Një bebe që vrapon për t’i shpëtuar dinosaurit dhe në sfond Lady Gaga. Mace me rroba që kërcejnë në këmbë, pamje të gjiruara nga kamerat e vetë policëve duke arrestuar një grumbull makaronash me djathë. Kështu duken rrjetet sociale kohëve të fundit, të cilën po e krijojnë gjigantët e teknologjisë dhe për momentin, gjithçka është pak e çrregullt.
Risia më e fundit në botën e rrjeteve sociale të ndërtuara me inteligjencë artificiale nga aplikacioni Sora i ChatGPT, ku disa prej këtyre videove u shfaqën javën e kaluar. Meta ka krijuar një aplikacion me video të ngjashme të TikTok, të quajtur Vibes. Në Instagram, tani mund të bisedosh me persona të krijuar nga IA-le në mesazhe private. Ndërkohë, TikTok ka prezantuar mjetin AI Alive, që mund të kthejë një imazh në video me vetëm një komandë të thjeshtë.
Këto përpjekje janë pjesë e një gare të madhe që mund të përcaktojë fazën e ardhshme të internetit. Fitimi i kësaj gare është thelbësor për kompanitë e mëdha, të cilat po përpiqen të kuptojnë si të përfitojnë financiarisht nga inteligjenca artificiale, mes frikës se gjithçka mund të jetë një “flluskë” që do shpërthejë.
Por futja e IA-le në rrjetet sociale ka hasur shqetësime të mëdha, që variojnë nga shkeljet e të drejtave të autorit deri te rreziku i përhapjes së lajmeve dhe përmbajtjeve të rreme.
Kur CNN kërkoi komente nga OpenAI dhe Meta, të dyja kompanitë nuk dhanë komente të drejtpërdrejta, por theksuan se kanë rregulla dhe masa sigurie për t’u marrë me këto çështje.
Pas daljes së aplikacionit Sora, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Filmit (Motion Picture Association), Charles Rivkin, tha se “videot që shkelin të drejtat e autorëve të anëtarëve tanë janë përhapur në shërbimin e OpenAI dhe në rrjetet sociale” për shkak të këtij aplikacioni.
Në reagim, Sam Altman, drejtori i OpenAI, tha se kompania do t’u japë artistëve dhe pronarëve të filmave apo personazheve të njohur më shumë kontroll mbi mënyrën si përdoren krijimet e tyre. Ai shtoi se po mendojnë edhe për një sistem ku të ndajnë fitimet me ta.
Tani, nëse dikush përpiqet të krijojë një video me personazhe të famshëm si Pikachu ose SpongeBob, programi ndalon dhe shfaq një mesazh që thotë se kjo mund të shkelë rregullat e OpenAI për të drejtat e autorit.
Megjithatë, rreziku i përhapjes së lajmeve të rreme në rrjete sociale është rritur ndjeshëm me përdorimin e inteligjencës artificiale. Aplikacioni Sora mund të krijojë video që duken si të vërteta, gjë që është shqetësuese, sepse siç kanë treguar 404 Media dhe CNN është shumë e lehtë të hiqen shenjat që tregojnë se videoja është krijuar nga IA-le.
Videot që krijohen me Sora kanë të përfshirë një shenjë dixhitale të padukshme që tregon se nga është krijuar videoja. Kompania thotë se teknologjia e saj mund të njohë fytyra dhe personazhe të njohur, për të parandaluar krijimin e videove të rreme (deepfake). Ndërkohë, Meta përdor një ujë-shenjë të padukshme në përmbajtjet e krijuara nga AI, në mënyrë që të mund t’i gjejë më lehtë në rast se përdoren gabimisht ose për keq.
Një tjetër shqetësim që po rritet lidhet me ndikimin negativ që mund të kenë chatbot-ët tek të rinjtë, pas disa padive që pretendojnë se aplikacione si Character.AI kanë ndikuar në probleme të shëndetit mendor dhe raste vetëvrasjesh.
OpenAI thotë se Sora ka masa më të forta mbrojtjeje për adoleshentët, si ndalimi i krijimit të përmbajtjeve për të rritur dhe bllokimi i kontakteve nga të rriturit drejt të rinjve. Ndërsa Meta përdor teknologji që parandalon të rriturit me sjellje të dyshimta të shikojnë apo të ndërveprojnë me përmbajtjet e adoleshentëve.
Pastaj lind pyetja: a duan njerëzit vërtet që rrjetet e tyre sociale të mbushen me “përmbajtje të sajuara nga AI”? Deri tani, shumica e përmbajtjes së çrregullt që qarkullon në Sora apo Meta AI nuk të nxit aspak ta vazhdosh shfletimin pa fund.
Edhe vetë ideja e bashkimit të rrjeteve sociale me asistentë të inteligjencës artificiale ka ngjallur konfuzion tek përdoruesit. Disa persona që përdornin Meta AI nuk e kishin kuptuar se pyetjet e tyre personale, madje edhe ato që kishin të bënin me çështje mjekësore apo ligjore, ishin bërë publike në faqen kryesore të aplikacionit. Meta sqaroi më pas se bisedat janë private automatikisht dhe bëhen publike vetëm nëse përdoruesit zgjedhin vetë t’i ndajnë, duke ndjekur disa hapa.
Megjithatë, qëllimi kryesor i aplikacioneve si Sora dhe Meta AI nuk është që njerëzit të kalojnë orë të tëra duke parë video, por që të krijojnë përmbajtje të reja duke përdorur mjetet e tyre. Kjo duket si një përpjekje për të tërhequr krijuesit e rinj të përmbajtjes, të cilët po përdorin gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale në punën e tyre.
Por fakti që këto aplikacione ngjajnë shumë me TikTok-un dhe videot e shkurtra tregon se kompanitë po përpiqen të bëhen jo vetëm mjete për krijim, por edhe vende ku njerëzit shikojnë e zbulojnë përmbajtje të reja.
Ndoshta kjo shënon një lloj të ri rrjeti social, që as vetë OpenAI dhe Meta ende nuk e dinë plotësisht si do të zhvillohet.