Përfaqësues të komunitetit të fuqishëm të Diasporës Hasjane në Mbretërinë e Bashkuar zhvilluan një takim të rëndësishëm me Ambasadorin e Shqipërisë në Londër, Dr. Uran Ferizi, ku në qendër të vëmendjes ishte shqetësimi i thellë për ndarjen e mundshme të Hasit në disa njësi të reja administrative, sipas ndryshimeve të reformës territoriale.
Në këtë takim, ku morën pjesë figura të njohura të Diasporës Hasjane si Shefqet Kraja, Ilir Nabolli, Mentor Bokçiu, Misin Dajçi, Ermal Karakushi, Fatmir Kastrati, Mustaf Ahmati dhe Alfred Ferizolli, u theksua me forcë nevoja për ruajtjen e bashkisë Has si një entitet i vetëm dhe i pandarë.
Gjatë bisedës, drejtuesit e diasporës i paraqitën ambasadorit fakte të pakundërshtueshme që argumentojnë domosdoshmërinë e ekzistencës së bashkisë Has. Ata ngritën zërin për të mbrojtur unitetin historik dhe identitar të këtij rajoni, duke theksuar se Hasi përbën një rajon homogjen me një rol tejet të rëndësishëm në historinë kombëtare. Ky rajon ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm që nga Revolucioni i Qershorit 1924, kur hasjanët u radhitën krah Bajram Currit dhe Fan Nolit, e deri në historinë e fundit të kombit, ku Hasi u shndërrua në një zonë jetike për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke strehuar dhe mbështetur mijëra refugjatë kosovarë gjatë luftës. Përfaqësuesve të diasporës u shprehën bindshëm se çdo copëtim administrativ i Hasit do të rrezikonte të shkatërronte këtë unitet social, kulturor dhe ekonomik të krijuar ndër shekuj.
Një tjetër pikë kyçe e takimit ishin lidhjet e forta ndërkufitare që Hasi ka me krahinën e Hasit të Kosovës. Lidhjet familjare, ekonomike dhe tregtare mes dy anëve të kufijve janë të pandashme, dhe një ndarje artificiale administrative brenda Shqipërisë do të krijonte vështirësi praktike për banorët dhe do të shpërfillte plotësisht realitetin natyror dhe shoqëror të zonës.
Përfaqësuesit e diasporës ngritën gjithashtu shqetësimin se emigracioni masiv, veçanërisht drejt Britanisë së Madhe, ka sjellë investime dhe remitanca të konsiderueshme në Has. Identiteti i fortë lokal është motivi kryesor që i mban Hasjanët e Diasporës të lidhur me vendlindjen dhe i shtyn ata të investojnë. Ata paralajmëruan se një copëtim i mundshëm i bashkisë do ta zbehte këtë motivim dhe do të përshpejtonte më tej procesin shqetësues të shpopullimit të zonës.
Duke përfunduar, Diaspora Hasjane kërkoi me ngulm që çdo vendim lidhur me të ardhmen administrative të Hasit të mos merret pa një konsultim të gjerë dhe transparent me banorët e zonës. Ata theksuan se ndryshime të tilla prekin drejtpërdrejt investimet lokale, infrastrukturën, menaxhimin e pyjeve, arsimin dhe shëndetësinë. Çdo vendim i marrë pa përfshirjen e komunitetit rrezikon të shkaktojë një kundërshtim të fortë dhe të dëmtojë marrëdhëniet me diasporen, e cila mbetet një nga shtyllat kryesore të mbijetesës ekonomike të rajonit.
Në fund të takimit, drejtuesit e Diasporës Hasjane dhe Ambasadori Ferizi ndanë të njëjtin qëndrim për vendlindjen, duke u dakordësuar për domosdoshmërinë e ruajtjes së bashkisë Has. Shqetësimet dhe kërkesat e Hasjanëve në mërgim pritet t’u drejtohen në ditët në vijim autoriteteve më të larta të vendit, me shpresën për të marrë në konsideratë zërin e diasporës dhe për të mos lejuar cënimin e integritetit të këtij rajoni me rëndësi historike e kombëtare.
Gjithashtu gjatë javës që vjen drejtues të Diasporës Hasjane do të zhvillojë takime zyrtare me përfaqësues të institucioneve Shqiptare dhe përfaqësues të huaj për çështjen e mbrojtjes së ekzistencës së Bashkisë Has.
