biznes

Çfarë na mësoi viti 2025 për biznesin, 4 mësimet më të rëndësishme

Kompani si Lululemon, Ring dhe Starbucks kanë bërë lëvizje të rëndësishme gjatë vitit 2025. Ato tregojnë se në biznes, e vetmja gjë e qëndrueshme është ndryshimi. Mes inovacionit të vrullshëm të inteligjencës artificiale dhe ndryshimeve të mëdha në drejtim, shumë kompani sot duken krejt ndryshe nga fillimi i vitit edhe pse pushimet nga puna kanë qenë të shumta. Këto tregojnë sfidat e mëdha të këtij viti, gjithë kjo tronditje ka sjellë disa mësime të vlefshme për sipërmarrësit.

Këto janë katër mësimet kryesore nga kompanitë që janë penguar, ndryshuar drejtim dhe janë ringritur në 2025.

1. Të jesh i pari nuk do të thotë se ke fituar

Lululemon është një markë tashmë e njohur globalisht. Megjithatë, aksioni i saj ka rënë në nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit. Athleisure është bërë trend kudo, dhe konkurrenca është forcuar. Përveç presionit nga markat e tjera premium, tarifat doganore kanë ulur më tej fitimet, duke e detyruar Lululemon të eksperimentojë me diçka të re në vitin 2025.

Kompania hapi një dyqan 17,000 metra katror në New York City, një koncept i ri i quajtur “përvojë dinamike e shitjes me pakicë”. RetailDive raporton se një tjetër dyqan i këtij lloji është hapur edhe në Seul, Kore të Jugut. Edhe pse reagimi përfundimtar i konsumatorëve dhe analistëve mbetet për t’u parë, Lululemon po tregon se të jesh pionier të jep avantazh, por për të mbetur në krye, duhet të evoluosh vazhdimisht.

2. Komoditeti i tepruar mund ta dëmtojë markën

Për shumë klientë, përvoja me Starbucks është bërë thjesht një porosi në aplikacion dhe një marrje e shpejtë në lokal. Por CEO Brian Niccol, i cili mori drejtimin në vitin 2024, synon ta ndryshojë këtë realitet. Mbështetja e tepruar te porositë mobile e ka kthyer zinxhirin në një “aeroport kafeneje” dhe jo në një pikë të ngrohtë komunitare dhe disa tremujorë radhazi me shitje në rënie tregojnë se konsumatorët nuk janë të kënaqur.

Fushata e tij “Back to Starbucks” synon t’i rikthejë vlerat e vjetra markës. Plani përfshin ridizajnimin e disa dyqaneve, rikthimin e emrave të shkruar me dorë mbi gota, hapjen e përsëri të stacionit të kondimenteve që u hoq gjatë pandemisë dhe uljen e kohës së pritjes në katër minuta për të mos krijuar bllokime nga porositë mobile. Në përvjetorin e parë të saj në 2025, strategjia po jep shenja përmirësimi, por tregjet financiare mbeten skeptike.

3. Rritja ndonjëherë vjen duke u bërë më i vogël

Bustle Digital Group (BDG) përjetoi disa vite të vështira. Kompania, e cila zotëron marka si Bustle, Gawker dhe Scary Mommy, u detyrua të mbyllë disa prej tyre dhe të kryejë pushime nga puna për t’u përshtatur me realitetin e ri të medias dixhitale.

Më pas, BDG zhvendosi fokusin drejt burimeve të reja të të ardhurave, si anëtarësimet e influencerëve dhe organizimi i eventeve. Rezultatet po shfaqen: Axios raportoi në tetor se kompania pritet të jetë fitimprurëse në 2025, me rreth 130 milionë dollarë të ardhura, një rritje nga 110 milionë në 2024. Të synosh një audiencë më të vogël, por më të angazhuar, ka qenë çelësi i rikthimit të BDG.

4. Dalja nga biznesi nuk do të thotë lamtumirë përgjithmonë

Jamie Siminoff ndërtoi kamerën e sigurisë Ring në garazhin e tij dhe e prezantoi në Shark Tank ku u refuzua. Më pas Ring u shiti Amazon-it për 1 miliard dollarë, dhe Siminoff shërbeu si “Chief Inventor” për pesë vjet, përpara se të largohej në 2023.

Por ardhja e inteligjencës artificiale solli mundësi të reja. Çfarë do të thotë AI për identifikimin e fytyrës? Si ndikon në privatësinë e përdoruesve, një pikë ku Ring ka pasur kritika? Çfarë do të ndryshojë në marrëdhëniet me policinë? A mund të ndihmojë madje edhe në gjetjen e kafshëve të humbura?

Me kaq shumë pyetje për të ardhmen, Ring vendosi të rikthehej në origjinë: tek krijuesi i saj. Siminoff u rikthye për të drejtuar kompaninë në pranverën e vitit 2025. Ndonjëherë, personi më i mirë për të udhëhequr një markë në një epokë të re teknologjike është pikërisht ai që e shpiku.

Edhe themelues të tjerë që u rikthyen për të drejtuar kompanitë e tyre në 2025 përfshijnë Ty Haney të Outdoor Voices, Kevin Rose të Digg dhe sipërmarrësen e bizhuterive Kendra Scott.

Inc

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top