Banka e Shqipërisë

Detaje dhe simbolika nga monedha e 100-vjetorit”: shpjegon Erinda Çaushi, Drejtoreshë e Komunikimit në Bankën e Shqipërisë

Erinda CaushiErinda Çaushi, Drejtoreshë e Komunikimit, Banka e Shqipërisë

Në vijim të festimeve për 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë, Drejtoresha e Komunikimit, Erinda Caushi, sjell detaje për monedhën e re përkujtimore  një simbol që sintetizon një shekull histori monetare dhe identitet kombëtar.

Kjo monedhë e veçantë, e prodhuar në argjend dhe e emetuar në vetëm 500 copë, ndërthur artin, traditën dhe figurat përfaqësuese të kulturës shqiptare, duke e kthyer në një objekt me vlerë të lartë artistike dhe koleksionuese. Që në momentet e para, ajo ka tërhequr vëmendjen e publikut, mediave, rrjeteve sociale dhe vizitorëve të muzeut.

Përmes këtij emetimi, qytetarët jo vetëm njihen me rrugëtimin njëqindvjeçar të parasë shqiptare, por edhe afrohen më shumë me institucionin e bankës qendrore. Një objekt i vogël në formë, por me një mesazh të madh për trashëgiminë kulturore dhe rrugëtimin europian të vendit.

Si u prit monedha e re?
Monedha e re u prezantua për herë të parë gjatë konferencës shkencore ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, një ngjarje historike ku u mblodhën 10 guvernatorë bankash qëndrore dhe u transmetuan videomesazhe nga dy figura të njohura të financave botërore,Christine Lagarde, Presidente e Bankës Qendrore Evropiane, dhe Kristalina Georgieva, Drejtore e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

”Prezantimi u zhvillua me vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Monedha përkujtimore është pjesë e një programi të gjerë aktivitetesh për 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë. Puna për përgatitjen e monedhës u realizua nga një grup i specializuar brenda bankës në fushat e komunikimit, historisë monetare dhe dizajnit me synimin për të ndërthurur bukurinë artistike me vlerën historike,” shprehen nga banka.

Interesi i publikut ishte shumë më i madh se sa pritej. Që nga momentet e para pati reagime të gjera në rrjetet sociale, në media dhe te koleksionistët, por mbi të gjitha, monedha u mirëprit edhe nga qytetarët e zakonshëm, si një simbol i rëndësishëm kulturor dhe identitar, jo vetëm si objekt festiv.

Sa prerje ka monedha?
“Kjo monedhë është emetuar në një sasi të limituar prej 500 copë. Monedhat përkujtimore nuk synojnë qarkullim të gjerë, por ruajnë histori. Vendosëm të bëjmë një prerje të vetme, për të mbajtur fokusin tek ideja: një objekt që përmbledh 100 vite histori, figurat simbolike dhe mesazhin e këtij jubileu,” shprehen nga Banka e Shqipërisë.

Monedha përmbledh 100 vitet e parasë shqiptare, nga 20 Franga Ar e vitit 1926 deri te monedhat dhe kartëmonedhat moderne që përdorim sot.

Kur do të jetë në dispozicion për publikun?
Monedha është tashmë në shitje pranë Muzeut të Bankës së Shqipërisë për të gjithë të interesuarit. Pjesa më e madhe e kërkesës ka ardhur nga koleksionistët, studentët, vizitorët e muzeut dhe qytetarët që duan ta ruajnë si kujtim.

Shumë monedha përkujtimore nuk përdoren për transaksione të përditshme, por ruhen si objekte me vlerë kulturore dhe personale. Monedha e 100-vjetorit u prit shumë mirë edhe nga qytetarët e zakonshëm, të cilët e shohin si një simbol që lidhet me historinë e vendit.

Cili është materiali i monedhës?
Monedha është prodhuar në argjend, duke rritur kështu vlerën e saj artistike dhe koleksionuese. Në faqen e saj ndodhet logoja e 100-vjetorit, e krijuar posaçërisht për këtë përvjetor. Logoja bashkon numrin “100” me elemente kombëtare në një formë moderne dhe elegante, duke krijuar një urë mes së kaluarës dhe së ardhmes.

Pse u përzgjodhën figurat e Asdrenit dhe djaloshit me veshje tradicionale?
“Djaloshi me veshje popullore përfaqëson rrënjët dhe identitetin, duke kujtuar fillimet e historisë së bankës qendrore. Figura është marrë nga kartëmonedha e parë shqiptare, 20 Franga Ar, e vitit 1926.

Portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni është nga kartëmonedha 10000 Lekë, e vitit 2019. Monedha tregon evoluimin e Shqipërisë nga koha e ndërtimit të shtetit deri te banka qendrore moderne dhe e integruar në sistemet evropiane.”

Si pasqyron monedha identitetin kulturor të Shqipërisë?
Monedha është një shembull i qartë se si arti, historia dhe simbolet kombëtare mund të përmblidhen në një objekt të vetëm. Ajo përfshin:

  • Logon e 100-vjetorit → vizion modern për të ardhmen

  • Datat historike të bankingut shqiptar → kujtesa institucionale

  • Djalin me veshje popullore → tradita dhe folklori

  • Poetin Asdreni → figura e kulturës dhe mendimit shqiptar

Ky kombinim e bën monedhën një nga objektet më përfaqësuese të identitetit kulturor për këtë jubile.

Pse janë të rëndësishme monedhat përkujtimore?
“Monedhat përkujtimore janë si ‘muze të vegjël’ që mund t’i mbajmë në xhep. Ato përmbledhin momente historike, figura ose ngjarje që duhet të ruhen dhe të transmetohen. Monedha e 100-vjetorit ka një funksion të dyfishtë: kujton rrugëtimin njëqindvjeçar të bankës qendrore dhe ruhet si simbol i historisë së shtetit modern shqiptar. Shumë vende emetojnë monedha përkujtimore për ngjarjet më të rëndësishme historike, duke ruajtur kështu trashëgiminë kombëtare.”

Si ndikon monedha në perceptimin e publikut për bankën qendrore?
“Monedhat përkujtimore afrojnë publikun me institucionin. Banka qendrore shpesh perceptohet si një institucion teknik, por përmes monedhave qytetarët shohin edhe anën e saj historike dhe kulturore. Kjo rrit besimin dhe krijon një lidhje emocionale midis publikut dhe institucionit.”

Cili është roli i monedhës në arenën ndërkombëtare?
“Monedha është ambasadori më i vogël i një vendi. Ajo shkon jashtë kufijve në duart e koleksionistëve, në muze, në ekspozita dhe publikime ndërkombëtare. Monedha e 100-vjetorit tregon qartë: Shqipëria është një vend me histori dhe tradita të pasura kulturore, me institucione moderne dhe një të ardhme europiane.”

Një objekt i vogël, por me një mesazh të madh: rrënjë të forta, institucione të qëndrueshme dhe një vizion europian për të ardhmen.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top