Shqipëria i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka ligjet në fushën e dronëve në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian. Por, zbatimi i këtyre normave nuk ecën me të njëjtin ritëm. Ndërsa sektorë të ndryshëm si bujqësia, turizmi, por edhe industria kreative mund të përfitojnë nga përdorimin i kontrolluar i dronëve, ne kemi më shumë pengesa krahasuar me vendet e rajonit. Adrian Haxhiaj, Ekspert i fushës së ICT dhe Dronëve. Trajner dhe konsulent në fushën e UAS (Unmanned Aircraft Systems) flet për mundësitë e rritjes së përdorimit të dronëve.
Dronët janë pjesë e një fushe inovative që në Shqipëri mund të ndihmojnë tregun vendas. Si është rregulluar ligjërisht çështja e përdorimit të dronëve në vendin tonë?
Dronët janë nga sektorët më inovativë në botë dhe përdorimi i tyre nuk njeh limite, duke hapur mundësi për shumë sektorë të rinj. Edhe në Shqipëri, përdorimi i tyre po duket nga dita në ditë dhe shumë fusha të ekonomisë. Këtu mund të theksoj sektorin e mediave, të filmimit dhe fotografisë, të ndërtimit, sidomos përdorimi nga gjeometrët, nga shoqata të mbrojtjes së mjedisit, nga institucione shtetërore si ai i Mbrojtes Civile, nga ASIGU (Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor) e shumë sektorë të tjerë.
Lidhur me kuadrin ligjor që rregullon pjesën e dronëve, aktualisht janë tre rregullore të marra nga standardet evropiane dhe konkretisht nga EASA (Agjensia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit) dhe të pregatitura për përdorimin e droneve në Shqipëri. Pjesa më e rëndësishme është operimi i dronëve. Kjo presupozon respekimint e rregullave që duhet të kihen parasysh kur droni ngrihet në ajër. Dronët janë mjete fluturuese dhe duhet të ndjekin me rigorozitet ligjet dhe rregulloret përkatëse për përdorimin e hapësirës ajrore. Por, deri në momentin që po flasim, këto rregullore nuk janë ende në zbatim. Kështu që kemi një situatë ku, të gjithë ata që përdorin dronët civilë sot, fluturojnë pa rregulla.
Cilët janë hapat që duhet të ndiqen në vijim nga strukturat publike përgjegjëse në vend?
Krahas hartimit të rregulloreve që përmendëm më lart, që kanë nevojë të rishikohen dhe përshtaten me kushtet aktuale, është detyrë e Autoritetit të Aviacionit Civil që të sensibilizojë opinionin publik dhe operatorët e dronëve për rregullat që duhet të respekohet, bazuar në rregulloret mbi dronët. Ky autoritet, në bashkëpunim me ministritë përkatëse si p.sh. me Ministrinë e Brendshme duhet të harmonizojë aktivitetet e promovimit dhe zbatimit të rregulloreve. Po ashtu në bashkëpunim me AlbControl dhe Ministrinë e Mbrojtjes duhet të hartohen dhe caktohen zonat e mbrojtura nga fluturimi i paligjshëm i dronëve sidomos pranë infrastructurës strategjike.
Si është situata shqiptare krahasuar me atë rajonale lidhur me përdorimin e dronëve?
Ashtu si edhe në Shqipëri, përdorimi i dronëve është një fenomen i ngjashëm edhe në vendet e tjera fqinje dhe në Ballkan. Nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor përsa i përket përdorimit të dronëve. Në Shqipëri për shkak të rritjes së ndjeshme të turizmit sidomos në zonat bregtare, ka një përdorim më të madh të dronëve për filmime që bëjnë turistët, sidomos ato të huaj. Po ashtu vërehet përdorimi i tyre në qytete të mëdha si Tirana, Vlora, Durrësi, Saranda, Gjirokastra. Mjafton të kërkohet në Youtube dhe aty do të shikoni shumë video të marra me dron.
Përsa i përket aspektit ligjor, të gjitha vendet fqinje kanë në zbatim rregulloret përkatëse të cilat për kushtet e secilit vend funksionojnë. P.sh. Kosova ka një rregullore shumë më të thjeshtë se sa ajo që ka nxjerrë Autoriteti Shqiptar i Aviacionit Civil, por që funksionon.
Cilat janë fushat ku do të mund të nisnim lehtësisht përdorimin e dronëve?
Siç e përmenda në fillim dronët mund të përdoren në shumë fusha, për faktin se, pajisjet që ata mbartin siç janë kamerat, kamerat me rreze infra të kuqe, LIDAR-ët që përdoren për matje shumë të sakta të terrenit dhe shumë pajisje të tjera, krijojnë mundësi të shumta për përdorimit e tyre. Një sektor që po përdor me sukses dronët është ai i matjeve të terrenit për qëllime ndërtimi. Pothuajse të gjithë gjeometrët dhe vetë ASIG-u përdorin intensivisht dron për mbledhjen e të dhënave nga lart. Sektori i bujqësisë mund të shfrytëzojë shumë mirë aftësitë e dronëve. Qoftë për matjen e hapësirave bujqësore, qoftë për spërkatje dhe deri tek mbjellja. Sektori i pyjeve do të përfitonte shumë nga përdorimi i dronëve për të monitoruar sipërfaqet e pyjeve dhe parandlimin e zjarreve. Sektorët e infrastrukturës mund të përdorin dronët për inspektime të ndryshme. Rrugët, digat e hidrocentraleve, tubacionin e gazit, hekurudhën, portet, etj.
Si mund të rregullohet përdorimi i tyre dhe njëkohësisht ruajtja e sigurisë, pikërisht për shkak të përdorimit të dronëve, në këtë rast për qëllime të paligjshme?
Rregulloret përkatëse që përmendëm pak më sipër janë baza kryesore ligjore për të garantuar në maksimum sigurinë e hapësirës ajrore, por edhe shmangien e aksidenteve në tokë. Zbatimi rigoroz i këtyre rregulloreve dhe ndrërgjegjësimi i përdoruesve të dronëve është hapi i parë i domosdoshëm. Paralelisht, trajnimi i operatorëve të dronëve dhe marrja e lejes së fluturimit do të rriste cilësinë e mbrojtes dhe uljen në minimum të rreziqeve të mundshme. Gjithashtu, bashkëpunimi midis institucioneve të ndryshme do të lehtësonte sqarimin e kushteve dhe rregullave se si dhe ku mund të përdoren dronët. P.sh. në rast se sektori bujqësor përdor dron edhe ministria përkatëse duhet të bashkëpunonte me Autoritetin e Aviacionit Civil për të harmonizuar përdorimin e kësaj teknologjie. Po ashtu, Ministria e Brendshme, kur vjen fjala për parandalimin dhe sanksionimin e shkeljeve të rregulloreve.
Në fund, mendoj se bashkëpunimi i institucioneve përkatëse do të rriste efikasitetin në kontrollin e hapësirës ajrore ku dronët tashmë janë përdorues të përditshëm.