email

Çfarë të bëni nëse ju vjedhin adresën e emailit

Një adresë emaili e vjedhur apo e kompromentuar mund të kthehet në një makth të vërtetë. Por me disa hapa të thjeshtë dhe të shpejtë, mund të rimerrni kontrollin dhe të parandaloni dëme të mëtejshme.

Adresa e emailit nuk është më thjesht një mjet komunikimi. Ajo është kthyer në qendrën e jetës sonë digjitale – përdoret si hyrje (login) për dhjetëra apo qindra shërbime, nga rrjetet sociale tek platformat e blerjeve online. Ndaj, nëse harroni fjalëkalimin, apo më keq, dikush tjetër e merr nën kontroll, situata mund të bëhet shumë stresuese.

Çfarë të bëni menjëherë nëse zbuloni se adresa juaj është vjedhur:

  • Përpiquni të ndryshoni fjalëkalimin nga një pajisje ku keni hyrë më parë me këtë email. Idealisht, përdorni një pajisje të njohur, si kompjuteri apo telefoni juaj personal, i lidhur me Wi-Fi-në e shtëpisë. Edhe shfletuesi (browser) që përdorni mund të ndihmojë – zgjidhni atë që përdorni zakonisht.

  • Përdorni procesin e rikuperimit të llogarisë të ofruar nga platforma përkatëse (si Google apo Microsoft). Nëse keni vendosur më parë një email rikuperimi apo një numër telefoni, përdorini për të rifituar aksesin.

  • Përgjigjuni me kujdes të gjitha pyetjeve të rikuperimit, edhe nëse nuk i mbani mend plotësisht përgjigjet. Përpiquni të listoni edhe fjalëkalimet e vjetra që mund t’i kujtoni. Mund të duhen deri në 24 orë për të përfunduar verifikimi i llogarisë.

  • Nëse nuk keni sukses, krijoni një adresë të re emaili. Kjo do t’ju ndihmojë të migroni të gjitha shërbimet e rëndësishme në një llogari të re që mund ta kontrolloni.

Pasi të rimerrni kontrollin mbi llogarinë ose të krijoni një të re:

  • Vendosni një fjalëkalim të fortë dhe unik për këtë adresë emaili. Ai duhet të ketë të paktën 12 karaktere (sa më i gjatë, aq më mirë) dhe të përmbajë shkronja të mëdha, të vogla, numra dhe simbole. Mund të kombinoni fjalë të rastësishme, një varg këngësh të lehtë për t’u kujtuar apo një citim personal.

  • Përdorni një menaxher fjalëkalimesh për të ruajtur fjalëkalimin dhe të dhëna të tjera të rëndësishme.

  • Aktivizoni vërtetimin me dy hapa (two-step verification), duke përdorur një aplikacion që gjeneron kode (si Google Authenticator apo Authy) në vend të mesazheve SMS. Ruani kodet rezervë në një vend të sigurt.

  • Mundësisht, përdorni “passkey” në vend të fjalëkalimit, një sistem i ri që përdor pajisjen dhe gjurmët biometrike për t’ju identifikuar dhe nuk mund të vidhet si një fjalëkalim klasik.

  • Vendosni një email dhe numër telefoni për rikuperim, që t’ju ndihmojnë në rast se humbni aksesin sërish.

  • Shtoni pyetje sigurie nëse llogaria juaj e lejon dhe vendosni përgjigje që janë të vështira për t’u hamendësuar. Sigurohuni t’i shkruani diku për kujtesë.

Këshillë për fund: Në epokën digjitale, ruajtja e sigurisë së llogarive tuaja është po aq e rëndësishme sa mbrojtja e kartës së identitetit apo e portofolit. Mos i lini këto hapa për nesër. Merrni masa sot dhe qëndroni një hap përpara hakerëve.

Theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top