Sfidat kibernetike janë shtuar po as sa zhvillimi i teknologjisë, ndërsa kërkesat për përputhje ligjore po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara. Cyber Morfosis, kompani shqiptare, po shënon hapa të rëndësishëm në skenën evropiane të sigurisë dixhitale. Ajo po ndërthur ekspertizën lokale me vizionin global për të ndërtuar një qasje të re ndaj sigurisë së informacionit.
Përmes platformës inovative PRiM – Platform for Risk Management, Cyber Morfosis po ndihmon organizatat të automatizojnë menaxhimin e riskut, pajtueshmërinë ligjore dhe mbrojtjen e të dhënave në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme.
Në një bisedë për Vaspas, Gentjana Muçaj, bashkëthemeluese e Cyber Morfosis ndan detaje mbi funksionalitetet më të reja të PRiM, interesin në rritje të tregut për shërbimet e sigurisë, sfidat me të cilat përballen kompanitë në rajon, si dhe planet e ardhshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale në menaxhimin e riskut.
Cilat janë funksionalitetet e reja që po implementoni dhe çfarë sjellin ato?
Kur filluam Cyber Morfosis, e dinim që po hynim në një treg që ende nuk e kuptonte plotësisht pse i duhet siguria kibernetike, por pikërisht kjo na motivoi. Aktualisht punojmë në dy kahe paralele: nga njëra anë kemi shërbimet e sigurisë së informacionit që përfshijnë trajnime, konsulencë, zhvillim strategjish dhe mbështetje për pajtueshmëri ligjore e implementime teknike; nga ana tjetër, zhvillojmë platformën PRiM – Platform for Risk Management.
Të dyja plotësojnë njëra-tjetrën sepse kuptojmë që teknologjia e vetme nuk mjafton duhen edhe njerëzit e trajnuar, standardet dhe proceset e duhura.
Tani po zgjerojmë PRiM me disa module që ndryshojnë mënyrën se si organizatat punojnë. Organization Risk është një prej tyre: të tregon automatikisht ku ke dobësi kur nuk je në përputhje me ligje, politika apo standarde. Është sikur të kesh dikë që kontrollon vazhdimisht nëse je në rregull me çka duhet.
Kemi edhe Third-Party Risk Management, i domosdoshëm sot që çdo kompani varet nga furnitorë apo palë të treta. Modulet e reja lejojnë vlerësim automatik të riskut nga partnerët dhe rishikim periodik pa u dashur ta bësh manualisht.
Po shtojmë gjithashtu dashboard-e të reja, që të japin një pamje të menjëhershme mbi ecurinë e proceseve, zonat që kërkojnë vëmendje dhe progresin e përgjithshëm, të shoqëruara me raporte gati për auditime në shqip dhe anglisht.
Metodologjia e scoring është e personalizueshme sipas logjikës së çdo kompanie apo kërkesave të enteve kontrolluese.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që Bashkimi Evropian po ndërton një strategji më mbrojtëse për produktet dixhitale, duke forcuar sovranitetin dhe mbrojtjen e të dhënave. Platforma jonë PRiM është ndërtuar “secure by design” dhe “privacy by design”, që nga fillimi jo si shtesë më vonë. Kjo na vendos në linjë me drejtimin që po ndjek Europa.
Si është interesi i kompanive për shërbimet tuaja dhe për çfarë janë më shumë të interesuara?
Ka një rritje të qëndrueshme, veçanërisht nga sektorë si bankat, kompanitë e telekomunikacionit, fintech-et, turizmi dhe startup-et teknologjike. Interesimi vjen jo vetëm nga vetëdija, por edhe nga ligjet e reja.
Në janar 2025 hyri në fuqi ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave në Shqipëri, i harmonizuar me GDPR, që ka ndryshuar shumë qasje. Tani kompanitë nuk pyesin më pse ta bëjmë, por si ta bëjmë më mirë.
Kërkesa më e madhe është për automatizimin e menaxhimit të riskut dhe pajtueshmërisë, që zakonisht bëhet me procese manuale e të lodhshme. Duan një sistem të lehtë për t’u përdorur, efikas për kontrollet dhe auditimet, që ofron monitorim të furnitorëve dhe raporte për vendimmarrje të saktë të gjitha në një vend.
Përveç platformës, ofrojmë edhe trajnime për ekipet, konsulencë strategjike dhe ndihmë në ndërtimin e politikave të sigurisë që përshtaten me realitetin e çdo organizate. Ne besojmë se siguria e informacionit duhet të jetë kulturë organizative, pjesë e çdo niveli drejtues.

Ku po operoni përveç Shqipërisë?
Operojmë në Shqipëri dhe në disa vende të Bashkimit Evropian. Kemi konsulentë aktivë në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Poloni dhe jemi në bisedime të avancuara me organizata në Belgjikë dhe Holandë, që është baza jonë për tregun evropian.
Kemi ndërtuar partneritete me organizata në MB dhe SHBA për ekspertizë në përputhje ligjore, pasi çdo vend ka rregulla specifike. Ekipi ynë është i shpërndarë gjeografikisht, gjë që na jep një perspektivë më të gjerë për mënyrën si funksionojnë tregjet.
Cilat janë arritjet dhe sfidat kryesore gjatë dy viteve të fundit?
Dy vitet e fundit kanë qenë shumë dinamike. Kemi ndërtuar dhe lancuar PRiM, jemi zgjeruar ndërkombëtarisht dhe kemi marrë pjesë në evente të mëdha ndërkombëtare si Identity Week Amsterdam, One Conference në Hagë, CyberSec Brussels, Upstream Festival Rotterdam, dhe Public Security Exhibition të organizuar nga ADS në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Holandë.
Sfidat janë të qarta: tregu në rajon ende po mëson të mendojë në mënyrë proaktive, jo vetëm pas ndodhjes së incidenteve. Shumë kompani reagojnë me vonesë, kur ndonjë konkurrent pëson sulm.
Ndërkohë, teknologjia dhe rregulloret ndryshojnë me ritme të shpejta. Ajo që ishte e mjaftueshme dje, sot nuk është më. Ndryshimet kërkojnë kohë dhe kosto, sidomos për organizata me sisteme të ndërtuara prej vitesh ndaj fokusohemi te zgjidhje të qëndrueshme dhe graduale.
Cilat janë planet për të ardhmen e Cyber Morfosis?
Synojmë të zhvillojmë më tej PRiM, duke integruar inteligjencën artificiale dhe analiza parashikuese që ndihmojnë organizatat të shohin jo vetëm ku janë sot, por edhe ku rrezikojnë të shkojnë nesër nëse nuk veprojnë.
Me prezencën tonë në BE, do të forcojmë shërbimet për tregun evropian, pa humbur lidhjen me Shqipërinë dhe organizatat lokale.
Ne e shohim sigurinë e informacionit si një tërësi nga trajnimi dhe strategjia, te teknologjia dhe zbatimi praktik. Synimi ynë është që çdo organizatë, pavarësisht madhësisë, të ketë akses në mjetet dhe njohuritë për t’u mbrojtur pa kosto të tepruara.
Aseti ynë më i çmuar mbetet ekipi , profesionistë me përvojë të gjatë ndërkombëtare, që i japin Cyber Morfosis besueshmëri, ekspertizë dhe vizion afatgjatë.
Cyber Morfosis, është një startup i vlerësuas në skena të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare, me çmimin e parë të marrë nga kompeticioni i startupeve, zhvilluar nga qendra Kallz.
