Vetëm pak hapa larg Presidio-s së San Franciskos, ,qëndron një ndërtesë e bardhë me tetë kolona gotike. Dikur ishte një kishë e Christian Scientist, por sot ajo shërben si qendra e historisë së internetit: Internet Archive, biblioteka jofitimprurëse ku për gati 30 vite një ekip inxhinierësh dhe arkivistësh po ruan uebin faqe pas faqeje.
Në sallën e dikurshme të shenjtë, të zbukuruar me dritare të mëdha me xhama shumëngjyrësh, predikimet janë zëvendësuar nga zhurma e serverëve. Këtu funksionon Wayback Machine, mjeti i famshëm që u jep përdoruesve mundësinë të shohin versionet e mëparshme të faqeve, edhe kur ato janë ndryshuar ose fshirë. Për studiues, gazetarë dhe historianë të internetit, ky shërbim është bërë një arkiv kritik i asaj që njerëzit, kompanitë dhe qeveritë kanë publikuar ndër vite.
Sfida e re e ruajtjes së internetit
Muajin e kaluar, Wayback Machine arriti një tjetër moment historik: arkivoi faqen e një triliontë.
Ruajtja e përmbajtjes së internetit po bëhet gjithnjë e më sfiduese. Që në fillim të këtij viti, Shtëpia e Bardhë urdhëroi heqjen e një numri të madh faqesh qeveritare. Në të njëjtën kohë, inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si krijohet dhe shpërndahet informacioni, duke zëvendësuar gradualisht vetë faqet me përmbajtje dhe përmbledhje të gjeneruara automatikisht për përdoruesit.
Një pjesë e madhe e uebit tashmë qëndron pas faqeve të paguara ose brenda bisedave me chatbot-ë, duke e bërë ruajtjen edhe më sfiduese.
“Ne jemi këtu për të dokumentuar atë që ka ndodhur, në mënyrë që njerëzit të mësojnë dhe të ndërtojnë mbi atë që ka ekzistuar,” thotë themeluesi i Internet Archive, Brewster Kahle. Ai e bleu ndërtesën e vjetër të kishës sepse i ngjante logos së arkivit, por mbi të gjitha sepse përfaqësonte qëndrueshmëri, një simbol i ngjashëm me Bibliotekën e Aleksandrisë, e cila dikur mbante gjithçka që njerëzimi kishte shkruar.
Pjesa më e madhe e serverëve ndodhen në një magazinë të madhe jashtë San Franciskos. Por një pjesë simbolike ndodhet në altarin e ish-kishës, për të treguar se ruajtja e dijes është një përpjekje e përbashkët.
Internet Archive ka rreth 200 punonjës: inxhinierë, arkivistë dhe teknikë. Librat digjitalizohen faqe pas faqeje me pajisje të specializuara, një proces që transmetohet live në YouTube. Në ambiente të tjera, gramafonët lëshojnë muzikë të viteve ’20 dhe ’40, ndërsa pajisjet e çdo epoke nga kasetat deri te satelitët televizivë ruhen për t’u digjitalizuar. Arkivi ruan gjithashtu video, filma, muzikë, videogame dhe çdo material tjetër që ka qenë pjesë e kulturës dixhitale.
Në sallën kryesore qëndrojnë më shumë se 100 statuja tre metra të larta, secila në nder të punonjësve me mbi tre vite eksperiencë .
Por, siç thekson Kahle, Internet Archive nuk synon të jetë muze apo të diktojë narrativën e së shkuarës.
“Ne nuk po tregojmë një histori. Ne po japim burimet që të tjerët të ndërtojnë historinë e tyre.”
Wayback Machine nuk ruan thjesht një fotografi të faqes. Ai arkivon arkitekturën teknike HTML, CSS, JavaScript për të rikrijuar sa më besnikërisht faqen origjinale, edhe kur serverët e saj nuk funksionojnë më.
Mark Graham, drejtori i Wayback Machine, shpjegon se kjo e bën arkivin jo vetëm një depo imazhesh, por një pasqyrë funksionale të internetit të së shkuarës.
Ndryshimi më i madh i viteve të fundit është IA. Internet Archive ka nisur të ruajë edhe përmbajtjen e gjeneruar nga inteligjenca artificiale: përgjigjet e ChatGPT, përmbledhjet e rezultateve të kërkimit në Google dhe materialet që përdoruesit konsumojnë nga robotët e bisedës. Çdo ditë, ekipi harton qindra pyetje të reja për chatbot-ët, i regjistron dhe i arkivon së bashku me përgjigjet përkatëse.
Kopje të arkivit ruhen në shumë vende të botës, për mbrojtje nga zjarri, përmbytjet apo çdo rrezik tjetër.
