Një nga drejtuesit më të lartë të gjigantit financiar Blackstone thotë se diplomat nga universitetet elitare, nuk janë më të mjaftueshme për të garantuar suksesin afatgjatë në karrierë. Ajo që bën diferencën, sipas tij, janë puna e palodhur, mendësia sipërmarrëse dhe mirësjellja ndaj të tjerëve.
Në një postim në LinkedIn, presidenti dhe drejtori operativ i Blackstone, Jon Gray, iu drejtua analistëve të rinj duke i paralajmëruar që të mos përpiqen të avancojnë duke u servilosur ndaj eprorëve apo duke konkurruar në mënyrë agresive me kolegët.
“Shumica prej jush keni studiuar në universitete elitare. Keni pasur rezultate shumë të mira dhe keni qenë në krye të klasës,” pranoi Gray në një video të publikuar në profilin e tij në LinkedIn. “Por, kur shikoj njerëzit që kanë pasur vërtet sukses në Blackstone, nuk janë ata që bëjnë vetëm aq sa duhet. Janë ata që thonë: ‘Unë do ta bëj këtë punë në mënyrë perfekte’.”
Sipas Gray, ata që ngjiten më lart në hierarkinë e kompanisë janë individë që dinë të punojnë mirë me të tjerët dhe që sjellin ide për ta bërë organizatën më të mirë.
Gabimi i shumicës është të mendojnë se për të ngjitur shkallët duhet të përkëdhelin shefat dhe të jenë të ashpër me kolegët ,” tha ai. “Në të vërtetë, çelësi i suksesit është të sillesh me respekt dhe mirësjellje ndaj të gjithëve, brenda dhe jashtë kompanisë.
Gray e cilësoi mirësjelljen si “një superfuqi të jashtëzakonshme”, duke theksuar se suksesi ndërtohet mbi respektin dhe bashkëpunimin.
“Për të pasur sukses, duhet të punoni më fort dhe të tregoni më shumë përkushtim. Kjo nuk është e komplikuar,” u shpreh ai, duke i inkurajuar punonjësit të mendojnë si sipërmarrës dhe të trajtojnë të tjerët ashtu siç do të donin të trajtoheshin vetë.
Punësimi i bazuar në aftësi, jo në diploma
Deklaratat e Gray vijnë në një moment kur të rinjtë amerikanë po përballen me një treg pune gjithnjë e më të vështirë. Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja Amerikane e Statistikave të Punës, ekonomia e SHBA-së ka krijuar rreth një milion vende pune më pak gjatë vitit të kaluar sesa ishte vlerësuar fillimisht.
Kjo situatë ka bërë që shumë të rinj të gjeneratës Z të vënë në dyshim vlerën e një diplome universitare. Një sondazh i platformës Indeed tregon se më shumë se një e treta e të diplomuarve të fundit mendojnë se studimet e tyre kanë qenë “humbje parash”, për shkak të kostove të larta të arsimit dhe ndikimit në rritje të inteligjencës artificiale në biznes.
Në të njëjtën kohë, kompanitë po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi inteligjencës emocionale dhe aftësive ndërpersonale. Një raport i LinkedIn për vitin 2024 evidenton një rritje prej 31% që nga viti 2018 të drejtuesve të nivelit të lartë që theksojnë aftësi të mira në profilet e tyre profesionale. Ndër më të përmendurat janë komunikimi efektiv, mendimi strategjik, vizioni afatgjatë dhe zgjidhja e konflikteve.
Aneesh Raman, drejtori për mundësitë ekonomike në LinkedIn, tha më herët për revistën Fortune se këto aftësi njerëzore do të jenë gjithnjë e më thelbësore për drejtuesit. “Ato janë thelbësore jo vetëm për mënyrën se si dikush bëhet drejtues, por edhe për vetë punën e drejtuesve, mobilizimin e ekipeve dhe ndërtimin e kompanive me qendër njeriun.”
Edhe Michael Bush, drejtori ekzekutiv i Great Place to Work, konfirmon se zhvendosja drejt punësimit të bazuar në aftësi po ndodh në shkallë globale, veçanërisht me integrimin e inteligjencës artificiale në proceset e punës.
“Fokusi kryesor i pesë viteve të fundit ka qenë zhvillimi i aftësive,” tha Bush për Fortune. “Sot kompanitë nuk flasin më për diploma. Ato pyesin se çfarë aftësish ke dhe cilat aftësi do të nevojiten në të ardhmen?”
