cap cake

“Cake With Romi”, sipërmarrja e vajzës shqiptare që po sjell shije në tryezat e Brukselit

Shqiptarët kanë treguar gjithmonë se kanë ditur t’ia dalin në çdo cep të botës, pavarësisht sfidave të emigrimit. Ato janë zhvilluar profesionalisht dhe kanë ndjekur pasionet e tyre. Një shembull i tillë është edhe Romina Flamuri, e lindur në Skrapar dhe e rritur në Tiranë.

Ajo ka përfunduar studimet për gjuhë angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe më tej vendosi të ndërtojë familjen në Bruksel. Fillimet ishin të vështira thekson ajo, pasi u përball me përshtatjen me kulturën e re, me sfidat ekonomike dhe integrimin në shoqëri. Pikërisht këto sfida e shtynë të kërkonte një rrugë për të shprehur veten dhe për të krijuar diçka të veçantë.

tortë shqiptare

Pasioni për gatimin e ka shoqëruar gjithmonë. Recetat që gatuante nëna e saj nuk mund të harroheshin lehtë. Nëna i mësoi recetat tradicionale shqiptare, ku në veçanti tortat dhe ëmbëlsirat tërhiqnin vëmendjen e Rominës. Por, krahas praktikës në shtëpi, ajo ndoqi edhe një kurs intensiv për pastiçiere, ku mësoi teknikat e reja, për t’i kombinuar ato me traficionalen dhe për të dalë në një ofertë që mban emrin e saj.

Kështu lindi “Cake With Romi”, një punishte e vogël në shtëpinë e saj, ku krijon torta, cupcake dhe ëmbëlsira të personalizuara, duke filluar nga idetë më të thjeshta deri te dizajnët më kreativë dhe të veçantë. Që nga emri i sipërmarrjes, kuptojmë thjeshtësinë dhe dashamirësinë që lidh Rominën me klientët përmes ëmbëlsirave: “Në fillim doja një emër të thjeshtë, që të mbahej lehtë mend dhe të më përfaqësonte mua personalisht. ‘Cake with Romi’ e personalizon dhe më afron më tepër me klientët, sikur të thoja: ‘ejani të ndani një copë tortë me mua’,” shpjegon ajo.

torta

Hapat e parë ishin të mundur falë mbështetjes së komunitetit shqiptar në Bruksel, miqve dhe familjarëve që i dhanë mbështetje. “Porositë e para erdhën nga miq dhe të njohur që besuan tek unë. Ishte një periudhë e mbushur me emocione dhe ankth, por mbështetja e tyre dhe reagimet pozitive më motivonin të ecja përpara dhe të mos dorëzohesha,” kujton Romina.

Tortat e saj kanë, përmasa, figura dhe kreativitet të jashtëzakonshëm, falë pasionit dhe vëmendjes në çdo detaj.

Ndër krijimet më të veçanta ka qenë një tortë dykatëshe e personalizuar, e cila kërkoi më së shumti punë dhe kujdes dhe padyshim ishte një nga porositë me vlerën më të lartë,” tregon Romina.

Historia e Rominës është një dëshmi e përkushtimit dhe pasionit që karakterizon shumë shqiptarë në diasporë. Ky rrëfim tregon se emigrimi nuk është vetëm sfidë, por edhe një mundësi për t’u zhvilluar. Cake With Romi nuk është thjesht një biznes; është një histori që buron nga pasioni dhe një mundësi për t’u konfirmuar edhe në një vend të huaj.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top