Antonio Guterres

Ekonomia globale duhet të shkojë përtej PBB-së për të shpëtuar planetin

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Ekonomia globale duhet të pësojë një transformim të thellë për të mos shpërblyer më ndotjen dhe shkatërrimin e burimeve natyrore, ka paralajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres.

Në një intervistë për The Guardian, pas një takimi të OKB-së me ekonomistë kryesorë botërorë, Guterres tha se e ardhmja e njerëzimit kërkon një reformim urgjent të “sistemeve ekzistuese të llogaritjes”, të cilat sipas tij po e çojnë planetin në prag të katastrofës.

“Duhet t’i japim mjedisit vlerën e tij reale dhe të shkojmë përtej Prodhimit të Brendshëm Bruto si masë e progresit dhe mirëqenies njerëzore. Kur shkatërrojmë një pyll, ne po krijojmë GDP. Kur peshkojmë tej mase, sërish po krijojmë GDP,” tha ai.

Për dekada me radhë, politikanët dhe vendimmarrësit e kanë konsideruar rritjen ekonomike, të matur përmes GDP-së, si qëllimin kryesor të politikave publike. Kritikët argumentojnë se rritja e pakufizuar në një planet me burime të kufizuara po ushqen krizën klimatike dhe të biodiversitetit, si dhe po thellon pabarazitë sociale.

Në janar, OKB-ja organizoi në Gjenevë konferencën ‘Beyond GDP’, ku morën pjesë ekonomistë të shquar nga e gjithë bota, përfshirë nobelistin Joseph Stiglitz, ekonomistin indian Kaushik Basu dhe eksperten e pabarazisë Nora Lustig.

Ata janë pjesë e një grupi të ngritur nga Guterres, i cili ka për detyrë të hartojë një panel treguesish të rinj për suksesin ekonomik, që përfshijnë mirëqenien njerëzore, qëndrueshmërinë dhe barazinë.

Në një raport të publikuar në fund të vitit të kaluar, grupi argumentoi se krizat e njëpasnjëshme globale të dy dekadave të fundit, nga kriza financiare e vitit 2008 te pandemia e Covid-19, e kanë bërë edhe më urgjente nevojën për transformim ekonomik. Raporti paralajmëroi gjithashtu për “krizën e trefishtë planetare”, ndryshimet klimatike, humbjen e biodiversitetit dhe ndotjen, të shoqëruara me tronditje të tregut të punës dhe rritje të pabarazisë për shkak të ndryshimeve teknologjike.

Kaushik Basu, tha se shtetet janë “të bllokuara në garën për të mundur njëra-tjetrën në termat e GDP-së”, duke lënë pas dore mirëqenien e qytetarëve dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.

“Nëse të ardhurat e reja përqendrohen te një numër i vogël individësh dhe GDP rritet, pritet që të gjithë qytetarët të gëzohen. Kjo po ushqen hiper-nacionalizmin, pabarazinë dhe polarizimin,” u shpreh ai.

Edhe Nora Lustig theksoi se GDP-ja nuk është projektuar kurrë për të matur progresin njerëzor, megjithatë vazhdon të jetë standardi kryesor i suksesit.

“Rritja ekonomike mund të bashkëjetojë me varfërinë, përjashtimin social, dhunën dhe shkeljet serioze të të drejtave të njeriut, fenomene që mbeten pothuajse të padukshme në llogaritjet tradicionale,” tha ajo. “Qëllimi ynë nuk është të zëvendësojmë GDP-në, por ta plotësojmë atë, në mënyrë që qeveritë dhe publiku të kuptojnë nëse zhvillimi po përmirëson realisht mirëqenien, barazinë dhe qëndrueshmërinë, sot dhe për brezat e ardhshëm.”

Nisma e OKB-së vjen në një kohë kur debatet mbi modelet ekonomike po intensifikohen. Një raport i publikuar së fundmi paralajmëroi se modelet aktuale ekonomike janë thelbësisht të gabuara, pasi nuk marrin parasysh ndikimin e goditjeve klimatike, si fatkeqësitë nga moti ekstrem dhe pikat kritike të klimës, të cilat mund të shkaktojnë kolaps ekonomik global.

Jason Hickel, ekonomist politik, thotë se këto ide po marrin gjithnjë e më shumë mbështetje. Ai i referohet një studimi të fundit sipas të cilit 73% e rreth 800 studiuesve të politikave klimatike në botë mbështesin qasje post-rritje.

Megjithatë, Hickel paralajmëron se largimi nga GDP-ja, i vetëm, nuk mjafton. “Nevojitet një ndryshim më i thellë sistemik. Duhet të demokratizojmë kontrollin mbi prodhimin, në mënyrë që të vendosim çfarë prodhojmë dhe për kë,” tha ai.

“Sundimi i GDP-së nuk është rastësi. Ai ekziston sepse mat atë që është e vlefshme për kapitalin. Në fund të fundit, është struktura e kapitalizmit ajo që duhet tejkaluar.”

theguardian.com

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top