Platforma më e njohur e inteligjencës artificiale, ChatGPT, mund të përfshihet në grupin e platformave që i nënshtrohen rregullave më të ashpra të Bashkimit Europian sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale (Digital Services Act – DSA), pasi ka kaluar shifrën prej 120 milion përdoruesish aktivë në muaj në Europë.
Sipas Euronews, Komisioni Europian po shqyrton mundësinë që ChatGPT të klasifikohet si një “platformë shumë e madhe online” (VLOP), çka do ta vendoste nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë dhe do t’i impononte detyrime shtesë për transparencë dhe raportim.
Ligji i DSA-së synon të kufizojë përhapjen e përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme në internet, si dhe të sigurojë që platformat me ndikim të madh shoqëror si Meta, TikTok, Amazon, X (ish-Twitter) apo Instagram të jenë më të përgjegjshme për mënyrën se si përmbajtja shpërndahet dhe moderohet.
Sipas deklaratës së OpenAI, për periudhën gjashtëmujore që përfundoi më 30 shtator 2025, ChatGPT ka pasur mesatarisht 120.4 milion përdorues aktivë mujorë në Bashkimin Europian. Kjo shifër, thekson kompania, i referohet funksionit të kërkimit të ChatGPT-së, jo gjithë përdoruesve të aplikacionit në tërësi.
Një zëdhënës i Komisionit Europian deklaroi se po zhvillohet një vlerësim individual për të përcaktuar nëse ChatGPT duhet të përfshihet në listën e platformave shumë të mëdha online që rregullohen drejtpërdrejt nga BE-ja.
Nëse kjo ndodh, ChatGPT do të bëhej platforma e 26-të që bie nën këtë regjim të rreptë të mbikëqyrjes. Aktualisht, në listë përfshihen 25 platforma të tjera, përfshirë Facebook, Instagram, TikTok, LinkedIn, Amazon dhe Zalando.
Komisioni ka hapur gjithashtu disa hetime për shkelje të mundshme të DSA-së nga kompani të tjera të mëdha teknologjike, përfshirë TikTok, AliExpress, Facebook dhe Instagram, të cilat ende nuk janë përmbyllur.
