Pjekuria emocionale ekziston në një vijë vazhdimësie, dhe secili prej nesh mund të rrëshqasë në mënyrë të pavetëdijshme gjatë periudhave të stresit. Të tregosh mirëkuptim për papjekurinë emocionale nuk do të thotë të pranosh çdo sjellje, por ndihmon në krijimin e hapësirës për zhvillim personal dhe ndërveprim më të ndërgjegjshëm. Në të njëjtën kohë, vendosja e kufijve është thelbësore për të mbrojtur veten nga sjelljet e dëmshme dhe për të nxitur përgjegjshmërinë.
Nga njëra anë, të gjithë ne jemi të ndërlidhur në të njëjtin ekosistem, në të njëjtin planet. Në këtë kuptim, ecim përpara ose dështojmë së bashku. Të gjithë përfitojmë nga empatia dhe dhembshuria.
Por, nga ana tjetër?
Eseja satirike e Larry David, e botuar në New York Times me titullin “Darkat e mia me Adolf-in”, na kujton se edhe dhembshuria ka kufij dhe veçanërisht kur përballemi me sjellje apo ideologji thellësisht të dëmshme dhe të papranueshme.
Një profesioniste me përvojë mbi 15-vjeçare në mbështetjen e personave që kanë kaluar trauma, vëren se çdo person përballet me këtë paradoks: të gjejë një masë të dhembshurisë për ata që e kanë zhgënjyer apo nuk kanë përmbushur nevojat e tij, ndërkohë që përcakton se cilat sjellje nuk do t’i pranojë më. Secili njeri mëson të dallojë se cilit lloj dëmi nuk do t’i ofrojë më “mikpritje”.
Studiueset si Dr. Lindsay Gibson, me librin e saj “Fëmijët e rritur të prindërve emocionalisht të papjekur”, dhe më herët Alice Miller me veprën “Drama e fëmijës së talentuar”, kanë ndihmuar miliona njerëz të kuptojnë këtë paradoks të vendosjes së kufijve me dhembshuri. Këto studime hedhin dritë mbi marrëdhëniet me individë që, edhe pse janë të rritur në moshë, funksionojnë në një fazë më të hershme emocionale. Papjekuria emocionale shfaqet me egocentrizëm, vështirësi në menaxhimin e emocioneve dhe me tendencën për ta parë realitetin në bazë të ndjenjave, jo fakteve. Kjo mund të dalë në pah përmes sjelljeve shpërthyese, mohimit, tërheqjes, ose heshtjes si mjet ndëshkimi.
Edhe pse disa njerëz mund të përshkruhen me etiketa si “narcistë” ose “sociopatë”, Gibson thekson se papjekuria emocionale nuk është një cilësi fikse, por një spektër ku të gjithë mund të rrëshqasim, veçanërisht nën stres. Ky kuptim nxit empatinë duke na kujtuar se të gjithë jemi të cenueshëm në aspekte të caktuara.
Psikologjia ka kërkuar prej kohësh të kuptojë më mirë çfarë është pjekuria emocionale, duke filluar që me teoritë e Freud-it për mekanizmat mbrojtës. Mekanizmat më primitivë si mohimi (refuzimi për të pranuar informacion të dhimbshëm), shtypja (shtyrja e ndjenjave në nënvetëdije), projektsioni (akuzimi i të tjerëve për ndjenja që në fakt janë të tuat), zhvendosja (shkarkimi i mllefit te dikush tjetër më i dobët) dhe regresioni (kthimi në sjellje fëminore) janë të gjitha mënyra për të përballuar stresin. Por kur përdoren vazhdimisht, këto mekanizma pengojnë përpunimin e informacionit të ri dhe justifikojnë sjellje të dëmshme.
Ku po vëreni përdorimin e këtyre mekanizmave mbrojtës në jetën e përditshme?
Ku po shihni shembuj të menaxhimit të shëndetshëm të emocioneve?
Shembuj ku njerëz përballen me emocione të forta si frika, trishtimi, zemërimi, turpi apo ndjenja faji dhe arrijnë të sillen në mënyra të qëndrueshme dhe me vlera?
Në një shkallë më të gjerë, ky paradoks prek edhe diplomacinë, politikat globale dhe zgjedhjet që bëjmë si qytetarë. Empatia ndaj papjekurisë emocionale të ndikuar shpesh nga vuajtja është e rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve dhe mundësinë për rritje. Por, satira e Larry David na kujton se ka një kufi: disa sjellje ose ideologji nuk duhen normalizuar apo justifikuar me dhembshuri. Hitler vuante, madje shkroi një libër për këtë (Mein Kampf), por kjo nuk e justifikon kurrë atë që bëri.
Ku dëshironi të zgjasni “mikpritjen” tuaj për të ndërtuar mirëkuptim dhe rritje?
Dhe ku po e teproni me mikpritjen, në dëm të vetes?
Pjesë e pjekurisë emocionale është të mësosh të jetosh me “zonat gri”. Mendimi bardh-e-zi është i dobishëm në situata emergjente dhe kur duhet të shpëtojmë veten nga rreziku. Por jashtë krizës, ndarja e botës në të mirë/të keq, ne/ata, është e varfër dhe pengon dialogun, lidhjen dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme.
Dhe sërish, Larry David me humorin e tij në “Darkat e mia me Adolf-in” godet në shenjë: ideja që thjesht duke u ulur në një darkë me një person të neveritshëm mund të ndryshojmë mendjet apo zemrat, është absurde. Ai e mbyll pjesën me një përshëndetje naziste dhe me një mënyrë për të na tronditur dhe për të kujtuar se jo gjithçka mund të zbutet me empati.
Pyetje për reflektim:
-
Me kë po përpiqeni të gjeni balancën mes dhembshurisë dhe kufijve?
-
Nga kush keni vendosur të shkëputeni? A është kjo largim përfundimtar apo i përkohshëm?
-
A ka ndonjë mundësi që kjo marrëdhënie të rihapet? Si ka ndikuar kjo ndarje në jetën tuaj?
Vendosja e kufijve me ata që vazhdojnë të sillen në mënyra të dëmshme, pavarësisht përpjekjeve tuaja, është një akt mbrojtjeje. Kështu krijohet hapësirë për t’i ofruar mirëseardhje atyre që janë të gatshëm të ndryshojnë e të rriten.