ekonomi

Ekonomia dominon shqetësimet në Shqipëri: 58% e të rriturve e rendisin si problemin kryesor

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve ku mbi gjysma e popullsisë e sheh ekonominë si problemin kryesor kombëtar, me 58% të të rriturve që përmendin çmimet e larta, pagat e ulëta dhe standardin e jetesës si shqetësimin dominant.

Këto të dhëna vijnë nga një studim i ri global i Gallup, i prezantuar në World Governments Summit, i cili bazohet në përgjigjet e të rriturve në 107 vende, të cilëve u është kërkuar të shprehin me fjalët e tyre se cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet vendi i tyre.

Në nivel global, mesatarisht 23% e të rriturve e përmendin ekonominë si çështjen më të rëndësishme kombëtare. Banorët e vendeve me të ardhura më të ulëta kanë më shumë gjasa sesa ata të vendeve me të ardhura të larta ta identifikojnë ekonominë si problemin kryesor.

Tri vendet e para në këtë listë i përkasin rajoneve dhe konteksteve të ndryshme ekonomike, nga pasiguria e lartë ushqimore në Malawi, te kolapsi ekonomik i Venezuelës në kushtet e krizës politike dhe vështirësitë e Bolivisë me inflacionin, por të gjitha kanë të përbashkët një popullsi që i vendos shqetësimet ekonomike mbi çdo problem tjetër.

Sipas nivelit të të ardhurave, në vendet me të ardhura të larta, mesatarisht 21% e qytetarëve përmendin ekonominë ose pamundësinë për të përballuar nevojat bazë, si ushqimi dhe strehimi. Kjo përqindje rritet në 31% në vendet me të ardhura mesatare të larta, në 36% në vendet me të ardhura mesatare të ulëta dhe në 38% në vendet me të ardhura të ulëta, ku 14% përmendin konkretisht nevojat bazë për ushqim dhe strehim shumë më tepër se në çdo grup tjetër sipas nivelit të të ardhurave.

Raporti: 12 kategoritë kryesore të problemeve

Në tërësi, qytetarët në mbarë botën i grupojnë shqetësimet e tyre në 12 kategori kryesore. Vetëm 1% deklarojnë se vendi i tyre nuk ka probleme, ndërsa 4% refuzojnë të përgjigjen ose thonë se nuk e dinë.

Katër tema dominojnë në nivel global. Çështjet ekonomike renditen në krye, me një mesatare globale prej 23%, të ndjekura nga puna dhe punësimi (10%), politika dhe qeverisja (8%) si dhe siguria dhe rendi (7%). Së bashku, këto përbëjnë rreth gjysmën e të gjitha përgjigjeve.

Në nivelin pasues renditen ushqimi dhe strehimi (3%), çështjet sociale (3%), mjedisi dhe ndryshimet klimatike (3%) si dhe shëndetësia (3%). Një tjetër 2% përmendin arsimin, 1% secili përmendin emigracionin dhe infrastrukturën, ndërsa më pak se 1% e identifikojnë median si problemin kryesor.

Sipas rajoneve, ekonomia renditet në vendin e parë kudo, përveç Amerikës së Veriut (SHBA dhe Kanada), ku politika është shqetësimi kryesor. Në Azi-Paqësor dhe Europë, pakënaqësia politike renditet e dyta, ndërsa në Afrikën Sub-Sahariane, vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, më të theksuara janë problemet që lidhen me punësimin.

Në Amerikën Latine dhe Karaibe, siguria dhe rendi renditen në vendin e dytë, por bien në vendin e tretë në shumicën e rajoneve të tjera.

Në thelb, raporti tregon se njerëzit i gjykojnë problemet kombëtare përmes përvojës personale: nëse arrijnë të përballojnë jetesën, të gjejnë punë të qëndrueshme, t’u besojnë institucioneve dhe të ndihen të sigurt, më shumë sesa përmes treguesve makroekonomikë.

monitor.al

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top