ndotje

BE synon të frenojë ndotjen plastike me rregulla të reja

Plastika mund të përfundojë në mjedis në shumë mënyra. Mbetjet e keqmenaxhuara, si shishet apo qeset njëpërdorimëshe, janë burim i njohur ndotjeje, por ekziston edhe një burim tjetër më i vogël dhe më i fshehtë: “nurdles” ,kokrrizat e vogla plastike që përdoren si lëndë e parë për prodhimin e plastikës. Dhjetëra miliona prej tyre përfundojnë çdo vit në det pas aksidenteve gjatë transportit.

Çfarë janë “nurdles”?

Emri mund të tingëllojë i pafajshëm, por këto kokrriza nuk janë aspak të padëmshme. Me madhësinë e një thjerrëze, ato janë “blloqet ndërtuese” të industrisë plastike dhe shkrijnë për t’u kthyer në produkte si shishe uji, qese apo ambalazhe ushqimore.

Megjithatë, shumë prej tyre përfundojnë në mjedis. Sipas Komisionit Evropian, në vitin 2019 në BE janë humbur në natyrë midis 52,000 dhe 184,000 tonë kokrriza plastike që përkthehet në rreth 2,100 deri në 7,300 kamionë të mbushur plot. Pas pluhurit të gomave, “nurdles” janë burimi i dytë më i madh i mikroplastikës në oqeane, shpesh si pasojë e derdhjeve gjatë transportit detar.

Një nga aksidentet më të rënda ndodhi në vitin 2021, kur anija X-Press Pearl u mbyt pranë brigjeve të Sri Lankës, duke derdhur 1,680 tonë kokrriza plastike në det. Derdhje të ngjashme janë regjistruar edhe në Europë, në Detin e Veriut, në brigjet e Spanjës dhe Francës.

Edhe pse këto kokrriza nuk janë toksike, ato mund të jenë vdekjeprurëse për jetën detare nëse gëlltiten. Pastrimi i tyre është i vështirë dhe i kushtueshëm, shpesh duke rënë mbi shpatullat e komuniteteve lokale.“Ashtu si mikroplastikat e tjera, ato degradojnë habitatet, transportojnë specie invazive dhe futen në zinxhirin ushqimor përmes organizmave detarë,” shpjegon Lucie Padovani, zyrtare pranë organizatës Surfrider Foundation Europe.

Pastrimi i tyre është jashtëzakonisht i vështirë dhe i shtrenjtë, ndaj parandalimi është qasja më e mirë mjedisore dhe ekonomike.

Çfarë po propozon Komisioni Evropian?

Aktualisht nuk ekzistojnë rregulla të plota ndërkombëtare për trajtimin dhe rimëkëmbjen e këtyre ndotjeve “aksidentale”. Në vitin 2023, BE ndaloi përdorimin e mikroplastikave që shtohen me qëllim në kozmetikë dhe produkte të tjera. Tani, Parlamenti Evropian po voton për rregulla më të rrepta që synojnë të parandalojnë ndotjen nga “nurdles”.

Sipas propozimit, të gjitha kompanitë evropiane dhe operatorët transportues, përfshirë edhe ato jashtë BE-së, do të duhet të zbatojnë standarde të sigurta për ruajtjen, përpunimin dhe transportimin e kokrrizave plastike.
Zbatimi i plotë pritet të ndodhë brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Komisioni synon që këto masa të çojnë në një ulje prej 54% deri në 74% të humbjeve të “nurdles” në mjedis, duke kontribuar në objektivin e përgjithshëm të BE-së për uljen me 30% të mikroplastikave deri në vitin 2030.

A mjafton kjo?

Padovani thekson se rregullat e reja janë një hap i rëndësishëm dhe i vonuar drejt zgjidhjes së problemit.“E mirëpresim këtë propozim, pasi tregon që BE po e pranon më në fund nevojën për masa detyruese që mbulojnë të gjithë zinxhirin e vlerës,” – shprehet ajo.

Ajo shton se ndotja nuk kufizohet vetëm në zonat industriale. Kokrrizat plastike janë gjetur edhe në zona të mbrojtura dhe natyrore, si Ishujt Balearikë.
Padovani kërkon që edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përpunojnë më pak se 1,500 tonë në vit, të përfshihen në rregullat e reja, pasi aktualisht për ta parashikohen kërkesa më të lehta.“Kjo është një masë e domosdoshme dhe e vonuar, veçanërisht ndërsa përqendrimi i mikroplastikave vazhdon të rritet në ujërat evropiane,” – shton ajo.

Kjo duhet të jetë pjesë e një ndryshimi më të gjerë sistemik, pasi plastikat njëpërdorimëshe ende përbëjnë rreth 50% të mbetjeve të gjetura në plazhet e BE-së ,mbetje që përfundimisht shndërrohen në mikroplastikë dhe nanoplastikë.”

euronews.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top