Sulmet iraniane ndaj Dubait dhe mbyllja e aeroportit të tij kanë shkaktuar një largim të vrullshëm të shtresave më të pasura drejt rrugëve alternative, kryesisht me avionë privatë.
Qyteti i njohur për luksin dhe jetën mondane, destinacion i preferuar për miliarderë, influencerë dhe miliona turistë ndërkombëtarë, është përfshirë nga tensioni që prej momentit kur dronë dhe raketa, të lëshuara si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite në Iran, dëmtuan aeroportin dhe goditën disa hotele e objekte të njohura.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se edhe të hënën vijonin ndërhyrjet për të kapur dhe neutralizuar dronët dhe raketat hyrëse. Ndërkohë, vendi shpalli mbylljen e ambasadës së tij në Teheran, në sfondin e përshkallëzimit të konfliktit rajonal.
Drejt Omanit dhe Arabisë Saudite
Një pjesë e banorëve dhe turistëve janë nisur me makinë drejt Omanit, rreth katër orë e gjysmë larg, ku situata ka qenë më e qetë dhe aeroporti i Muskatit vazhdon të funksionojë, ndonëse me vonesa.
Shumica e fluturimeve komerciale nga Muskati drejt Europës rezultojnë të rezervuara plotësisht deri në fund të javës. Një turiste ruse, Alexandra Vavilova, tha se arriti të siguronte një nga biletat e fundit të disponueshme, një fluturim nga Muskati për në Kolombo, Sri Lanka.
Ndërkohë, çmimet për avionët privatë nga Muskati janë rritur ndjeshëm për shkak të kërkesës së lartë dhe vështirësive për të pozicionuar avionët në rajon. Kompania JetVip, me bazë në Muskat, deklaroi se një fluturim drejt Stambollit me një avion të vogël tip Nextant kushton tashmë rreth 85 mijë euro, afërsisht trefishi i çmimit normal. Vendet në charter drejt Moskës po shiten me rreth 20 mijë euro për person.
Edhe kompani të tjera raportojnë mungesë të theksuar disponibiliteti. AlbaJet, me seli në Austri, tha se kapacitetet janë “tejet të kufizuara”, me çmime që arrijnë rreth 90 mijë euro për fluturime drejt Europës. Sipas përfaqësuesve të saj, shumë operatorë hezitojnë të kryejnë fluturime për shkak të kushteve të sigurimit dhe vendimeve të pronarëve të avionëve. “Kërkesa është shumë e lartë, ndërsa oferta tepër e ulët”, u shpreh kompania.
Të tjerë kanë zgjedhur rrugën më të gjatë, rreth 10 orë me makinë drejt Riadit, pasi aeroporti i kryeqytetit saudit vijon të jetë operacional. Sipas raportimeve, kompani sigurie private kanë rezervuar flotë automjetesh SUV për të transportuar klientët drejt Arabisë Saudite, ku më pas organizohen fluturime private. Çmimet nga Riadi drejt Europës thuhet se kanë arritur deri në 350 mijë dollarë.
Polemika politike në Itali
Situata ka shkaktuar reagime edhe në Itali, pasi ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, u kthye në Romë me një avion qeveritar, ndërkohë që qindra shtetas italianë mbetën të bllokuar në Dubai. Ai ndodhej atje me familjen në pushime kur nisi konflikti.
Rasti ka ndezur debate politike dhe kërkesa për dorëheqje nga opozita, duke ngritur pikëpyetje nëse qeveria italiane kishte informacion të mjaftueshëm për zhvillimet e pritshme. Në përpjekje për të zbutur reagimet, Crosetto u kthye vetëm, duke lënë familjen në Dubai, dhe deklaroi se kishte paguar vetë për fluturimin. Ai tha se ishte rikthyer për t’u marrë me “çështje shumë më serioze”.
Turistët e zakonshëm mbeten në pritje
Për shumicën e turistëve, alternativa e vetme është të presin në Dubai. Bordi i turizmit të qytetit u ka kërkuar hoteleve të mos dëbojnë vizitorët që nuk mund të largohen për shkak të anulimeve masive të fluturimeve dhe të zgjasin qëndrimin me të njëjtat kushte rezervimi.
Megjithatë, disa turistë rusë kanë raportuar në rrjetet sociale se u është kërkuar të paguajnë shtesë ose të largohen nga resortet. Një grua ruse u ankua në një video se recepsioni i hotelit e kishte referuar tek agjencia e rezervimit, duke e konsideruar situatën “jo problem të tyre”.
Ndërkohë, mijëra turistë perëndimorë kanë mbetur të bllokuar në det, në bordin e anijeve turistike pranë brigjeve të Gjirit. Të paktën gjashtë anije të mëdha, me mijëra pasagjerë secila, ndodhen të ankoruara pranë porteve të rajonit. Në disa raste, pasagjerëve u është kërkuar të qëndrojnë në kabina dhe të shmangin daljen në ballkone.
Turistët në anijen “Mein Schiff 4” fotografuan re të zeza tymi mbi portin Zayed në Abu Dhabi pas shpërthimeve të shkaktuara nga dronët iranianë, duke deklaruar se ishin të tronditur nga transformimi i destinacionit të pushimeve në një zonë lufte.
Në Dubai, pasagjerët e “MSC Euribia” njoftuan se kartat e dhomave u ishin rinovuar deri më 6 mars, duke sinjalizuar se qëndrimi i tyre mund të zgjatet për një periudhë të pacaktuar.
Ndërkohë, situata në aeroportin ndërkombëtar të Abu Dhabit mbetet e paqartë, me raportime të ndryshme për nisje dhe anulime fluturimesh. Sipas Flightradar24, të paktën një avion pasagjerësh u nis drejt Londrës pasditen e së hënës.
Një avokate e njohur me bazë në Dubai shkroi në rrjetet sociale se banorët janë ndarë në tre grupe: ata që po drejtohen drejt kufirit me Omanin për të siguruar një avion privat dhe për të mbërritur “në Stamboll për mëngjes”; ata që vazhdojnë jetën normalisht, me plazh dhe shëtitje në perëndim; dhe një grup i tretë që ndjek strikt udhëzimet zyrtare për të qëndruar në strehim.
