Çmimet e energjisë elektrike dhe gazit ndryshojnë ndjeshëm nga një vend europian në tjetrin. Kur llogariten sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), barra mbi familjet rezulton më e rëndë në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.
Kostot e energjisë janë veçanërisht të rëndësishme për familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për këto nevoja. Sipas Eurostat, energjia elektrike, gazi dhe karburantet e tjera përbëjnë mesatarisht 4.6% të shpenzimeve totale të familjeve në Bashkimin Europian.
Sipas të dhënave të HEPI, të përpiluara nga Energie-Control Austria, MEKH dhe VaasaETT, çmimet ndryshojnë ndjeshëm mes kryeqyteteve europiane.
Që nga 2 janari 2026, çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë varionin nga 8.8 cent/kWh në Kiev deri në 38.5 cent/kWh në Bernë, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 25.8 cent/kWh.
Ndër qytetet më të shtrenjta për energjinë elektrike renditen:
-
Berlini (38.4 cent/kWh)
-
Brukseli (36.5)
-
Dublini (36.5)
-
Londra (36.4)
-
Praga (36.4)
Në anën tjetër, përveç Kievit, Budapesti (9.6), Podgorica (11.1) dhe Beogradi (11.6) ofrojnë çmimet më të ulëta për familjet.
Në përgjithësi, energjia elektrike është më e lirë në kryeqytetet e Europës Qendrore dhe Lindore, me përjashtim të Pragës. Ndërkohë, çmimet tejkalojnë rregullisht mesataren e BE-së në kryeqytetet e pesë ekonomive më të mëdha europiane, gjë që u konfirmua edhe në janar 2026.
Pse ndryshojnë kaq shumë çmimet?
Sipas përfaqësuesve të HEPI, faktorët specifikë të tregut luajnë rol kyç në këto diferenca. Këtu përfshihen, struktura e miksit energjetik strategjitë e furnizimit dhe çmimit të kompanive, subvencionet ndërsektoriale, taksat dhe kostot e shpërndarjes.
Këta faktorë ndikojnë ndjeshëm në renditje dhe çmime, siç ilustrohet edhe nga rasti i Berlinit.
Kur çmimet përshtaten sipas PPS, renditja ndryshon ndjeshëm. Ky standard eliminon diferencat e përgjithshme të nivelit të çmimeve dhe ofron një krahasim më realist të barrës ekonomike për familjet.
Këto lëvizje tregojnë se, ndonëse kryeqytetet e Europës Lindore kanë çmime nominalisht më të ulëta, fuqia më e dobët blerëse e bën energjinë më të shtrenjtë për familjet. Në të kundërt, qytetet e Europës Perëndimore dhe Veriore, edhe pse duken të shtrenjta, rezultojnë më të përballueshme në terma realë.
Në janar 2026, çmimet e gazit natyror për familjet varionin nga 1.6 cent/kWh në Kiev deri në 35 cent/kWh në Stokholm. Brenda BE-së, çmimi në Stokholm ishte më shumë se 13 herë më i lartë se në Budapest, ku gazi kushtonte vetëm 2.6 cent/kWh.
Amsterdami renditet i dyti me 17.4 cent/kWh, çka tregon se çmimi në Stokholm është dyfish më i lartë se ndjekësi më i afërt.
Sipas HEPI, kjo lidhet me strukturën specifike të tregut të gazit në Suedi, ku ka vetëm rreth 77 mijë konsumatorë familjarë, nga të cilët afro 50 mijë janë të lidhur me një rrjet të izoluar në Stokholm.
Ndër qytetet me çmime mbi mesataren e BE-së (10.6 cent/kWh) renditen gjithashtu:
-
Berna (15.8)
-
Lisbona (13.8)
-
Roma (13.6)
-
Parisi (12.8)
-
Vjena (12.7)
-
Dublini (11.7)
-
Praga (10.7)
Në terma PPS, Stokholmi mbetet qyteti më i shtrenjtë për gazin natyror, me çmime që variojnë nga 3.6 në Budapest deri në 28.5 në Stokholm.
Përshtatja sipas fuqisë blerëse tregon se qytetet me çmime nominalisht më të ulëta shpesh rezultojnë më të shtrenjta për familjet, ndërsa kryeqytetet perëndimore dhe veriore, pavarësisht çmimeve të larta, janë relativisht më të përballueshme.
