Rozalba Xhori
Mekanizmi i ri i BE-së për përafrimin e tarifës së karbonit në kufi po afron, dhe kompanitë shqiptare duhet të përgatiten për ndikimin financiar që do të sjellë
Nga fillimi i vitit 2026, kompanitë shqiptare që eksportojnë në tregun e Bashkimit Evropian do të përballen me një realitet të ri: Carbon Border Adjustment Mechanism (CBAM), ose Mekanizmi i Përafrimit të Tarifës së Karbonit në Kufi. Ky instrument, i konceptuar si pjesë e Green Deal të BE-së, synon të vendosë një çmim të drejtë mbi emetimet e karbonit që lëshohen gjatë prodhimit të mallrave me intensitet të lartë karboni që importohen në BE.
Entrenovu, startupi me themeluese shqiptare, Rozalba Xhori, i zhvilluar në Austri, ku Rozalba jeton, ka në fokus edhe tregun shqiptar dhe atë të Ballkanit. Për të kuptuar si funksionon ky koncept i ri dhe ku bëhet e dobishme Entronuvu, ne kemi zhvilluar një intervistë me Rozalbën
Çfarë është CBAM?
CBAM është në thelb një taksë karboni që aplikohet në kufi për mallrat që hyjnë në BE. Qëllimi kryesor është të parandalohet “rrjedhja e karbonit”, situata kur kompanitë evropiane zhvendosin prodhimin në vende me rregullore më të butë mjedisore, ose kur produktet evropiane zëvendësohen nga importet më karbon-intensive.
Për industrinë shqiptare, kjo nuk është thjesht një çështje mjedisore, është një çështje ekonomike e drejtpërdrejtë që do të ndikojë në konkurrencën dhe kostot. Sektorët që preken më shumë përfshijnë çimenton, çelikun, aluminin, plehrat dhe energjinë elektrike.
Implikime për industrinë shqiptare
Me industrinë e çimentos që mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm eksportues të vendit, CBAM paraqet një sfidë të konsiderueshme. Ndërsa prodhimi i betonit të gatshëm ka shënuar rënie vitet e fundit, duke rënë nga 1.93 milionë tonë në 2021 në 1.70 milionë tonë në 2024 industria e çimentos vazhdon të prodhojë në nivele të larta pikërisht për shkak të eksporteve rajonale.
Por tani, këto eksporte do të duhet të “paguajnë” për emetimet e tyre. Çdo ton çimento që prodhuesit shqiptarë dërgojnë në BE do të vlerësohet për përmbajtjen e saj të karbonit, dhe importuesi do të duhet të blejë çertifikata CBAM që korrespondojnë me këto emetime.
Kostot e reja nuk janë të parëndësishme. Bazuar në çmimin aktual të tregtimit të karbonit në sistemin EU ETS (që luhatet rreth 60-80 euro për ton CO2), një kompani që eksporton produkte karbon-intensive mund të përballet me rritje kostosh që ndikojnë drejtpërdrejt në marzhet e fitimit.
Si lidhet konsumi i energjisë elektrike me CBAM
Ndërsa çimentoja, alumini dhe çeliku janë në fokus të qartë, aspekti i energjisë elektrike shton një tjetër kompleksitet. Shqipëria, si eksportuese neto e energjisë elektrike në periudha të caktuara, do të duhet të raportojë për intensitetin e karbonit të energjisë që eksporton.
Këtu gjendet një paradoks: Shqipëria gjeneron rreth 95% të energjisë nga hidroenergjia, që në teori ka emetime shumë të ulëta. Megjithatë, në orët kur importon energji nga fqinjët, shpesh energji të prodhuar nga termocentralet me qymyr apo gaz, intensiteti i karbonit të sistemit rritet. CBAM kërkon llogaritje të detajuara orë pas ore, gjë që e bën raportimin veçanërisht kompleks.
Metodologjia aktuale e CBAM për energjinë elektrike mbetet objekt diskutimi. Mënyra se si llogaritet intensiteti i karbonit p.sh. nëse duhet të përdoret mesatarja e pesë viteve të fundit, apo të dhënat orare në kohë reale, mund të ndikojë ndjeshëm në kostot që do të paguajnë importuesit.
A është ky një mjet për të cilin duhet të përgatitemi?
Duke parë kompleksitetin e CBAM dhe nevojën urgjente që kompanitë shqiptare të kuptojnë impaktin financiar, Entrenovu ka zhvilluar një mjet llogaritjeje të dedikuar për tregun shqiptar. Ky mjet, i disponueshëm tërësisht në gjuhën shqipe, mundëson që kompanitë të llogaritin kostot e pritshme që do të lindin nga CBAM, bazuar në grupet dhe kodet specifike të produkteve që eksportojnë.
Mjeti është i shoqëruar me udhëzime të detajuara si për përdorimin e tij, ashtu edhe për vetë CBAM-in, duke e bërë më të aksesueshëm për bizneset që deri tani mund të mos kenë pasur ekspertizë në çështjet e karbonit dhe klimës.
Ne kemi parë që shumë kompani janë të vetëdijshme për CBAM, por nuk e dinë saktësisht se si do t’i prekë. Mjeti ynë u jep atyre një pikënisje konkrete për planifikimin financiar.
Aktualisht, platforma është në fazën beta, por i hapur për kompanitë që dëshirojnë ta provojnë.
Si bëhet lidhja me tregun evropian të energjisë?
Tema e CBAM dhe lidhja e saj me energjinë do të jetë në qendër të konferencës Ëomen on Boards që do të mbahet më 20 tetor. Unë do të marrë pjesë për të diskutuar se si CBAM po transformon, jo vetëm tregjet e mallrave, por edhe tregjet e energjisë, dhe se çfarë duhet të bëjnë kompanitë për t’u përshtatur.
Energjia është thelbi i çdo procesi industrial, dhe CBAM e njeh këtë lidhje. Nuk mjafton të flasim vetëm për emetimet direkte nga fabrikat, duhet të shikojmë edhe se nga vjen energjia që përdorim.
A jemi në kohë për të vepruar?
Periudha tranzitore e CBAM, që filloi në tetor 2023, ka kërkuar raportim vullnetar pa pagesë. Por, nga janari 2026, fillon periudha përfundimtare, ku importuesit do të duhet të blejnë dhe dorëzojnë çertifikata CBAM reale. Këto kosto importohen direkt nga furnitorët dhe përkthehen në negociata marzhesh.
Për kompanitë shqiptare, koha për përgatitje po pakësohet. Ato që investojnë tani në kuptimin e CBAM, në llogaritjen e gjurmës së tyre të karbonit, dhe në identifikimin e mundësive për dekarbonizim, do të jenë në një pozicion më të fortë konkurrues.
Ngadalësimi i sektorit të ndërtimit në vend, siç tregohet nga rënia e prodhimit të betonit, mund të shtyjë edhe më shumë prodhuesit drejt eksporteve. Por, për të qenë konkurrues në BE, ata duhet të flasin gjuhën e karbonit.
CBAM nuk është vetëm një barrë rregullatore. Për kompanitë që investojnë në teknologji më të pastra, që përdorin energji të rinovueshme, ose që mund të provojnë intensitet të ulët karboni, mund të jetë edhe një avantazh konkurrues. Çështja është të jesh i përgatitur.