Aksi Librazhd Pogradec

Bllokimi i aksit Librazhd–Pogradec i kushton ekonomisë rreth 1.2 miliardë euro tregti të rrezikuar me Greqinë dhe RMV-në

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Bllokimi i qarkullimit në juglindje të vendit po krijon pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, duke ndikuar në funksionimin e pikave kryesore kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, dy partnerë të rëndësishëm tregtarë për Shqipërinë. Kjo situatë po vështirëson lëvizjen e mallrave dhe zinxhirët e furnizimit në një zonë ku aktiviteti tregtar është veçanërisht intensiv, sidomos me Greqinë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2025 shkëmbimet tregtare me këto dy vende arritën në rreth 117 miliardë lekë (importe dhe eksporte), ose afërsisht 1.2 miliardë euro. Ky volum përfaqëson rreth 9.5% të gjithë tregtisë së jashtme të Shqipërisë, çka tregon peshën e konsiderueshme që ka ky korridor rrugor për ekonominë.

Greqia mbetet partneri më i rëndësishëm rajonal. Shkëmbimet tregtare me të arritën në 94 miliardë lekë, ose rreth 960 milionë euro, duke zënë 7.6% të totalit të tregtisë së vendit. Importet nga Greqia kapën vlerën e 70 miliardë lekëve, duke e renditur atë si partnerin e katërt për importet, pas Italisë, Kinës dhe Turqisë. Mallrat kryesore që hyjnë nga tregu grek janë lëndët djegëse, veshjet, produktet ushqimore të përpunuara nga fruta e zarzavate, plastika dhe frutat e thata.

Ndërkohë, Greqia ka rol edhe më të rëndësishëm për eksportet shqiptare. Ajo renditet partneri i tretë për eksportet, pas Italisë dhe Kosovës, me rreth 24 miliardë lekë ose 7% të totalit. Pjesën më të madhe e zënë artikujt e veshjeve, të lidhura me industrinë fason në jug të vendit, e cila funksionon në bashkëpunim të ngushtë me tregun grek. Pas tyre vijnë produktet bujqësore të përpunuara.

Tregtia e produkteve bujqësore me Greqinë ka një bilanc pothuajse të barabartë, pasi sasia e mallrave që importohen është afërsisht e njëjtë me atë që eksportohet.

Edhe Maqedonia e Veriut ka një rol të rëndësishëm në këtë rajon. Ajo renditet si partneri i shtatë për eksportet shqiptare. Në vitin 2025 drejt këtij tregu u eksportuan rreth 9 miliardë lekë (2.6% e totalit), kryesisht lëndë djegëse dhe produkte bujqësore. Importet nga RMV arritën në 14 miliardë lekë, ose 1.5% të totalit, ku dominojnë lëndët djegëse dhe materialet e ndërtimit, si çimentoja.

Megjithatë, ndikimi i bllokimit zbutet pjesërisht nga fakti se pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme të Shqipërisë realizohet përmes transportit detar, kryesisht në Portin e Durrësit, i cili shërben si nyja kryesore për shkëmbimet me partnerë si Italia, Kina dhe Turqia.

Monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top