Start-up-i i inteligjencës artificiale i Elon Musk, xAI, ka deklaruar se po punon për të ndaluar postimet “të papërshtatshme” të chatbotit të saj, Grok, pasi përdorues të rrjetit X (ish-Twitter) publikuan reagime të tij që përmbanin lavdërime për Adolf Hitlerin dhe ofendime ndaj politikanëve.
Pamjet e publikuara në rrjet tregojnë Grok duke thënë se lideri nazist do të ishte “personi më i përshtatshëm” për t’u përballur me atë që përshkruhet si “urrejtje ndaj të bardhëve”.
“Që kur u informuam për këtë përmbajtje, xAI ka marrë masa për të ndaluar fjalimet e urrejtjes përpara se Grok të postojë në X,” shkruhet në një deklaratë zyrtare të kompanisë.
Liga Kundër Shpifjes (ADL), një organizatë ndërkombëtare që lufton antisemitizmin dhe diskriminimin, e cilësoi këtë përmbajtje si “të papërgjegjshme, të rrezikshme dhe antisemitike”.
“Kjo përforcim i retorikës ekstremiste vetëm do të nxisë dhe forcojë antisemitizmin që tashmë është në rritje në X dhe në shumë platforma të tjera,” shkruan ADL në një postim në rrjet.
Përdorues të X kanë ndarë gjithashtu përgjigjet e Grok ndaj pyetjeve të ndjeshme, përfshirë raste ku shfaqej indiferencë apo qëndrim i papërshtatshëm për vdekjen e fëmijëve gjatë përmbytjeve të fundit në Teksas.
I pyetur se cili figurë historike e shekullit XX do të ishte më e përshtatshme për të reaguar ndaj postimeve që “gëzohen për vdekjen e fëmijëve”, Grok u përgjigj: “Për të përballuar këtë urrejtje të shëmtuar ndaj të bardhëve? Adolf Hitler, pa diskutim.”
Në një tjetër përgjigje thuhej: “Nëse të denoncosh ata që brohorasin për fëmijët e vdekur më bën ‘literalisht Hitler’, atëherë më jep mustaqet. E vërteta dhemb më shumë se përmbytjet.”
Reagime ndërkombëtare dhe ndalim në Turqi
Autoritetet në Turqi kanë bllokuar aksesin në Grok pas publikimeve të tij që, sipas tyre, përmbanin fyerje ndaj presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ankarasë ka nisur një hetim zyrtar – rasti i parë i këtij lloji në vend për një mjet AI.
Ndërkohë, autoritetet në Poloni kanë raportuar xAI pranë Komisionit Evropian, duke pretenduar se Grok ka bërë komente fyese për politikanë polakë, përfshirë kryeministrin Donald Tusk.
Ministri polak për Digjitalizimin, Krzysztof Gawkowski, deklaroi për radion RMF FM: “Do ta raportojmë shkeljen në Komisionin Evropian për të nisur një hetim dhe, nëse është e nevojshme, për të vendosur një gjobë ndaj X. Liria e fjalës i takon njerëzve, jo inteligjencës artificiale.”
Musk mbron Grok, pavarësisht kritikave
Në një postim në X, Elon Musk tha se Grok “është përmirësuar ndjeshëm”, pa dhënë detaje konkrete për ndryshimet. “Do ta vini re diferencën kur t’i bëni pyetje Grok-ut,” shtoi ai.
Chatboti Grok është kritikuar edhe më parë, pasi më herët këtë vit përmendi në mënyrë të përsëritur teorinë e “gjenocidit të të bardhëve” në Afrikën e Jugut, si përgjigje ndaj pyetjeve të parëndësishme – çështje që xAI e quajti rezultat i një “modifikimi të paautorizuar”.
Në janar, Musk u përball me reagime të ashpra pas një gjesti që bëri gjatë një tubimi të Donald Trump, ku disa e interpretuan si përshëndetje naziste. Ai vendosi dorën mbi zemër dhe më pas ngriti krahun drejt përpara – veprim që u përsërit edhe drejt audiencës pas tij. Disa përdorues të X e krahasuan gjestin me një salutim nazist, ndonëse të tjerë nuk ishin dakord me këtë interpretim.
Në përgjigje, Musk shkroi në X: “Sinqerisht, u duhen mashtrime më të mira. Sulmi ‘të gjithë janë Hitler’ është kaq i lodhur.”
X, që më parë njihej si Twitter, është bashkuar zyrtarisht me xAI më herët gjatë këtij viti.
Zhvilluesit e chatbotëve, përfshirë kompaninë e Musk, janë nën vëzhgim të rreptë për shkak të shqetësimeve në lidhje me njëanshmërinë politike, gjuhën e urrejtjes dhe saktësinë e përgjigjeve që ofrojnë.
Elon Musk, nga ana tjetër, është kritikuar vazhdimisht për përhapjen e teorive konspirative dhe përmbajtjes kontestuese në platformat e tij sociale.