COP29: Nevojiten 1 trilion dollarë në vit për vendet më të varfra, përndryshe ndryshimet klimatike do të kushtojnë më shtrenjtë

  • Financa për klimën duhet të rritet në 1.3 trilion dollarë në vit deri në vitin 2035
  •  Grupi i ekspertëve: shuma do të ishte më e lartë nëse ndihma vonohet
  • Pak progres në fazën e hershme të negociatave për qëllimin e financimit

Vendete pjesëmarrëse në samitin COP29 po përpiqen të sigurojnë deri në 1 trilion dollarë financim për klimën për vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike, ndërkohë që tensionet politike e kanë rënduar atmosferën e bisedimeve dhe Argentina të enjten tërhoqi delegacionin e saj nga Baku.

 

Suksesi i samitit të këtij viti të Kombeve të Bashkuara për klimën do të varet tek fakti, nëse shtetet mund të arrijnë një marrëveshje për një qëllim të ri financimi nga vendet më të pasura, kreditorët zhvillimorë dhe sektori privat, të cilat do të ofrohen në formën e ndihmave çdo vit.

Shtetet në zhvillim kanë nevojë për të paktën 1 trilion dollarë në vit deri në fund të dekadës për të përballuar ndryshimet klimatike, thanë ekonomistët gjatë bisedimeve të OKB-së.
Shumë shtete kanë theksuar se ky financim është thelbësor për të vendosur objektiva ambiciozë për klimën para samitit të ardhshëm COP30 në Brazil.
Por arritja e një marrëveshjeje mund të jetë e vështirë në këtë samit, ku klima është rënduar nga mospajtime publike dhe pesimizëm për ndryshimet në politikën globale.
Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale ka hedhur dyshime mbi rolin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në bisedimet për klimën. Tensionet mes shteteve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim janë bërë më të dukshme në skenat kryesore dhe në sallat e negociatave.

“Palët duhet të kujtojnë se koha po kalon,” tha në një konferencë për shtyp Yalchin Rafiyev, negociatori kryesor i COP29. Qëllimi i mëparshëm i financimit vjetor prej 100 miliardë dollarësh skadon këtë vit. Por, shtetet e pasura e kanë përmbushur plotësisht këtë angazhim vetëm nga viti 2022.
Mëngjesin e së enjtes, një raport nga Grupi i Ekspertëve të Pavarur të Lartë për Financimin e Klimës tha se shuma vjetore e nevojshme duhet të arrijë të paktën 1.3 trilionë dollarë në vit deri në 2035, nëse shtetet nuk veprojnë tani.

Negociatorët po hartojnë draftet, por dokumentet e fazës fillestare, të publikuara nga grupi i klimës i OKB-së, tregojnë se pikëpamjet në tavolinë ende janë shumë të ndryshme.
Shumë qeveri perëndimore mbërritën në Baku të pavullnetshme për të angazhuar shuma të mëdha financimi.
Në pritje të një tërheqje të mundshme të Shteteve të Bashkuara nga çdo marrëveshje e ardhshme financimi, do të rritet presioni mbi delegatët për të gjetur mënyra të tjera të sigurimit të fondeve të nevojshme.

Mes tyre janë bankat zhvillimore si Banka Botërore, të financuara nga shtetet më të pasura dhe që janë në proces reformimi, të cilat mund të huazojnë më shumë.
Dhjetë nga më të mëdhatë kanë thënë se planifikojnë të rrisin financimin për klimën me rreth 60% në 120 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030, me të paktën 65 miliardë dollarë shtesë nga sektori privat.
Të enjten, Zakir Nuriyev, kreu i Shoqatës së Bankave të Azerbajxhanit, tha se 22 bankat e vendit do të angazhohen të investojnë rreth 1.2 miliardë dollarë në projekte që ndihmojnë Azerbajxhanin të kalojë në një ekonomi me karbon të ulët.

Më shumë ndarje sesa bashkim

Deri më tani, konferenca – të cilën shumë liderë globalë vendosën ta anashkalojnë – është shënuar më shumë nga ndarja sesa nga uniteti.
Tërheqja e papritur e Argjentinës të enjten e konfirmon këtë. Zëdhënësi presidencial i Argjentinës tha se kjo lëvizje do të mundësojë që Gerardo Werthein, ministri i ri i punëve të jashtme, të “ri-vlerësojë situatën, të reflektojë mbi pozicionin”.
Ministri është “tërhequr nga delegacioni për shkak të një reforme të plotë që ai do të bëjë. Nuk ka shumë për të thënë më,” tha zëdhënësi, Manuel Adorni, në një konferencë për shtyp në Buenos Aires.
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, i cili ka quajtur ngrohjen globale një mashtrim, kishte planifikuar të takohej këtë javë me Trump, gjithashtu një mohues i ndryshimeve klimatike.
Kur u pyet nëse Argentina do të tërhiqej nga Marrëveshja e Parisit, Ana Lamas, nënsekretarja për mjedisin në Argjentinë, e cila udhëhoqi delegacionin e vendit në COP29, i tha Reuters: “Po tërhiqemi vetëm nga COP29.”
Vëzhguesit kritikuan tërheqjen nga qeveria e djathtë e Argjentinës dhe thanë se kjo mund të dëmtojë shpresat e vendit për të siguruar financime për klimën në të ardhmen.

“Kjo do ta bëjë Argjentinën, e cila ka qenë një zë i rëndësishëm për mjedisin, të duket më pak e besueshme në tregjet ndërkombëtare dhe në komunitetin ndërkombëtar,” tha Oscar Soria, kryetar i grupit të shoqërisë civile Top Social.
Presidenca e Azerbajxhanit në COP29 e përshkroi këtë si një çështje ndërmjet Argjentinës dhe Kombeve të Bashkuara.
Një negociator nga një shtet i zhvilluar tha se deri tani nuk ka parë asnjë shenjë që ndonjë shtet tjetër do të ndjekë shembullin e Argjentinës dhe do të largohet.
Një ditë më parë, ministrja e klimës e Francës, Agnès Pannier-Runacher, anuloi udhëtimin e saj në COP29 pasi Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, akuzoi Francën për “krime” në territoret e saj të jashtme në Karaibe.
Franca dhe Azerbajxhani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara për shkak të mbështetjes së Parisit për Armeninë, rivalin e Azerbajxhanit.
“Pavarësisht çdo mosmarrëveshjeje bilaterale, COP duhet të jetë një vend ku të gjitha palët ndihen të lira për të ardhur dhe negociuar për veprimin ndaj klimës,” tha Komisioneri i Klimës i Bashkimit Evropian, Wopke Hoekstra, në një postim në X.

Reuters

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top