aksione luksi

Cartier dhe Zegna më të ekspozuarat ndaj krizës në Lindjen e Mesme, tronditen aksionet e luksit në Europë

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Kriza në Lindjen e Mesme po shton presionin mbi markat e shtrenjta, ku po përballen me vështirësi për t’u rimëkëmbur nga një ngadalësim i kërkesës. Kompani si Richemont dhe Zegna konsiderohen ndër më të ekspozuarat ndaj zhvillimeve të fundit.

Sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit, si dhe kundërpërgjigjja e Teheranit, kanë detyruar mbylljen e hapësirës ajrore në pjesë të Lindjes së Mesme dhe kanë pezulluar funksionimin e aeroporteve kyçe si Dubai dhe Doha, duke shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në udhëtime dhe aktivitet biznesi.

Sa i madh është tregu i luksit në Lindjen e Mesme?

Lindja e Mesme përfaqëson rreth 5% deri në 6% të shitjeve globale të luksit, sipas vlerësimeve të Morgan Stanley dhe Bank of America. Pjesa më e madhe e blerjeve realizohet nga turistët, veçanërisht nga Rusia, Arabia Saudite, Kina dhe India.

Emiratet e Bashkuara Arabe përbëjnë rreth gjysmën e të ardhurave rajonale të sektorit, me shumicën e transaksioneve të përqendruara në Dubai, sipas Morgan Stanley.

Që nga dita e hënë, shumë dyqane në Dubai dhe në qendrat e tjera të mëdha tregtare në Lindjen e Mesme kanë qenë të mbyllura ose funksionojnë me staf minimal.

Pse ka rëndësi kjo situatë?

Teksa kompanitë e luksit përpiqen të rimarrin veten pas një ngadalësimi dyvjeçar, investitorët shpresojnë që shitjet në Lindjen e Mesme, një nga pikat e pakta të ndritshme për sektorin gjatë vitit të kaluar, të ndihmojnë në rigjallërimin e industrisë. Rimëkëmbja e dobët në Kinë dhe rreziqet që lidhen me tarifat në Shtetet e Bashkuara po shtojnë pasigurinë.

Kriza aktuale mund të ndikojë gjithashtu edhe në të ashtuquajturën “vrullin e Ramazanit”, periudha kur banorët e pasur të Gjirit udhëtojnë drejt Evropës dhe destinacioneve të tjera për të bërë blerje gjatë muajit të Ramazanit, sipas analistëve të Morgan Stanley.

Cilat marka janë më të ekspozuara?

Pronari i Cartier, Richemont, dhe kompania italiane Zegna janë ndër më të ekspozuarat, duke siguruar rreth 9% të shitjeve totale nga Lindja e Mesme. Në anën tjetër, Burberry renditet ndër markat më pak të prekura nga zhvillimet në rajon.

Si po reagojnë tregjet financiare?

Indeksi STOXX Europe Luxury 10  ka rënë me rreth 9% që nga e hëna e kësaj jave, duke shënuar rënien më të madhe dyditore që nga goditja e tregjeve për shkak të tarifave në muajin prill.

Grafik
Datawrapper (Elisa Anzolin)

reuters

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top