Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mbrojti një qasje pragmatike. “Ne do të jemi pragmatikë, por do t’u përmbahemi gjithmonë parimeve tona,” tha ajo. Ajo beson se prioriteti kryesor tani është të diskutohen interesat e përbashkëta mes SHBA-së dhe BE-së, duke shtuar se ata do të jenë të hapur për negociata.
“Strategjitë e dyfishta” në çështjet tregtare
Komisioneri i Tregtisë së BE-së Marosh Shevçoviç theksoi në një fjalim, se BE-ja është tashmë importuesi më i madh i gazit natyror të lëngshëm amerikan. Rreth 50 për qind e gazit LNG në BE, tha ai, vjen nga SHBA. Megjithatë, sipas tij, Bashkimi Evropian është i gatshëm të zgjerojë këtë bashkëpunim strategjik me administratën e re të Trump. “Në të njëjtën kohë ne jemi gjithashtu të gatshëm të mbrojmë interesat tona legjitime nëse është e nevojshme,” tha ai.
Kjo qasje është ndoshta ajo që Bernd Lange, kryetar i Komitetit të Tregtisë, e quan një “strategji të dyfishtë”. Sipas këtij socialdemokrati, BE-ja duhet të negociojë aty ku është e mundur dhe të mbrohet nga sulmet aty ku është e nevojshme.
Komisionieri i BE për marrëdhëniet ndërinstitucionale, Maros SefcovicFotografi: Virginia Mayo/AFP/Getty Images
Dejvid McAllister, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, theksoi në një intervistë për DW, se Komisioni Evropian është më i përgatitur për mandatin e dytë të Trumpit. Përveç kësaj, këtë herë ata kanë qenë shumë herët në kontakt me qeverinë e re dhe e kanë bërë të qartë se tarifat dhe kundërtarifat doganore do të sjellin një situatë ku të dyja palët janë në humbje, tha ky kristiandemokrat.
Uniteti evropian
Ka një marrëveshje mes europarlamentarëve se duhet të parandalohet një përshkallëzim i konfliktit tregtar me Donald Trumpin. Spanjolli Francisco José Millán Mon thekson se nga një luftë tregtare nuk do të përfitonte askush. Përkundrazi, BE-ja duhet të përpiqet për marrëdhënie tregtare me SHBA-në, thotë ky politikan nga Partia Popullore Evropiane Konservatore. Përveç kësaj, ai beson se, evropianët duhet të veprojnë së bashku, në vend që të përpiqen të gjejnë marrëveshje individuale me Uashingtonin.
Deputetja e të Gjelbërve, Anna Cavazzini, gjithashtu beson se “Evropa e bashkuar” duhet të jetë përgjigjia ndaj politikës “Ta bëjmë Amerikën prapë të madhe”. Cavazzini i bën thirrje Komisionit Evropian të përdorë mundësitë që ka në dispozicion falë Aktit të Shërbimeve Digjitale.
Veçanërisht në kontekstin e afërsisë së Trumpit me Elon Musk, pronar i Platformës X, u tha se edhe kompanitë e mëdha duhet të respektojnë rregullat evropiane. Ligji i Shërbimeve Digjitale parashikon që duhet të merren masa kundër përmbajtjeve që janë në kundërshtim me ligjin, nën kërcënimin e gjobave.
Kritika dhe lëvdata për Donald Trump
Fjalë të qarta për Groenlandën u dëgjuan në Parlamentin Evropian, veçanërisht nga deputetë danezë, si Stine Bosse. Ai vuri në dukje se e ardhmja e Groenlandës mund të përcaktohet vetëm nga vetë groenlandezët. Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për “sigurinë ndërkombëtare”.
Flamujtë e vendeve të BE Fotografi: Yves Herman/REUTERS
Socialdemokrati Vytenis Povilas Andriukaitis kritikoi vendimin e Trump për të pezulluar Marrëveshjen e Parisit për Klimën, duke e quajtur atë “një turp”. Deputeti lituanez shpreh keqardhje që Ukraina nuk u përmend në fjalimin hyrës të Trumpit.
Lavdërimet për lëvizjet e para të DonaldTrump në pushtet erdhën kryesisht nga kampi i ekstremit të djathtë. Për shembull, Christine Anderson, anëtare e Alternativës për Gjermaninë (AfD), e cila është klasifikuar si ekstremiste e krahut të djathtë nga Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës, vlerësoi fjalimin inaugurues të Trump si “një frymë e re freskuese”. Ajo tha se Trump po rivendos sigurinë e vendit, duke mbyllur kufirin dhe duke deportuar të gjithë emigrantët e paligjshëm.
Në fund të debatit në Parlamentin Evropian, Komisioneri i Tregtisë Shevçoviç shprehu bindjen se nuk ka probleme mes dy partnerëve të ngushtë si SHBA-ja dhe Evropa që nuk mund të zgjidhen në mënyrë miqësore dhe bashkëpunuese.
DW