Dhoma Amerikano-Ballkanike e Tregtisë zhvilloi një event pritje në Nju Jork me mundësi për network, për mbi 100 sipërmarrës nga rajoni i Ballkanit dhe vende të ndryshme të botës, si dhe drejtues të institucioneve. Zhvilluar gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pritja iu kushtua krerëve të delegacioneve nga Evropa Juglindore.
Të pranishëm ishin krerë shtetesh, ministra, ambasadorë, diplomatë dhe liderë të lartë të biznesit nga vende të ndryshme evropiane, si dhe nga Afrika, Azia dhe Amerika.
Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut theksoi nevojën e rritjes se bashkëpunimit mes vendeve në Ballkan, si një mundësi për integrim më të shpejtë në Bashkimin Europian. Ajo solli shembullin e suksesit të vendeve Baltike për bashkëpunimin mes tyre dhe prezantimin e tyre në tregun global.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, tha se, mësimi kryesor i realitetit të pas-luftës, është ndërvarësia e vendeve në rajon. “Në fund të fundit, të mbrosh njëri-tjetrin do të thotë të mbrosh vetveten,” u shpreh ajo.
Drejtuesit e Dhoma Amerikano-Ballkanike të Tregtisë theksuan gjatë network-ut, misionin e kësaj dhome, për integrimin ekonomik rajonal, rritjen e mundësive të investimit, ndikimin në zhvillim të qëndryeshem e inovacion si dhe në rritjen e tregtisë dhe diplomacisë.
Eventi u zhvillua në zyrat e Fragomen në New York City, një firmë udhëheqëse në fushën e ligjit të emigracionit dhe korporatave në SHBA. Duke folur në emër të mikpritësve, Eda Derhemi, këshilltare në Fragomen, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm me drejtuesit dhe ekipin e Dhomës, Presidenten e Dhomës, Eliza Prendova, si dhe Aleksanda Miloseska, Nevila Dudaj, Nancy Kajo, Nikola Andreevski, Boban Popevski, Kiril Savovski, Aleksander Mitrevski dhe Thakur Aggarwal.
Dhoma u themelua në mars të këtij viti, si një organizatë jofitimprurëse e përkushtuar në promovimin e tregtisë dhe investimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit, duke iu shërbyer kompanive të çdo madhësie, nga startup-et, deri te koorporatat shumëkombëshe.