetë na e jep kur i kthehet gjelbërimi i humbur.

Për Ervinin, kjo nuk është një ndërhyrje e rastësishme, por një hap i menduar drejt ndërtimit të një modeli të ri solidariteti mjedisor. Ai vetë thotë: “Nuk është nisma ime e parë dhe nuk do të jetë as e fundit”, duke na treguar se deri tani ka arritur të mbledhë mbi 2400 fidanë. Një numër që nuk mbetet thjesht statistikë, por dëshmi e një përkushtimi personal që shndërrohet në shembull për të tjerët.

Ai është i njohur për guximin dhe pasionin për rrugët e egra dhe sfidat ekstreme, por nuk është ndalur vetëm te gara. Ai ka ditur të shohë përtej këtij pasioni, duke e ruajtur natyrën si pjesë të shpirtit të tij. Kjo nismë tregon se edhe njerëzit që kërkojnë adrenalina dhe sfida, mund të jenë ata që i japin më shumë jetë mjedisit, duke i kthyer makinat nga mjet gare në mjete që i vijnë në ndihmë zonave dhe terrenve të vështira për tu kthyer gjelbërimin këtyre pyjeve.

Çdo fidan i mbjellë është një hap drejt një të ardhmeje më të gjelbër, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për ne dhe brezat që vijnë.

Bashkohuni edhe ju në këtë nismë bashkë me Ervin Skënderin dhe off_road_elbasan_es, sepse pyjet janë frymëmarrja jonë!

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top