Besjana Guri është një prej zërave më të fuqishëm të aktivizmit mjedisor në Shqipëri dhe Evropë, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës LUMI dhe fituese e Çmimit Mjedisor Goldman 2025 për Evropën, një nga vlerësimet më prestigjioze në botë për mbrojtjen e mjedisit.
Që prej vitit 2014, ajo është e angazhuar në fushatën ndërkombëtare “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, ku ka luajtur rol vendimtar në shpalljen e Vjosës Park Kombëtar dhe vijon të mbetet një figurë kyçe në përpjekjet për ruajtjen e ekosistemeve ujore. Përmes punës së saj, ajo gjithashtu ka treguar se mbrojtja e lumenjve nuk është vetëm një sfidë mjedisore, por një betejë shoqërore, kulturore dhe politike. Në intervistë për VASPAS, Besjana Guri ndalet tek zhvillimet e Forumit Ndërkufitar të Lumenjve, i mbajtur në shtator, në Janinë, organizuar nga organizata mjedisore MedINA në bashkëpunim me Euronatur dhe EcoAlbania si pjesë e Fushatës ‘Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës’. Ajo thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar, fuqinë e komuniteteve lokale dhe rolin e grave në menaxhimin e qëndrueshëm të basenit të lumit Aoos/Vjosa.
Forumi Ndërkufitar i Lumenjve theksoi bashkëpunimin ndërkufitar për basenin e lumit Aoos/Vjosa. Bazuar në përvojën tuaj me fushatën e Vjosës, pse është kaq I rëndësishëm bashkëpunimi ndërkufitar për mbrojtjen e lumenjve?
Lumenjtë nuk njohin kufij shtetëror dhe shpesh here as komunitetet që jetojnë përgjatë tyre. Fushata e gjatë për mbrojtjen e Vjosës na ka mësuar se kërcënimet ndaj lumit, qofshin hidrocentralet, ndotja apo zhvillimi i pakriter, ndikojnë në të gjithë ekosistemin e lumit, nga burimi në Greqi deri në deltën e tij në Shqipëri. Edhe kur Vjosa u shpall park kombëtar në vitin 2023, ne e dinim mbrojtja nuk mund të jetë e plotë pa siguruar një mbrojtje në të dy anët e lumit, po ashtu edhe pjesët e tjera të lëna jashtë kufinjve, siç është dhe delta e Vjosës. Për më tepër, edhe ky forum e përforcoi idenë se ruajtja e ndërkufitare është tepër e rëndësishme. Kjo patjetër kërkon koordinim institucional, shkëmbim të dhënash shkencore, plane të harmonizuara menaxhimi dhe më e rëndësishmja shkëmbim mes komuniteteve në të dyja anët e kufirit. Parku i propozuar Ndërkufitar Aoos/Vjosa përfaqëson jo vetëm mbrojtje ekologjike, por një model se si kombet mund të bashkëpunojnë për të ruajtur trashëgiminë e përbashkët natyrore.
Ju keni folur për rëndësinë e punës së drejtpërdrejtë me komunitetet vendase. Çfarë keni mësuar nga komunitetet e luginës së Vjosës dhe si mund të ndihmojë kjo në menaxhimin ndërkufitar të lumenjve?
Komunitetet lokale nuk janë thjesht palë të interesuara, ata janë rojtarët kryesorë të lumenjve. Në fushatën e Vjosës, banorët kanë qenë aleatët kryesor për ruajten e tij dhe na kanë treguar sa i vlefshëm dhe jetik është ky ekosistem për ta. Një nga mësimet kryesore ështe se komunitetet janë forca e çdo fushate mjedisore. Kur lëvizja vjen nga poshtë lart edhe pse është më e vështirë, në fund është ajo më e qëndrueshmja.
Ju theksuat rolin e grave në mbrojtjen e lumenjve gjatë panelit tuaj. Pse është roli i grave thelbësor për ruajtjen e lumenjve dhe çfarë roli duhet të luajnë gratë në menaxhimin e Aoos/Vjosës?
Gratë janë shpesh herë në prapaskenë kur bëhet fjalë për vendimmarrjen në lidhje me të ardhmen e lumit, në prapaskenë në organizimet publike, ndërkohë që janë ato që kanë lidhjen më të fortë dhe të drejtpërdrejtë me ujin. Për më tepër, ato sjellin një perspektivë më ndryshe në mënyrën se si e shohin lumin dhe qasjet për mbrojtjen e tij, një perspektivë që lidh mbrojtjen e natyrës me jetën e përditshme, me shëndetin e fëmijëve, me sigurinë e ushqimit, me kulturën dhe traditën. Prandaj, roli i tyre duhet të fuqizohet më tepër në të dyja anët e kufirit, duke u dhënë zë real në komitetet e menaxhimit, duke i përfshirë në monitorim dhe planifikim, duke i mbështetur në iniciativat e tyre.