Zonat e luftës, mikroplastikat dhe ndriçimi rrugor janë ndër kërcënimet në rritje për popullatën e bletëve, paralajmërojnë shkencëtarët
Ekspertët e bletëve kanë hartuar një listë me 12 kërcënimet më urgjente që do të përballen bletët gjatë dekadës së ardhshme. Gjetjet janë publikuar në raportin “Kërcënime dhe mundësi të reja për ruajtjen e pllenuesve globalë”, përgatitur nga Universiteti i Reading në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas shkencëtarëve, rritja e konflikteve dhe luftërave nëpër botë po ndikon negativisht në jetën e bletëve. Për shembull, lufta në Ukrainë ka çuar në reduktimin e shumëllojshmërisë së të mbjellave, duke i lënë bletët pa burime të larmishme ushqimore gjatë gjithë sezonit.
Një tjetër kërcënim shqetësues është ndotja nga mikroplastikat. Studiuesit gjetën grimca mikroplastike në shumicën e kosherëve të bletëve të analizuar në 315 koloni në mbarë Evropën, duke përfshirë materiale sintetike si plastika PET.
Ndriçimi artificial nga dritat e rrugëve ndikon gjithashtu negativisht, pasi është vërejtur se bletët dhe pllenuesit e natës vizitojnë 62% më pak lule në zonat e ndriçuara. Ndërkohë, ndotja e ajrit ndikon në mbijetesën, riprodhimin dhe rritjen e tyre.
Antibiotikët e përdorur në bujqësi janë gjetur brenda kosherëve dhe mjaltit, duke ndikuar në sjelljen e bletëve – përfshirë uljen e kërkimit për ushqim dhe vizitave në lule. Një tjetër rrezik janë përzierjet e pesticideve, të ashtuquajturat “kokteje”, të cilat edhe pse mund të jenë brenda kufijve “të sigurtë” individualisht, kur kombinohen me kimikate të tjera, mund të shkaktojnë efekte të rrezikshme.
Prof. Simon Potts, autori kryesor i raportit, thekson:
“Zbulimi i kërcënimeve të reja dhe mbrojtja e pllenuesve që në fillim është thelbësore për të shmangur rënie të mëtejshme të popullatës së tyre. Kjo nuk është vetëm çështje ruajtjeje të natyrës – pllenuesit janë thelbësorë për sistemet tona ushqimore, qëndrueshmërinë ndaj klimës dhe sigurinë ekonomike. T’i mbrojmë ata, do të thotë të mbrojmë veten.”
Autorët e raportit rekomandojnë disa masa për mbrojtjen e bletëve, përfshirë:
-
ligje më të forta për kufizimin e ndotjes nga antibiotikët,
-
kalimin drejt makinave elektrike për të reduktuar ndotjen e ajrit,
-
krijimin e habitateve të pasura me lule brenda parqeve diellore,
-
kultivimin e të mbjellave me polen dhe nektar të përmirësuar për të ushqyer më mirë bletët.
Dr. Deepa Senapathi, bashkautore e raportit, shton:
“Duhet përfshirja e të gjithëve për të përballuar këto kërcënime. Duhet të ruajmë, menaxhojmë dhe përmirësojmë habitatet natyrore për të krijuar vende të sigurta për pllenuesit. Edhe veprime të thjeshta, si mbjellja e luleve dhe ofrimi i strehave në oborret tona, mund të kenë ndikim të madh. Por është e rëndësishme që veprimet individuale të shoqërohen me politika të forta, që të mund të krijojmë habitatë miqësore për pllenuesit – nga kopshtet dhe fermat deri te hapësirat publike dhe peizazhet e gjera.”