BE-ja do të propozojë rregulla për qiratë afatshkurtra për të përballuar “krizën sociale” të strehimit
Plani i parë për strehimin e përballueshëm në BE do të trajtojë çështje si të drejtat e qiramarrësve, spekulimet me prona dhe qiratë turistike
Komisioni Europian pritet të propozojë rregulla për të kufizuar qiratë afatshkurtra përmes platformave si Airbnb dhe Booking.com, në përpjekje për t’u përballur me “krizën sociale” që po prek qytetarët që nuk arrijnë të përballojnë një shtëpi, ka thënë komisioneri i parë i BE-së për strehimin.
Dan Jørgensen ka thënë se, ka ardhur koha që politikëbërësit në Bruksel ta marrin seriozisht problemin e strehimit, përndryshe rrezikojnë t’u lënë terren populistëve kundër BE-së, të cilët, sipas tij, “nuk kanë zgjidhje reale për mungesën e banesave të përballueshme”.
“Nëse ne, si politikëbërës, nuk e marrim seriozisht këtë problem dhe nuk e pranojmë si një çështje sociale që kërkon veprim, atëherë populistët anti-BE do të fitojnë,” tha ai, duke shtuar se deri tani Brukseli “nuk ka arritur të ofrojë zgjidhje” për disa nga aspektet kryesore të krizës së strehimit.
Jørgensen, një socialdemokrat danez, është ngarkuar të hartojë planin e parë të BE-së për strehimin e përballueshëm, i cili pritet të publikohet në dhjetor, më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht (2026), për shkak të urgjencës së situatës.
Tradicionalisht, Brukseli është përmbajtur nga ndërhyrja në politikat e strehimit, por Jørgensen këmbënguli se kjo është një çështje që i përket vetë BE-së.
“Plani i ardhshëm për strehimin do të përfshijë fusha ku është e qartë që [strehimi] është përgjegjësi europiane dhe ku kemi dështuar deri tani. Një prej këtyre fushave është qiraja afatshkurtër, ku ne kemi nevojë për më shumë rregulla në nivel europian,” tha ai.
Qiratë afatshkurtra përmes platformave si Airbnb janë rritur ndjeshëm në qytetet europiane vitet e fundit dhe shpesh janë fajësuar për rritjen e qirave, zhvendosjen e banorëve vendas nga qendrat historike dhe kthimin e lagjeve në zona turistike.
Jørgensen tha se qiratë afatshkurtra janë “një problem i madh në shumë qytete”, por nuk përmendi platforma të veçanta apo detaje konkrete për rregullat e reja.
Sipas të dhënave të Eurostat, mes viteve 2010 dhe 2023 çmimet e shtëpive në BE u rritën me 48%, ndërsa qiratë me 22%, në një kohë kur inflacioni u rrit me 36%. Në disa vende rritja ishte edhe më e fortë: në Estoni qiratë u rritën me 211%, në Lituani me 169%, dhe në Irlandë me 98%.
Në vitin 2023, pothuajse 9% e popullsisë së BE-së shpenzonte 40% ose më shumë të të ardhurave të veta për banesën, përfshirë 29% të popullsisë në Greqi, 15% në Danimarkë dhe 13% në Gjermani.
Komisioneri tha se plani i ri do të trajtojë edhe “financiarizimin” e strehimit, pra mënyrën si banesat trajtohen thjesht si mall për investim e jo si e drejtë sociale.
“Kur banesat kthehen në mallra për spekulim financiar, pa marrë parasysh ndikimin në shoqëri, atëherë kjo krijon probleme serioze,” tha ai.
Ai nuk dha detaje për politikat që po shqyrtohen, por tha se Komisioni po studion mënyrat se si shtetet anëtare kanë përpjekur ta kufizojnë këtë fenomen, për shembull përmes detyrimit që zhvilluesit të ndërtojnë një përqindje të caktuar banesash të përballueshme.
Komisioni Europian mund të frymëzohet nga disa ide më radikale, si ajo e Spanjës, e cila po planifikon një taksë 100% mbi vlerën e pronave të blera nga banorë jashtë BE-së, apo nga propozimi i disa eurodeputetëve socialistë për ndalimin e blerjeve të pronave nga të huajt.
Po ashtu, Komisioni po shqyrton mënyra për të forcuar të drejtat e qiramarrësve dhe për të lehtësuar rregullat e ndihmës shtetërore, në mënyrë që qeveritë të mund të subvencionojnë më lehtë kompanitë e ndërtimit ose t’u ofrojnë atyre lehtësime tatimore.
Posti i ri i komisionerit për strehimin u krijua nga Ursula von der Leyen në vitin 2024, për të siguruar mbështetjen e socialistëve në Parlamentin Europian, që ishte thelbësore për mandatin e saj të dytë si presidente e Komisionit Europian.