fëmijë online

BE kërkon shpjegime nga Apple, Google, YouTube dhe Snapchat për mbrojtjen e fëmijëve online

Komisioni Europian ka kërkuar informacion nga Apple, Snapchat, Google dhe YouTube, mes shqetësimeve se këto platforma nuk po mbrojnë mjaftueshëm fëmijët në internet.

Nënkryetarja e Komisionit Europian, Henna Virkkunen, deklaroi të premten se ekzekutivi i BE-së i ka dërguar kërkesa zyrtare për informacion katër platformave ,Snapchat, YouTube, Apple Store dhe Google Play  për të hetuar se çfarë masash po ndërmarrin për mbrojtjen e të miturve online.
Deklaratat u bënë gjatë një takimi të ministrave të BE-së për telekomunikacionin në qytetin danez të Horsens.

Legjislacioni i BE-së thotë qartë se kur të miturit përdorin shërbime online, duhet të garantohet një nivel shumë i lartë privatësie, sigurie dhe mbrojtjeje. Ky, për fat të keq, nuk është gjithmonë rasti, theksoi Virkkunen.

Çfarë mund të ndodhë më pas?

Pas shqyrtimit të informacionit të kërkuar, nëse komisioni dyshon për shkelje të Aktit për Shërbimet Dixhitale (DSA), ai mund të hapë hetime formale ndaj kompanive.
Në rast se konstatohet shkelje, kompanitë mund të përballen me gjobë deri në 6% të të ardhurave të tyre globale.

DSA detyron platformat të heqin menjëherë përmbajtjen e paligjshme dhe t’u japin përdoruesve mundësinë për ta raportuar atë. Platformat e mëdha, si Google apo Apple, i nënshtrohen rregullave më të rrepta sesa ato më të vogla.

Bota online është pjesë e përditshmërisë sonë. Edhe fëmijët kanë të drejtë të kenë qasje në informacion dhe të komunikojnë me miqtë e tyre,- tha Virkkunen dhe shërbimet online kanë përgjegjësi të sigurojnë mbrojtjen e tyre.

Çfarë po kërkon saktësisht BE-ja?

Komisioni Europian dyshon se kufizimet e moshës për fëmijët në YouTube janë shumë të lehta për t’u anashkaluar dhe se algoritmet e platformës mund të shkaktojnë varësi tek të miturit.
BE-ja gjithashtu dëshiron të sqarojë nëse fëmijët mund të kenë qasje në aplikacione bastesh apo kazino online përmes Apple Store dhe Google Play.

Në rastin e Snapchat, Komisioni dyshon se platforma nuk po zbaton mjaftueshëm kufirin e moshës 13 vjeç dhe se përdoruesit e rinj mund të blejnë drogë në rrjet.

Këto nuk janë kërkesat e para nga Brukseli. Komisioni është duke hetuar gjithashtu Meta-n (Facebook dhe Instagram) si dhe TikTok-un, për mënyrën se si platformat e tyre mund të ndikojnë në sjelljen dhe varësinë e fëmijëve ndaj rrjeteve sociale.

Tensionet BE–SHBA mbi rregullat dixhitale

Akti për Shërbimet Dixhitale ka krijuar tensione mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, pasi disa kompani amerikane e kanë cilësuar legjislacionin europian si kufizues dhe anti-konkurrues.

dw.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top