Në zemër të Alpeve Shqiptare, në rajonin malor të Kukësit, ka lindur një iniciatë e veçantë që po i sjell prodhimet organike të bjeshkëve shqiptare në tregje të ndryshme. “BIO STANI” Buzëmadhe Kukës, e udhëhequr nga i riu Ardit Lala, ka shfrytëzuar pasurinë e pashuar të këtij krahu malor për të krijuar një model të suksesshëm biznesi ku në finale nxit zinxhirin e aktivitetit tek të gjithë fermerët.
Në një bisedë të veçantë për probizz.al, Ardit Lala na tregon historinë e tij inspiruese, nga fillimet e vështira deri te suksesi i dukshëm që ka arritur duke bashkuar prodhimet e fermerëve të zonës dhe duke i promovuar produktet bio të Kukësit jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufijve të saj.
Ideja e “BIO STANI-t” nuk erdhi menjëherë, por u zgjua gradualisht nga nevoja për vetëpunësim gjatë periudhës së studimeve. Me kalimin e kohës, pëlqyeshmëria e produkteve u rrit dhe kjo i dha Arditit shtysë dhe motivim për të vazhduar dhe zgjeruar veprimtarinë.
“Si fillim vetëpunësim gjatë kohës të studimeve. Ritmi vazhdoi në rritje dhe progres. Duke e parë si risi të veçantë, unike dhe gjithçka aromë bjeshkësh, u krijua pëlqyeshmëri duke më dhënë shtysë dhe motivë çdo vit e më shumë. Si fillim nuk njiheshin shumë, por me kalimin e kohës u kthye në praktikë të rregullt përdorimi i produkteve bio.”- shprehet i riu.
Nisma e Ardit Lalës përqendrohet në grumbullimin dhe tregtimin e produkteve të egra e bimëve medicinale nga alpet e Kukësit. Kukësi, i cili gjeografikisht ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë dhe është i rrethuar nga male, ofron një mjedis ideal për rritjen e bimëve medicinale në mënyrë të egër. Ky rajon është pjesë e Alpeve Shqiptare dhe karakterizohet nga një natyrë e pasur dhe peisazhe malore përrallore.
Sot, nisma e Arditit përfshin familjen e tij dhe banorë të fshatit të tij, duke krijuar kështu një grumbullim të sigurtë të produkteve natyrore. Për shkak të natyrës së produkteve të egra, BIO STANI nuk përdor tokë në kuptimin tradicional të bujqësisë, por i grumbullon produktet nga e gjithë zona malore e Kukësit, e cila shtrihet në një zonë të gjerë.
Gama e produkteve është e qartë: Vetëm nga alpet dhe asgjë tjetër që nuk i përket Alpeve!
Produktet që gjenden tek “Bio Stani”:
Boronicë të egër (njomë/tharë)
Trëndafil të egër (njomë/tharë)
Mjedër të njomë/freskët
Mollë të egra
Shërbelë të egër
Dëllinjë të egër
Çaj mali të egër
Çaj Balsami
Çaj 1000 fletësh
Aguliqe të egër
Kamomil të egër
Salep
Mjaltë bjeshkësh shumëlulesh
Nuk mungon edhe patatja e verdhe tradicionale e Kukësit.
Ajo mban shije autentike dhe plotëson të gjitha vlerat ushqyese. Kërkesa dhe pëlqyeshmëria për këtë produkt ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Bio Stani në këtë rast grumbullon të gjithë prodhimin e bollshëm të fshatit duke ruajtur unitetin, vetëm me farën e verdhe dhe patjetër të cilësisë së parë.
“Ky ka qenë parimi ynë ndaj cilësisë së produkteve, dhe në këtë mënyrë kemi krijuar besim dhe sukses.”- thotë Arditi.
Këtë punë e bën me mjaft pasion.
“Jetojmë në Buzëmadhe, punojmë dhe mbledhim produkte bio medicinale. Çdo veprim dhe bashkëpunim e kryejmë personalisht duke bashkëpunuar prej vitesh me të njëjtët fermerë besnik të fshatit, ku të gjithë e kanë burim të ardhurash mbledhjen e Bimeve Medicinale.”
Procesi i grumbullimit dhe shpërndarjes është i organizuar në mënyrë të përpiktë:
Paraqitje fizike në fshat në bashkëpunim intensiv me grumbulluesit
Përdorimi i mjeteve të ndryshme të përshtatshme të transportit
Bashkëpunim i ngushtë me fermerët e rregullt për shumë vjet
BIO STANI ka ndërtuar një prani të fortë tregtimi në dy kanale kryesore:
Shitjet fizike përmes prezantimit direkt të produkteve
Shitjet online përmes kanaleve digitale për një audiencë më të gjerë
Nisma ka ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e ekonomisë lokale duke krijuar burime të ardhurash për banorët e fshatit që merren me mbledhjen e bimëve medicinale. Kjo ka ndihmuar në ruajtjen e popullsisë në zonën malore dhe në promovimin e vlerave tradicionale.
Nuk mungojnë edhe sfidat, ato janë:
Kushtet e vështira atmosferike gjatë stinës së dimrit
Vështirësitë e lëvizjes në borë dhe akull
Menaxhimin e prodhimit të ndryshueshëm nga viti në vit
Pavarësisht sfidave, BIO STANI ka disa synime të qarta për të ardhmen:
Vazhdim i bashkëpunimit me shqiptarët emigrant në shtete të ndryshme
Eksport i kujdesshëm në tregjet e huaja, duke marrë parasysh ndryshueshmërinë e prodhimit natyral
Ruajtja e cilësisë dhe e natyralitetit të produkteve
Këshillat e Arditit për ata që dëshirojnë të nisin një nismë të ngjashme:
Vërtetësia dhe sinqeriteti janë thelbësore për suksesin
Pastërtia në të gjitha proceset
Mos u frikësoni nga vështirësitë, sepse çdo prodhim nuk është kurrë humbje
I pyetur se pse zgjodhi të marrë pjesë dhe të drejtojë këtë nismë, Arditi shprehet:
“Është nder për mua, në radhë të parë, të promovoj natyrën, bukurinë dhe produktet e bjeshkëve ku kam lindur. Është ndjesi e ngrohtë kur je në kontakt me natyrën çdo kohë. Historia ime personale është krejt ndryshe. Unë kam studiuar për infermeri. Betimi ynë është humanizmi. Ndaj, produktet natyrale e kanë ndërlidhur punën me kënaqësinë profesionale, dobitë dhe uratë që marr nga familjarët për benefitet e produkteve ndaj fëmijëve të vegjël, pleq, asmatikë, diabetikë, gripe, kolle, hipertencion, anemi, viroza, ftohje, më bëjnë të ndihem i plotësuar dhe motivues.”
Nisma e Ardit Lalës, “BIO STANI” Buzëmadhe Kukës, përfaqëson shumë më shumë se një biznes të thjeshtë. Ai është pasqyrim i dashurisë për natyrën shqiptare, për vlerat tradicionale dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore. Nëpërmjet kësaj inicative, Arditi nuk ka krijuar vetëm një burim të ardhurash për vete dhe banorët e tjerë të fshatit, por ka hapur një rrugë të re për promovimin e pasurisë natyrore të Shqipërisë në tregjet vendase dhe ato ndërkombëtare.
Sipas të gjitha treguesve, “BIO STANI” Buzëmadhe Kukës do të vazhdojë të rritet dhe të zhvillohet, duke mbajtur gjallë traditat dhe vlerat autoktone, duke i sjellë në tavolinën e shqiptarëve produkte të shëndetshme dhe të pastra nga natyra e paprekur e alpeve tona.